Hidromorava

Muharrem Shahiqi – ishte emër i madh i artistit shqiptar

/ 7 minuta lexim
ARKATANA

Gjilan – Në 20-vjetorin e vdekjes. Artistët dhe krijuesit e artit, nuk vdesin. Ata janë të “pavdekshëm”. Veprat e tyre mbesin “gjallë” dhe jetojnë sa të jetojë bota. Për artistët, jeta është “tjetër” jetë. Ata jetojnë me artin e dramës, me regjinë, pjesën teatrale, skenën, monologun, dialogun etj. Artisti i madh vdes në dërrasa të teatrit. Ai “digjet” për të parë dritë të tjerët.

Edhe Muharerm Shahiqi, aktor gjilanas, që tash e 20 vjet më parë ndërroi jetë, ishte një artist i madh i skenës teatrale. Ai ishte i tëri aktor, poet, regjisor, skenograf, por ishte edhe artist i lindur i skenës teatrale. E pati në gjak teatrin. Ai, në një kohë kur në Gjimnazin “Z. Hajdini” të Gjilanit punuan paralelet e drejtimit kulturologjik, shkollarëve të këtij drejtimi e vizituan Teatrin e qytetit, ku Muharrem Shahiqi u foli për gjerë e gjatë për aktrimin dhe dramën. Shkollarëve u foli gati një orë e gjysmë e nuk ndjeu lodhje. Doli para shkollarëve dhe u foli për jetën e tij në dërrasa si aktor. Tha se, në jetë e kam adhuruar shumë teatrin apo aktrimin.

“Shihni, unë jam rritur në dërrasa të teatrit. Kam luajtur disa role, të cilat janë pëlqyer shumë nga artdashësit. Duke luajtur role, më është dashur të qaj, të bërtas, të “fyej” apo të bie si i çmendur në dërrasa. Kjo është jeta e artistit. Nëse hyni në botën e artit dramatik, asnjë herë nuk do të largoheni. Ky art që është i lidhur me jetën e çdo njeriu. Unë fort e kam adhuruar jetën në teatër. Fort…”. Kur mori ta interpretojë ndonjë nga rolet, ai hyri thellë në botën e personazhit të dramës, i cili, duke folur e lëvizur, ra mbi dërrasa dhe për një kohë qëndroi pa frymë. Nga kjo skenë, shkollat mbetën të stepur. E ndjeu thellë rolin e tij. Bile i dolën edhe lotët. Ishe gjendje prekëse. Nga ai takim me aktorin e madh Muharrem Shahiqin, sikur lënda e tyre u ishte bërë me e lehtë dhe më e kapshme si lëndë e këtij drejtimi.

Andaj, Muharrem Shahiqi, ta tash na mungon, ai ishte artist i madh i jetës teatrale. Ai bëri art prej artisti. Ishte edhe vetë artist i lindur, i cili, më vonë, ai shkroi edhe vepra poetike e pjesë teatrale.

Thuhet se, historiku i themelimit të Teatrit shqiptar të Shkupit, janë aktorët e Gjilanit. Dhe, pak kush në Kosovë, por edhe më gjerë e dinë se Teatri i Kombësive, si është quajtur aso kohe në Shkup, është themeluar nga dy aktorë gjilanas. Ish Komiteti qendror i Partisë Komuniste të Maqedonisë, me kërkesën e Komitetit të Partisë Socialiste të Shkupit, në përbërjen e shumë shqiptarëve, atë kohë kërkuan që në Shkup të formohet një institucion kulturor, gjegjësisht një Teatër profesional, ku të gjitha kombësitë, siç kishin emëruar pakicat kombëtare të Republikës së Maqedonisë, të formohet Teatri i pakica kombëtare.

Në atë kohë ekzistonte Teatri i amatorëve në Shkup i formuar nga Muharem Shahiqi, Mark Marku dhe Zija Berisha, aktorë shqiptarë. Dy nga këta artdashës gjilanas: Muharem Shahiqi dhe Zija Berisha, ishin nga Gjilani. Këta dy artistë kosovarë kanë qenë të përndjekur nga UDB-a e serbe e Kosovës. Mu për këtë, ata kishin zgjedhur rrugën e ikjes nga ky qytet dhe ishin vendosur në Shkup për punuar për kafshatën e bukës. Kjo ishte shkaku i dëbimit të tyre në një vend krejtësisht tjetër, vetëm e vetëm t’i ikin më të keqes së asaj kohe. Disa vite pas luftës, këta artistë punuan si arsimtarë në arsimin fillor si mësimdhënës duke bredhur prej një fshati në fshat tjetër, me të vetmin qëllim që ta jetojnë jetën e tyre në këtë kohë të rëndë.

Hidromorava

Andaj, ata te dy, duke mos parë perspektivën e jetës, Muharrem Shahiqi, si djalë i komandantit të ballistëve, Lamë Shahiqi, i cili luftoi dhe u vra në malet e Gjyrishecit kundër trupave partizane, e lëshoi Gjilanit dhe u vendos në Shkup. Të njëjtin fat e pat edhe Zija Berisha, djalë i një familje siç e quanin asokohe “familje antirevolucionare”, i cili u shpërngul nga Kosova dhe u gjend në Maqedoni, sepse, edhe ai qe i përndjekur nga regjimi i asaj kohe të rëndë. Si duket, këta dy “kundërrevolucionarë” patën fatin të jenë në kohë dhe në momentin e duhur kur është dashur të formohet ky institucion i rëndësishëm kulturor i kombësive.

Si udhëheqës të Teatrit amator të Shkupit, të parët e qytetit ju dhanë për detyra që këta dy burra artistë shqiptarë të formojnë Teatrin e pakicave në Shkup, i cili, më vonë do të quhet “Teatar na Malcinsva” ose Teatri Kombësive në Shkup. Në atë kohe ju nda lokacioni në pallatin “Ilinden”, i cili gjendet afër qendrës tregtare “Tërgovski” mu në qendër të qytetit. Teatri kishte dy kate përdhes, ku me një mund të madh këta dy bura artistësh arritën të krijojnë kushte minimale për funksionimin e Teatrit duke ndërtuar skenën, grimoret, dhomat e gardërobës dhe kështu me radhë.

Pas formimit të Teatrit të Shkupit, ky Teatër me plot të drejt mund të thuhet se ishte qendër e Kulturës dhe elitës intelektuale të shqiptarëve në ish-Jugosllavinë e atëhershme. Në këtë Teatër punuan edhe shumë kosovarë dhe gjilanas të tjerë, si janë: Muharrem Shahiqi, Zija Berisha, Agron Berisha, Fetah Mehmeti (Gjilan), Luan Ahmeti (Gjilan), Ismajl Rama (Ferizaj), Sylejman Loka (Gjakovë), Silvana Bajqinovci, (Gjilan), Bajrush Mjaku (Kaçanik), Muharem Qena (Prishtinë) e shumë të tjerë. Në këtë Teatër punonte si regjisor i rregullt edhe Mirko Stefanovski me prejardhje shqiptare, ku këtë punë e pranoi pas shumë viteve në këtë teatër qytetit. Ai pati thënë: “Babai im vdiq me kapuç të bardhë, të cilin e kishte mbajtur tanë jetën, thotë Mirko Stefanovski, babai i gitaristit më të madh Maqedonas Vlatko Stefanovski.Vllatko nga Universiteti publik i Maqedonisë, të cilit i’u dha titull nderi “Doktor i arteve” të Maqedonisë.

Muharrem Shahiqi, ishte aktor i Teatrit të Gjilanit, ku në vitin 1976 është kthyer nga Shkupi me kërkes te udhëheqësisë së atëhershme të Gjilanit për të formuar Teatrin e Qytetit të Gjilanit, thotë, djali i tij, Kujtim Shahiqi. Andaj, Muharrem Shahiqi ishte një aktori i natyrshëm, i cili e deshi shumë jetën në dërrasa. Ai jetoi me artin e aktrimit.

U lind më 1927 në fshatin Gjyrishec të komunës së Dardanës (ish Kamenicës) në Kosovë, dhe në vitin 1997 vdiq në Gjilan. Plot 28 vjet ka qenë aktor në Teatrin e Kombësive në Shkup, ndërsa në vitin 1976 u kthye në Gjilan. Në Gjilan ka punuar si regjisor në Teatrin e qytetit. Ka interpretuar dhe ka bërë regjinë e shumë dramave, komedive dhe ka luajtur edhe në seri televizive e filma artistik. Pos aktrimit, ai është marrë edhe me shkrime letrare. Është prezent në shumë antologji e leksikone te shkrimtarëve dhe të aktorëve.

Në dorëshkrim i kanë mbetur shumë materiale, të cilat presin një përkujdesje për t’u botuar, e ato janë: “Vërragë e kunorë” – Shkup (1963), “Fjollat”- Shkup (1968), “Në mes të dy kohëve” – Shkup (1972), ”Vdekja në tren” – Shkup (1972), “Barkë ndër dallgë”- Shkup (1976) e të tjera. Pra, Muharrem Shahiqi dhe Zija Berisha janë aktorët e themelimi të Teatrit të kombësive në Shkup./tefik selimi/rajonipress/