Fundamenti

Në 44- vjetorin e rënies së heroit Kadri Zeka, evokim kujtimesh

/ 6 minuta lexim
KKVITI

Nga Ismet Rashiti – Kadri Zeka :Njeri i mirë, modest, ideolog, largpamës, udhëheqës dhe organizator i madh. Mund të them se takimi i parë me Kadri Zekën, në Cyrih të Zvicrës, ka qenë vendimtar në jetën dhe në përcaktimin tim politik. Nga fjalët dhe mësimet e Kadri Zekës – “Zeqës”, jam bindur përfundimisht se vetëm në mënyrë të organizuar mund t’i shërbehet më së miri çështjes kombëtare.

Në takimin e dytë, po ashtu në Cyrih, më 5 prill 1981, ora 19:00, në një restorant të vogël diku në qendër të qytetit, biseduam për gjendjen në Kosovë dhe për demonstratat. Meqenëse ato ditë kisha ardhur nga Kosova në Zvicër, Kadriu interesohej për gjithçka që kishte ndodhur atje: për shokët, për demonstratën e 11 marsit në mensën e studentëve, për burgosjet që kishin filluar…

Në këtë takim mora këshillat e para nga Kadri Zeka, të cilat më kanë shërbyer gjatë gjithë jetës:
“Bëhu një shërbëtor i popullit tënd. Bëhu një luftëtar i sinqertë dhe besnik i çështjes sonë të madhe kombëtare.”

Pastaj më foli për disa çështje të rëndësishme organizative. Në fund më dha detyrë të merrem me shkrime dhe të qëndroj në fshehtësi të thellë. U ndamë rreth orës 20:30.

Të nesërmen më thirri në telefonin e banesës ku isha vendosur. Më tha të takoheshim diku afër stacionit të trenit në Cyrih. Atë ditë ishte bashkë me një shok tjetër. Hyra në veturën “Citroën”, ngjyrë portokalli, dhe dolëm në periferi të qytetit. Aty më informoi se do të organizohej një demonstratë në Bernë, më 11 prill 1981, në mbështetje të kërkesave gjithëpopullore në Kosovë. Për këtë më tha: “Na duhet të organizohemi për shpërndarjen e thirrjeve.”

Njëkohësisht më dha në dorë tekstin e parullave të para që duhej t’i shkruaja në pankarta të mëdha në gjuhën shqipe dhe gjermane. Këtë detyrë e kryeva me përgjegjësi të madhe, bashkë me miken zvicerane, Sarah Gretller, studente në Universitetin e Cyrihut.

Ndër parullat që shkrova sipas porosisë së Kadri Zekës ishin:
“Kosova Republikë”,
“Ne jemi me studentët!”,
“Ne jemi me Kosovën!”,
“Trepça punon – Beogradi ndërton!”,
“Republikë – Kushtetutë, ja me hatër, ja me luftë!”,
“Liri për Kosovën!”,
“Lironi të burgosurit politikë!”,
“Poshtë terrori serb!”,
“Jemi shqiptarë – nuk jemi jugosllavë!”, dhe të tjera.

Uji Dea

Më foli pastaj për përgatitjen sa më të madhe intelektuale, për kritikën dhe autokritikën që duhej t’i karakterizonin radhët e organizuara. Më vonë kam kuptuar se shoku që ishte me Kadri Zekën dhe e drejtonte veturën “Citroën”, pa folur asnjë fjalë, kishte qenë Bardhosh Gërvalla.

Më pas kam pasur fatin e madh që me Kadri Zekën, tashmë Hero i Kosovës, të kem shumë kontakte në tubime e manifestime që mbaheshin në Zvicër dhe Gjermani. Patjetër duhet ta veçoj takimin në Klubin “Emin Duraku” në Dyseldorf, me rastin e inaugurimit të odës shqiptare. Edhe pas kaq vitesh më del para sysh portreti i Kadri Zekës, me fytyrë të lodhur, sy të nxirë nga pagjumësia dhe rrudha në ballë, teksa rrinte këmbëkryq në ballë të oxhakut dhe u përgjigjej veprimtarëve të shumtë në pyetjet e tyre për situatën e rëndë në Kosovë.

Takimin e fundit, por jo edhe bisedën e fundit me Kadri Zekën, Jusuf dhe Bardhosh Gërvallën, e kam pasur më 28 Nëntor 1981, afër Shtutgartit, në një tubim me rastin e Ditës së Flamurit, ku ishin të pranishëm edhe një numër bashkëveprimtarësh. Në këtë mbrëmje, për herë të parë i kam kërkuar Kadri Zekës të dalë publikisht për të lexuar një shkrim me titull “Letër Kosovës”. Pasi u mendua pak, më tha: “Mirë, lexoje…”. Atë mbrëmje, të moderuar nga Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla u përgjigjeshin pyetjeve të të pranishmëve.

Kurrë nuk e harroj përgjigjen e Kadri Zekës ndaj pyetjes së një veprimtari se pse Shqipëria nuk kishte marrë pjesë në Mbledhjen e Helsinkit dhe nuk e kishte nënshkruar atë marrëveshje:
“Shqipëria – tha Kadri Zeka – nuk e ka nënshkruar Marrëveshjen e Helsinkit, sepse konsideron se i janë bërë padrejtësi historike dhe se herët a vonë ata kufij ndërmjet shqiptarëve do të prishen dhe nuk do të ekzistojnë.”

Bisedën e fundit e kam pasur më 8 janar 1982, përmes telefonit, në banesën ku qëndroja. Më tha se ishte shumë i zënë me punë, por më premtoi se do të takoheshim shumë shpejt. Gjatë kësaj bisede, fjalët e tij të fundit ishin:
“Do të bashkohemi dhe do t’i japim shtytje luftës sonë të drejtë të popullit tonë, që po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha.”
Telefonin e mbylli me fjalët: “Vetëm përpara, mirupafshim!”
Vetëm nëntë ditë pas kësaj bisede, më 17 janar 1982, Kadri Zeka, Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla u vranë nga dora e armiqve të kombit shqiptar në Untergruppenbach, afër Shtutgartit të Gjermanisë.
Si njeri, si udhëheqës, ideolog dhe organizator i madh, Kadri Zeka ka qenë tolerant dhe nuk e pengonin mendimet e ndryshme lidhur me zgjidhjen e çështjes kombëtare. Nga ana tjetër, ai ishte i pakompromis kundër armiqve dhe të gjithë atyre që vepronin në dëm të lirisë dhe bashkimit të shqiptarëve. Ishte kundër luftës, por asnjëherë nuk ka menduar se çështja shqiptare mund të zgjidhej pa një luftë çlirimtare.

Në fund të çdo fjalimi e kishte zakon të thoshte:
“Rroftë lufta jonë e drejtë!”
Kadri Zeka – “Zeqa”, siç e thërrisnim, ka qenë mësuesi im i parë dhe i vetmi gjatë gjithë jetës. Ai ka qenë vërtet një lajmëtar besnik i lirisë, i cili me tërë fuqinë e tij intelektuale dhe organizative ishte vënë në shërbim të kauzës kombëtare. Ato që ka thënë dhe ka shkruar para 45 vitesh, edhe sot janë aktuale. Kadri Zeka ka qenë burrështetas i vërtetë dhe njeri tepër i përgjegjshëm për çdo fjalë dhe veprim të tij.

I përjetshëm qoftë kujtimi për heroin Kadri Zeka!
Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së Kadri Zekës, Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës!