Fundamenti

Gjimnazi i Gjilanit – një tempull i madh i dijes…

/ 7 minuta lexim
ARKATANA

Gjilan – Edhe pak ditë na ndajnë gjer tek festa apo “datëlindja” e Gjimnazit “Zenel Hajdini” të Gjilanit, e 69-ta me radhë. Më 15 maj, Gjimnazi ka festë. Festë e tempullit të dijes e diturisë. Në Anamoravë, por edhe në Rajon nuk ka shkollë më të hershme se Gjimnazi “Zenel Hajdini” i Gjilanit.

Ky tempull i dijes dhe i diturisë po i afrohet (gati) 100-vjetorit të fillimit të punës edukativo-arsimore. Procesi mësimor këtu filluar herët, kur populli ynë doli nga lufta. Pra, këtu 69 vjet më parë filloi rrugëtimi i Gjimnazin “Zenel Hajdini”, nga e cila shkollë dije dolën me qindra e mijëra intelektualë të profileve më të ndryshme, si mësues, arsimtarë, profesorë, doktorë shkencash, gazetarë, publicistë, deputetë, juristë, ekonomistë, drejtorë, pedagogë, artistë, këngëtarë, poetë e shumë profile të tjera të jetës.

Rrugëtimi i këtij tempulli qe i hershëm. Data e 20 prillit të vitit 1945 është “datëlindja” e Gjimnazit të Gjilanit. Një datëlindje e ecur nëpër kohë të rënda e me shumë sfida të jetës. Pse jo? Atë kohë, qarqet serbomëdha nuk shihnin për të mirë hapjen e një shkolle të tillë, Gjimnaz, për faktin se, e dinin se, të rinjtë shqiptarë do të vrapojnë e do të shkollohen për dije e rrugëtim të gjatë e për jetë. Mësojmë se, gjer në vitet ’60, mësimi zhvillohej në gjuhën serbe.

Ndonëse kjo shkollë e arsimit të mesëm të lartë pati mbi supë barrën e madhe të okupuesit shekullor, ajo nuk u ndalë dhe, edhe në këto rrethana të rënda pune, ajo trasoi rrugëtimin e mbijetesës për të mirën e popullit shqiptar. Gjer tek kjo arritje e vërtetë e fillimit të dritës së arsimimit shqiptar, pati shumë padrejtësi. Gjimnazi sa hapet, mbyllet. Përsëri hapet për të mos u ndalë asnjëherë më. Prandaj, këto kohëra të hershme të shkollimit të rinisë shqiptare ishin me shumë përpjekje e me shumë mundi.

Në fillim, Gjimnazi “Z. Hajdini” i Gjilanit punoi me paralele të pakta dhe me shkollarë të përzier. Më tepër pati shkollarë serbë, se shqiptarë. Por, dita-ditës, kjo “gjendja” ka ndryshuar në të mirën e shkollarëve shqiptarë. Erdhën kohët “tjera”. U shtua numri i shkollarëve shqiptarë e i personelit mësimor. Por, erdhi koha kur u shtuan edhe paralelet me shkollarë shqiptarë. Gjimnazi vjen duke i lëshuar rrezet e dijes e të dritës jo vetëm në Gjilan, por paralelet e veta i shtoi edhe nëpër qendrat tjera të Kosovës, si në Kamenicë, Viti e Bujanoc.

Ishin vite të vështira të fillimit të punës së këtij gjimnazi, sepse, këtë tempull të dijes e quajtën “çerdhe të nacionalizmit” shqiptar! Vërtet, në një kohë të rëndë për shqiptarët, kjo kohë ishte kohë e vendimeve të mëdha. Rinia shkollore së bashku me personelin mësimor, kundërshtoi gjithçka që nuk ishte në vijën e së drejtës së një populli me histori të nëpërkëmbur nga okupuesi barbar serb.

Thonë, edhe më herët, por edhe më vonë, këtu janë shkolluar gjenerata të atdhetarizmit, të cilat, sot, disa prej tyre mungojnë ose janë keqtrajtuar nga regjimi serb. Këta janë: Rexhep Mala, Kadri Zeka, Hydajet Hyseni, Nijazi Korça, Ahmet Hoti, Hilmi Ramadani, Jetullah Arifi, Nazmi Hoxha, Fatmir Salihu, Fazli Abdullahu e shumë të tjerë. Në këtë tempull të dijes punuan si mësimdhënës Abdurrahmon Hafuzi, Miftar Vokshi nga Gjakova, vëllau i luftëtarit të Spanjës Asim Vokshi, Avni Dehari etj. Por, punuan edhe të tjerë, si Gurbi Shehu, Qamil Binxhiu. Dolën shumë personalitete të shquara profesioniste të fushave të ndryshme, si janë: Asllan Elezi, Besim Sllamniku, Zeqirjah Sahiti, Skender Berisha, Halit Maliqi, Sahit Maliqi, Jusuf Jusufi, Isuf Ismajli, Xhevat Emërllahu, Enver Gjinolli, Behlul Brestovci, Faik Brestovci, Zijadin Salihu, Sinan Sinani ekonomist nga Presheva, Mirko Gashi – poet, Rexhep Elmazi – poet, Isa Shefkiu et.

Uji Dea

Mandej, më vonë nga kjo shkollë dolën figura të shquara politike e arsimore, si janë: dr. Xhavit Ahmeti, Nazim Qehaja. Por, pas viteve 1950 e më vonë, kuadri, por edhe numri i shkollarëve është shtuar nga viti në vit. Kjo i ka brengosur serbomëdhenjtë, sidomos, kur erdhi koha “tjetër” e kalimit në objektin e gjimnazit të Ri, më 1972. E shihnin rritjen e të rinjve shkollarë.

Filloi në objektin e ri mësimi kabinetik. Kësaj pune i gëzoheshin të tjerët, për faktin se nuk shtohej asnjëherë numri i shkollarëve shqiptarë. Por, kjo “punë” nuk shkoi gjatë, dikujt nga shqiptarët i shkoi mendja dhe mësimi kabinetik shndërrohet në mësonjëtore për të shtuar numrin e shkollarëve më shumë. Tash për tash, në Gjimnazin e Gjilanit, mësimin e rregullt e ndjekin mbi 2600 shkollarë. Janë shkollarë të dijes dhe të diturisë. Gëzon fakti se, këtu punojnë një numër i madh i mësimdhënësve punëtorë, të cilët janë të përkushtuar me tërë qenien e tyre për mësimdhënie të nivelit të duhur mësimor.

Si mësuam nga Sami Hoxha, drejtor, vitin e kaluar është përuruar objekti i ri i Gjimnazit, ku hapësira për shkollarë është mjaft e kënaqshme. “Tash për tash punohet në dy ndërresa. Në këtë përvjetor, si çdo kund, edhe në Gjimnazin e Gjilanit, janë duke u zhvilluar disa aktivitete kulturo-artistike për ta shënuar datëlindjen e 69-të të kësaj vatre të hershme të diturisë. Ky përvjetor do të shënohet me disa aktivitete kulturore, të cilat do të japin program për mësimdhënës dhe shkollarë të kësaj shkolle. Por, ky Gjimnaz, festën më të madhe do ta ketë vitin e ardhshëm shkollor 2015, kur ky tempull i dijes do t’i rrumbullakësojë 70-vjet të punës edukativo-arsimore.

Me këtë rast, do të ribotohet apo plotësohet monografia e Gjimnazit në fjalë. Pra, do të jetë një festë e madhe, një shekull dije e dituri. “Në Gjimnazin në fjalë punohet dhe orari i punës respektohet. Profesorët janë punëtorë dhe i gëzohen punës së tyre me ditar në dorë. Këtu ka profesorë që dallohen në punë, por ka edhe krijues, studiues e entuziastë të punës shkencore etj.

Shkollarët e kësaj vatre të diturisë janë të dalluar në shumë fusha të dijes, të cilët marrin pjesë në shumë gara komunale e shkallë vendi. Këtu ka sportistë të mirë, por ka edhe piktorë, këngëtarë, krijues të tjerë. Të shtojmë edhe këtë se, pranë kësaj vatre të arsimit të mesëm botohet edhe revista “Gjimnazisti”, ku të rinjtë krijues gjejnë vend t’i botojnë shkrimet e tyre në poezi e prozë.

Pra, jemi në pritje të një feste të rëndësishme të “datëlindjes” së Gjimnazit “Zenel Hajdini” të Gjilanit, një rrugëtim i gjatë i këtij tempulli të madh të dijes”. /tefik selimi/rajonipress/