“Vatra”: Gjilani kohëve të fundit është shndërruar në një kaos të vërtetë, asfalti është prerë gjithandej

Gjilan – Gjilani kohëve të fundit është shndërruar në një kaos të vërtetë. Asfalti është prerë gjithandej, rrugët janë të pakalueshme, dhe në çdo lagje gjen gropa të hapura që rrinë pa u rregulluar me javë e muaj të tërë. Qyteti është bërë thuajse i pamundur për të lëvizur, ndërsa askush nuk merr përgjegjësi për këtë gjendje thuhet në reagimin e Lëvizjes “Vatra”.
Reagimi i plotë:
Është e qartë: po hyjmë në një vit elektoral dhe si gjithmonë, ndërhyrjet e papritura në infrastrukturë nuk janë tjetër veçse përpjekje për të rënë në sy.
Për tri vite kjo qeverisje ka fjetur në gjumë të thellë – e tani, kur afron fundi i mandatit, janë “zgjuar” për të punuar.
Kjo skemë është bërë e njohur për qytetarët: çdo kryetar që e lë punën për në muajt e fundit, e humb besimin e gjilanasve. Historia e ka treguar këtë.
Qytetarët nuk mashtrohen më me improvizime në moment të fundit. Ata kërkojnë punë të mirëfilltë, planifikim, transparencë dhe mbi të gjitha, respekt për jetën e tyre të përditshme.
Lëvizja “Vatra”./rajonipress/