ARKATANA

Lumturije Shabani, zëri artikulues që shndrit si simbol i këngëtares moderne dhe model i dashur për publikun

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Këngëtarja gjilanase Lumturije Shabani, me zërin e saj të pastër, të fuqishëm dhe emocional, ka ndërtuar me meritë një profil të admiruar në skenën muzikore shqiptare. Ajo ka fituar zemrat e publikut me interpretimet e saj të veçanta, duke dëshmuar talent natyral, disiplinë artistike dhe një mënyrë të artikulimit vokal që e veçon dhe e ngjit në radhët e këngëtareve me perspektivë të sigurt e të ndritur. Performancat e saj janë një përzierje e finesës moderne me rrënjët burimore, duke krijuar një identitet të fuqishëm artistik.

Kudo që paraqitet, Lumturije Shabani po korr sukses dhe po shkëlqen në mënyrë të pandërprerë. Ajo ka arritur të bëjë për vete publikun, por edhe juritë profesionale, duke fituar respekt dhe vlerësim për potencialin vokal, prezencën skenike dhe interpretimin e ndjeshëm që e karakterizon. Në skenën kosovare e më gjerë, ajo tashmë perceptohet si një emër i sigurt, i pastër dhe tejet premtues raporton rajonipress.

Zëri i Lumturije Shabanit shpesh cilësohet si unik dhe goditës, madje i krahasuar simbolikisht me fuqinë vokale të Pavarotit, për shkak të depërtimit dhe artikulimit të kristaltë. Ajo sjell në muzikë një intensitet të rrallë, të kombinuar me emocion të pafalsifikueshëm, duke i dhënë kuptim çdo note dhe çdo teksti që interpreton.

E njohur mes publikut me nofkën “Taria”, kjo artiste e re e talentuar e ruan me përkushtim trashëgimin e këngës shqipe, duke e trajtuar folklorin si thesar të gjallë dhe të pashtershëm. Ajo shquhet për aftësinë për të balancuar modernitetin me origjinalitetin, duke treguar se muzika burimore mund të ngrihet në nivele të reja pa humbur autenticitetin.

ARKATANA

Këngët e saj tashmë të njohura – “Marshallah bukurisë sate”, “Unë biri yt Kosovë”, “Këngë kurbeti”, si dhe hiti më i fundit “Kallushanat” e pozicionojnë Lumturije Shabanin si një këngëtare profesioniste me vizion, stil dhe vokacion të padyshimtë për të avancuar më tej rolin e saj në jetën muzikore shqiptare.

Vetë këngëtarja, e qetë por e vendosur në rrugën e saj artistike, shprehet me mirënjohje për publikun: “Jam krenare dhe e lumtur që këngët e mija dëgjohen me kënaqësi nga të gjitha kategoritë qytetare. Mundohem me shpirt ta ruaj vlerën burimore të këngëve shqipe, sepse ato janë të pasura dhe kërkojnë mund të madh për të mos devijuar. Investimi i gjeneratave të reja në trashëgiminë tonë muzikore duhet të jetë synim dhe prioritet për çdo këngëtar shqiptar”, thotë Lumturije Shabani për rajonipress.

Me zërin e saj unik, me qëndrueshmërinë artistike dhe përkushtimin ndaj traditës, Lumturije Shabani jo vetëm po ndërton një karrierë të fortë, por edhe po lë një gjurmë të pashlyeshme në skenën muzikore shqiptare./rajonipress/