ARKATANA

Visare nga ajka e diturisë dhe urtisë botërore, libri i Mursel Murselit bart shprehi e kuptime të gjëra e të thella, mendime të larta e të qarta

/ 12 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Akademik Mehmet Halimi në recensionin e tij për librin e Mursel Murselit ka shkruar se ai ka bërë një përzgjedhje të mirë e të mrekullueshme, duke përzgjedhur 777 thënie e urti të fuqishme e kuptimplote, të cilat kur përdoren me rend e me vend, me shije e me kripë e fuqizojnë mendimin tonë retorik e filozofik. Pra, autori në këtë vëllim sjell prurje me vlerë formuese e ndikuese nga të gjitha fushat e jetës e nga të gjitha profesionet e misionet shoqërore ashtu si përroskat e lumenjtë që derdhen e sjellin ujë në oqeanin e madh të URTISË e të DITURISË njerëzore, duke përfaqësuar kulturën dhe filozofinë e mendimit botëror.

Krijuesi Mursel Murseli është autor i tre librave që kanë vlera dhe cilësi të pasur për të cilat ka shkruar edhe akademik Mehmet Halimi.

Mursel Murseli përmes librave të tij ka treguar kujdesin, që duhet ta kemi ndaj trashëgimisë sonë të pasur kombëtare dhe me mjaft mjeshtri dhe delikatesë, është kujdesur që të prezantojë shkëlqyeshëm një pjesë të kësaj trashëgimie edhe përmes penës së tij të artë.

Recensioni i plotë i akademik Mehmet Halimit për librin e Mursel Murselit:”777 thënie dhe fjalë të urta”.

Mursel Sh. MURSELI, “777 THËNIE DHE FJALË TË URTA”…botoi, Dituria 2015, Prishtinë, 2021, 141 f.

“Dituria është fuqia e mendjes, urtësia është fuqia e shpirtit”.
(Shanahan)

Autori i përmbledhjes së tretë të tij “THËNIE DHE FJALË TË URTA”, Mursel Murseli, siç shihet nga lënda dhe brumi, tematika dhe etika e veprës në fjalë, shpalos vullnetin dhe gatishmërinë, synimin dhe qëllimin, dashurinë dhe idealin e tij, që fillimisht në krijimtarinë e tij të merret me përzgjedhjen e gjinisë së shkurtër të urtisë popullore e të diturisë së filozofisë botërore, siç janë: Thënie të urta, fjalë të urta apo fjalë të arta, proverba e aforizma, sentenca e frazeologjizma dhe mendime filozofike, të cilat i zgjodhi e i përzgjodhi nga njerëz më të ditur e më të ndritur, apo nga njerëz që kanë përvojë e sprovojë të gjatë e të pasur jetësore, siç janë: filozofë e dijetarë, shkrimtarë e shkencëtarë, humanistë e mendimtarë, atdhetarë e veprimtarë, gjeneralë e luftëtarë, këshilltarë e pajtimtarë, nga njëra anë, por edhe pleqnarë e mentarë dhe urtakë popullorë, njerëz fisnikë e bujarë, fshatarë, bujq e barinj të zgjuar, amëvise sojnike e fisnike, njerëz që përfaqësojnë elitën e popullit të vet, dhe të profesionit të vet, me të cilin ai është marrë tërë jetën e tij si veprimtari jetësore, thëniet e urta të të cilëve janë rezultat i përvojës dhe sprovave jetësore, nga ana tjetër.

Mirëpo, ndonëse këto thënie u përkasin gjinisë e llojit të krijimtarisë së shkurtër, mirëpo në brendi ato bartin e shprehin kuptime të gjëra e të thella, sepse në to janë sintetizuar dhe sublimuar mendime të larta e të qarta, që përbëjnë apo përfaqësojnë mostrën (gjedhën) e thelbit dhe tharmit të ajkës së mendimit filozofik të diturisë dhe urtisë botërore. Sepse ata që kanë thellësi e gjerësi të urtisë, ata dinë të flasin e të shkruajnë shkurt, saktë e qartë. Duke pasur parasysh se vlera e punës dhe mendimit tonë, nuk qëndron në sasinë vëllimore e në gjatësinë kohore, por në përmbajtjen cilësore të saktësisë dhe të thellësisë e të dendësisë së mendimit tonë.

Ndaj, i tërë ky sukses varet nga vullneti i autorit, i përkushtimit dhe angazhimit të tij, i cili përfaqëson forcën motivuese e krijuese, që prezentohet nëpërmjet veprimit dhe veprave autoriale të autorit në fjalë. Ndërkaq, vullneti është kusht parësor i suksesit, sepse vullneti e dashuria për punë është arma më e fortë para të cilit gjunjëzohet përtacia, zhdavaritet injoranca e padituria. Shprehja më etike dhe më njerëzore e edukatës së vullnetit dhe përpjekjes individuale është puna, e cila autorit të veprës në fjalë nuk i mungon. Përkundrazi puna për të është bërë kusht themelor dhe burimor, faktor motivues dhe frymëzues i suksesit të pastër shpirtëror. Sepse vlera e individit dhe mendimit të tij është e fshehur nën gjuhën dhe majën e lapsit apo pendës së tij, e cila shfaqet nëpërmjet fjalës dhe shkrimit e shprehur: shkurt, saktë e qartë. Sepse në botë rrallëherë ekziston ndonjë mendim krejtësisht i ri. Por mendimi i ri është petk i ri, i një mendimi të vjetër. Ndaj, mund të themi se gjuha nuk është qëllim, por është mjet, qëllim i vërtetë është pasuria mendimore, të cilën njerëzit e mëdhenj të ditur e të urtë botërorë e shprehin me gjuhë: shkurt, saktë e qartë, duke ngjyer e ushqyer atë me frymë, thellësi e urti filozofike. Të gjithë njerëzit e mëdhenj, mendimtarë të njohur e të shquar, janë të thjeshtë e modestë. Thjeshtësia e tyre është madhështi njerëzore, e pasur me dituri dhe mendime si pema e pasur me plotë fruta.

Sepse historia e botës përbëhet nga biografia e veprimtaria e njerëzve të mëdhenj, nga puna e talenteve dhe nga krijimtaria e zbulimet e njerëzve gjenialë. Ngase talenti punon e gjeniu zbulon e krijon. Gjeniu trason rrugën nëpër të cilën ecë dhe punon talenti. Pikërisht për këto arsye, këto thënie e urti janë të shkurtëra, të sakta e të qarta si ullinjtë në degë e me mendime të ngjeshura si kokrrat në shegë.

Pra, autori, Mursel Murseli ka bërë një përzgjedhje të mirë e të mrekullueshme, duke përzgjedhur 777 thënie e urti të fuqishme e kuptimplote, të cilat kur përdoren me rend e me vend, me shije e me kripë e fuqizojnë mendimin tonë retorik e filozofik.

Numërori 7 simbolizon numrin tek, i cili synon të bëhet çift, e çifti është produktiv, urti e vazhdimësi.

Duke mos e ngarkuar vlerësimin tonë me emra të shumtë autorialë, si autorë të thënieve e urtive të caktuara, ku ndeshim edhe thënie e urti anonime, nga tradita e odave shqiptare e madje edhe thënie të sajuara nga vetë autori i veprës në fjalë – Mursel MURSELI, fakt që dëshmon se autori nuk është vetëm përzgjedhës e regjistrues formal, por ai i frymëzuar dhe i motivuar nga lënda që e trajton, është bërë edhe krijues i tyre.

Se sa të fuqishme e kuptimplote janë këto thënie të urta kur ato përdoren në momentin e duhur, po i numërtojmë disa prej tyre me numra dhe me emra: fjalë e urtë nr. 3 (Mehmet Halimi), nr. 11 (Solomoni), nr. 14 (N. Bonaparta), nr. 20 (F. Konica), nr. 23 (S. Frashëri), nr. 53 (M. Frashëri), nr. 76 (Bislim Batllava), nr. 80 dhe 81 (Mujë Loshi), nr. 116 (Ainshtein), nr. 219 (F. Bekon), nr. 268 (anonim), nr. 278 (F. Noli), nr. 289 (Xhemajl Obria), nr. 305 (L. Gurakuqi), nr. 359 (Ë. Çerçill), nr. 384 (Tahir Berisha i Drenicës), nr. 404 (L. Da Vinçi), nr. 426 (M. Frashëri), e shumë të tjerë, përfaqësues të kulturës, të dijës e të shkencës së popujve të ndryshëm të botës, që përfaqësojnë ajkën dhe visaret e urtisë njerëzore të universit botëror si dhe pasurinë e diturisë e të urtisë së universalizuar të kulturës e filozofisë mbarënjerëzore të rruzullit tokësor.

Uji Dea

Në të gjitha këto thënie të urta, aforizma e sentenca, vihen në spikamë tiparet e virtytet njerëzore, siç janë: mirënjohja e bamirësia, bujaria e fisnikëria, lakmia e interesi, hipokrizia e xhelozia, lumturia e fatkeqësia, dituria e injoranca, gëzimi e hidhërimi, mëshira e smira, frika e tmerri, liria e robëria, vuajtja e vdekja, inteligjenca e aftësia, sinqeriteti e naiviteti, komedia e tragjedia, nderi e gabimi, nevoja e përvoja, harmonia e njerëzishmëria, imagjinata, mendimi e meditimi, kthjelltësia e qartësia, nostalgjia e kënaqësia, këshilla e qortimi, origjinaliteti e falsiteti, bashkëshortësia-dashuria, mirëkuptimi e harmonia, intriga e dyfytyrësia, pushtetarë e qytetarë, etj.

Vepra e autorit Mursel Murseli: THËNIE TË URTA, do të ishte më e plotë dhe me vlerë më të lartë shkencore, sikur këto thënie të urta, mendime filozofike e sentenca, proverba e aforizma, thënie e frazeologjizma ti trajtonte e ti klasifikonte sipas tematikës së tyre, në mënyrë që do të ishin më funksionale e më të pranueshme, më të kuptueshme e më të përdorshme për lexuesin në përgjithësi nga njëra anë, dhe më tërheqëse për studiuesin në veçanti, nga ana tjetër.
Ndaj, i sugjeroj autorit, meqë ai e ka zgjedhur këtë fushë studimore, vëllimet tjera të kësaj natyre ti trajtojë e ti klasifikojë sipas aspektit tematik.

Sepse në këtë mënyrë ato mund të bëhen objekt studimi tematik në nivel magjistral e masterial apo për studime disertacionale. Dhe për të dëshmuar se vërtet këtij problemi, autori iu ka qasur me kureshtje, me interesim dhe me përkushtim, mund të bëjë një vëllim të veçantë me THËNIE E URTI ORIGJINALE autoriale.

Megjithatë, autori Mursel MURSELI ka sajuar një vepër solide nga përzgjedhja e urtia mendimore e mbarë njerëzimit, e cila përbëhet nga ajka e filozofisë botërore, e pasuruar dhe e freskuar me shembuj dhe ekstrakte të mbarë kulturës dhe dijes njerëzore, që sipas mendimit tim e tejkalon gjithë literaturën konfesionale e filozofike botërore. Sepse këtu, në këtë vëllim, janë zgjedhur e përzgjedhur krijuesit e mendimit, talentet e gjenitë, filozofët e shkrimtarët, dijetarët e pleqnarët urtakë më të shquar kombëtarë e botërorë.

Pra, autori në këtë vëllim sjell prurje me vlerë formuese e ndikuese nga të gjitha fushat e jetës e nga të gjitha profesionet e misionet shoqërore ashtu si përroskat e lumenjtë që derdhen e sjellin ujë në oqeanin e madh të URTISË e të DITURISË njerëzore, duke përfaqësuar kulturën dhe filozofinë e mendimit botëror.

Tek e fundit “Të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe” (Nënë Tereza). Shihet qartë se autori ka bërë një punë të mirë, duke sajuar një vepër sado modeste qoftë ajo, ai e ka bërë me përkushtim dhe me dashuri të madhe, ndaj ky autor i vyer dhe i rryer, me këtë elan, me këtë ritëm e tempo dhe me këtë vullnet të madh për punë, në të ardhmen premton vepra me vlerë serioze e dinjitoze, që e nderojnë atë si autor dhe e pasurojnë krijimtarinë e kësaj gjinie folklorike, letrare dhe filozofike, duke e njoftuar dhe edukuar dhe vetëdijesuar lexuesit e kombit të vet për pasurinë e urtisë së gjërë dhe filozofisë së thellë të kulturës sonë kombëtare dhe ndërkombëtare, në përmasa të diturisë dhe urtisë mbarënjerëzore, nëpër epoka të ndryshme kohore të historisë botërore ka shkruar në recensionin e tij akademik Mehmet Halimi.

Ndryshe edhe pse jeton në mërgim ky autor kujdeset që gjuha të shkruhet pastër, me fjalë të zgjedhura dhe jo me kureshtje bombastike. “Nxitimi”, i vetëm i tij është respekti për gjuhën, respekti për miqtë e tij krijues, me të cilët bashkëvepron në të mirë të kulturës e krijimtarisë.

“Nuk kam shkruar për famë, por për kujtim. Jo për të folur shumë, por për të thënë pak – saktë dhe me mend” ky është konstatimi i këtij autori, i tre veprave të botuara dhe një tjetër në ardhje e sipër.

Pak fjalë për veprat e Mursel Murselit

“Gjurmë mbi Gjurmë” (2016):
Libri im i parë, i mbushur me urti të vjetra, kujtime të përjetuara dhe mendime që më kanë udhëhequr në jetë. Në përpjekje për të mos humbur gjurmët e brezave të mëparshëm.

“Margaritarë nga Thesari i Urtisë Botërore“ (2018):
Një pasuri fjalësh nga mendimi botëror dhe vendor (shqiptar), të përzgjedhura për lexuesin shqiptar me ndjenjë dhe përkushtim. Fjalë që i flasin çdo kohe.

“777 Thënie dhe Fjalë të Urta“ (2022):
Një udhërrëfyes i thjeshtë, me thënie të vlefshme për jetën e përditshme. Numri 777 nuk është i rastësishëm – një simbolikë e dritës dhe e përmasës shpirtërore.

Ndërkohë, së shpejti do të dalë nga shtypi edhe libri i katërt, më i ndjeshmi dhe më i veçanti për këtë autor, një vepër që ua ka kushtuar dy nipave të tij, të lindur në vitin 2024. /rajonipress/