Qeveria, peng edhe i një vendimi të Kushtetueses
Presidentja Atifete Jahjaga mund ta presë edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese për të vazhduar procesin e formimit të Qeverisë së Kosovës. Presidenca, sipas zëdhënësit Arbër Vllahiu, nuk do ta respektojë vetëm vendimin e Kushtetueses për mandatarin.
“Presidentja Jahjaga, përveç zbatimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, do të respektojë edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për caktimin e mandatarit për kryeministër, por gjithsesi do të respektojë edhe të drejtën e secilit subjekt politik që mund të kërkojë interpretime dhe sqarime ligjore që mund të ngrihen për çështjen e seancës së Kuvendit”, ka thënë Vllahiu, kur është pyetur se kur do ta caktojë presidentja mandatarin për krijimin e Qeverisë pas konstituimit të Kuvendit, shkruan Koha Ditore.
Partia Demokratike e Kosovës, e cila nuk ia ka dalë ta çojë përpara agjendën e vet në seancën konstituive, të enjten, ka paralajmëruar se për zhvillimet në Kuvend do të hapë rast në Gjykatën Kushtetuese.


