“E dashura…” e Zhitit tek italianët
Përtej ndihmesës tepër të lartë e origjinale në panoramën letrare ballkanike, romanet e tij si dhe esetë e tjera kanë konsoliduar lirinë intelektuale dhe jetën demokratike në Shqipëri.
Shtëpia e njohur botuese italiane “Rubbettino” nxori këto ditë romanin “Perëndia mbrapsht dhe e dashura” të Visar Zhitit, të përkthyer në italisht nga Elio Miracco, drejtues i katedrës së Albanologjisë në Universitetin “La Sapienza¨ në Romë, pasues i themeluesit të saj, shkrimtarit Ernest Koliqi. Romani i Visar Zhitit është një vepër tronditëse dashurie, një tragjedi moderne, ku forca e së cilës i tejkalon kufijtë e vdekjes, rrok botën e ëndërrimeve të tejme, duke ribërë një realitet më magjepsës se realiteti.
I botuar në Tiranë në vitin 2004 nga “Omsca-1”, ky roman, përveç të tjerash solli për herë të parë dhe me origjinalitet artistik ngjarje rrëqethëse nga jeta në burgjet e grave dhe nga fushat e shkreta të internimeve, me vërtetësi dhe forcë të lartë artistike, me ndikim të mëpastajmë.
Vepra në vetvete ngërthen dhe shqetësime të tanishme, por mbi të gjitha dashuri shumë, të pamundur, prandaj dhe i ngjan një elegjie të brendshme, me etjen e bukur për jetë.
Romani në italisht, me dëshirë të autorit, mban titullin “Il visionario alato e la donna proibita” (“Vegimtari me flatra dhe gruaja e ndaluar”), kurse kopertina është vepër e piktorit të ri Miron Topçiu dhe shoqërohet me komente dhe pak biografi të autorit, përgatitur nga botuesi italian. Ky botim është tregues i rritjes dhe përhapjes së mëtejshme të letërsisë shqipe, jo vetëm sukses i autorit, si dhe një apel kritikës dhe opinionit letrar për vëmendje serioze ndaj vlerave jo-efemere.
– Zoti Zhiti, romani juaj “Perëndia mbrapsht dhe e dashura”, është botuar në Itali. Ç’do të thotë për një shkrimtar të botohet jashtë, sidomos në një gjuhë të madhe të kulturës si italishtja?
I gëzohem kësaj ngjarjeje, që vetë e kam dashur. Ndjen se ke çuar kështu diçka nga shpirti yt, nga fati yt në një popull tjetër, në një gjuhë tjetër dhe sikur nis e bën dhe ti një tjetër jetë gjetiu. Shton vetveten dhe si i tillë të bëhet menjëherë përkthyesi, fantazma ime sikur mbartet tek ai. Duket se diçka ke kapërcyer, kufij të padukshëm, të ëndërrt, qiellorë, të nëndheshëm dhe po u tregon të tjerëve njerëzit e tu, vendin tënd. U përzgjodhe. Është dhe fat, po flas për vete kështu dhe të mendosh që unë në vendim tim kam qenë i dënuar për poezi dhe me gjyq nuk duhej të botoja më. Dhe më kap dëshira të bëj ç’mund për dikë tjetër, sidomos nga ata që s’janë më, që i përndoqi jeta, në fakt kundërjeta. Së fundmi, me përpjekjet tona do të dalë po në Itali një libër i Musine Kokalarit, gruas së parë shkrimtare shqiptare, e persekutuar, ndërkohë dhe e para disidente grua në perandorinë komuniste, tashmë të rënë.
– Pse keni zgjedhur një titull tjetër për botimin italisht “Il visionario alato e la donna proibita” (“Vegimtari me flatra dhe gruaja e ndaluar”?
“Perëndia mbrapsht dhe e dashura” më dukej i pa përkthyeshëm, fjala mbrapsht e shqipes është e pa mbërritshme, e fortë, trallisëse. Sipas meje semantika e saj s’ishte vetëm “i prapë” apo “ters”, aq më pak e atij që ecën mbrapsht, siç ndodh në kreun e fundit të romanit, por të gjitha këto bashkë e diçka tjetër më shumë. Mendoj se titulli në italisht e mbart më mirë mesazhin e këtij libri për lexuesin tjetër. Është më intrigues, ka vegim dhe ndjellje, s’e di, s’e di, desha ta mbroj nga ndonjë moskuptim i mundshëm. Kështu kam bërë dhe me një përkthim tjetër para tij.
-Ju jeni përkthyer edhe në gjuhë e vende të tjera. A e shihni këtë si sukses tuajin personal apo të themi një pranim të letrave shqipe në botë?
-Për të qenë i sinqertë, është një arritje vetanake, asnjë institucion, asnjë personalitet yni, kurrkush nuk ka bërë përkujdesin më të vogël, rekomandim apo mbështetje nga këtej. As ndërhyrje për ta penguar, nuk ka patur, me sa di. Por, siç e thoni dhe ju, është dhe pranim i mëtejshëm i letrave shqipe në botë. Suksese i përbashkët.
Do të desha të shtoj dhe kjo ka më rëndësi, që vendi me institucionet e veta duhet të bëjë shumë e më shumë për kulturën, për imazhin, të dojë librin dhe jo vetëm atë, por dhe shkrimtarin, edhe për përkthyesit nga shqipja në gjuhë të tjera, që janë aq të rrallë e duhen mbështetur e duhet të bëjë për ta, shoqëria në përgjithësi se kështu çmojmë veten tonë, kohën e atdheut, që do të thotë jetët tona të gjitha dhe kështu do të na çmojnë dhe të tjerët.
Ka vende të vegjël sa ne, që kanë strategjira për kulturën e tyre, e lëmë Izraelin që është superfuqi shpirtërore e mendore, por Maqedonia fqinje, ka projekte kombëtare se si letërsia e saj të përhapet në botë. Ndryshe kemi braktisur veten dalëngadalë.
– Ju çmoheni kryesisht si poet, në mos gaboj? Çfarë është proza për ju si shkrimtar? Çfarë thotë e jep ajo që poezia nuk e bën?
-Mosshpjegimi mbase është vetë shpjegimi, nuk e kam të lehtë ta gjej. Poezia, sipas meje, është më çast, ndjenjë më shumë, ngazëllim i dhembshëm, kurse proza ka rrëfim, personazhe, mendime dhe mendësi, ngërthen kohëra dhe mundin e madh. Megjithëse sot, ajo që quhet letërsi moderne, i përzien, po rrëfen dhe poezia, kurse proza po ndjen si poezia.
Nga përvoja ime, e kam thënë dhe herë tjetër, poezia sikur më shkruan, por nga brenda lëkurës time, kurse prozën e shkruaj, jashtë lëkurës time. Kaq.
– Pas Kadaresë, apo përveç Kadaresë, a ka arritur letërsia shqipe të ndërtojë enë komunikimi me botën jashtë?
Kadareja është një univers që ka bërë dhe ka dhënë shumë, i vetëm dhe identifikohet jashtë me vetë Shqipërinë, emblemë e saj dhe ka kohë që është shkrimtar i përbotshëm.
Të tjerë, jo aq sa ai dhe jo ashtu si ai, jo me atë fat, kanë mundur t’i japin botës copëza realiteti Shqipërie, dhembje të tyre, plagë me vezullimin e gurëve të çmuar. Dhe plaga ndonjëherë bën metaforën e monokolit, me të cilin sheh skenën më nga afër…
Në kopertinën e parme të romanit:
I përndjekur pa prehje nga kujtime të dhimbshme, Feliksi përmbush një udhëtim nëpër kufijtë “e ashpër” të Europës në kërkim të Emës së humbur dhe të dashurisë së saj tragjike. I shkruar në vitet në të cilat Shqipëria dilte e sfilitur dhe e prekur nga një regjim totalitar, ky roman është raporti haluçinant i ferrit të një njeriu të përmbysur nga historia dhe i një gruaje viktimë e diktaturës. Duke gërmuar në vetë plagët me mprehtësinë e paranojës, protagonisti bën portretin e atdheut dhe të bijve të tij të plagosur, të shpërndarë nëpër qytetet e Europës, të joshur nga shenjat e neonit dhe nga premtimet e rreme të një lirie të paarritshme. Një roman jashtë të përgjithshmes, me një frymëmarrje të një gjerësie të pazakontë, që njëkohësisht është rrëfim vetanak, libër me identitet dhe i përkushtuar ndaj të gjithë atyre që e kanë pësuar nga Historia.
Në kopertinën e pasme:
Visar Zhiti është një nga shkrimtarët e mëdhenj shqiptarë bashkëkohorë e nga të paktit që është dënuar nga diktatura e Enver Hoxhës nga shkaku i një vepre poetike, me përmbajtje hermetike, e trishtuar dhe për më tepër e kundërt me kanonet e realizmit socialist. Pas 10 vitesh burg e punë të detyruar, me rënien e diktaturës, Zhiti pati mundësinë të botojë gjithë veprën e tij, mes së cilës dhe poezinë e shkruar fshehurazi gjatë burgimit. Përtej ndihmesës tepër të lartë e origjinale në panoramën letrare ballkanike, romanet e tij si dhe esetë e tjera kanë konsoliduar lirinë intelektuale dhe jetën demokratike në Shqipëri. Librat e tij janë përkthyer në mjaft vende, (nga SHBA në Maqedoni, nga Rumania në Itali) duke marrë vlerësime të rëndësishme. Pas detyrash të ndryshme diplomatike, Visar Zhiti së fundmi ka qenë dhe ministër i Kulturës.
/Mapo


