Lulet në çetinë
Mëmë e arteve, nënë e poezisë, lokemadhja e më krijuesve,
fletë-fletë u shkruaka historia, me këmishë gjaku dhe të rënë
Mjaft o tallaz i çastit, mjaft
në përditshmërinë e të gjallit
dhimbjet kurrë s´ mbaruakan
fol epigjenetikë e vogëlimave
Poezia, kjo ( diellëz ) e arteve
me mijëra vjet e qytetëruar
herë-herë e lënë mes udhëve
po ato rreze jete i shpërndanë
Në procesin e gjatë të krijimit
vetmia i ka mësimet e ashpra
dashurinë poetike me kohën
ndeshjet me çastet dhe epokat
Ah, kjo lule e rrallë n´qetinë
që poetët e quajnë poezi, ëshrë
më e portokallta e ndjesive
dhe epiko-lirika e dhimbjeve!..
DRITË NË ROGANË
Poezinë e njoha në Roganë, në
një mëngjes tek ngjitesha kodrës
përpjetë. Atë çast e njoha diellin
dhe bardhësinë e rrezeve të tij
Jeta s´qenka udhë aq e rrafshët
por unë rendja rrëzave, kodrave
në një të përpjetë e pyesja veten
ç´po ndodhë në kraharorin tim
Muza atë mëngjes hyri në mua
po thyente xhamat e shpirtit tim
poet, më tha; kjo është bota jote
poezia është dritë që nuk falet
Nga parzmë e Kodrës së Brijës
pashë qiellin tim mbi Roganë
pashë krahët e këngës hymnore
kohën për ajrin, për erën, e shiun
Në pemë të gjuhës dhe të luftës
i kam mbi njëqind shekuj jetë
liria përsoset duke krijuar, me
qumësht nënash, dhe gjak gjenish!..
POEZIA, NJË SHOK UDHE
Eja muzë e ngadhnjimit të artit
fletë e çdo dite, muaji dhe viti
kjo kohë më bën të vet-digjem
me bashkudhtaren time, poezinë
Rritu bimë e gjuhës dhe e fjalës
ti që vjen nga gjiri tragjik i jetës
ji shpërthim i flakëve të shpirtit
je lavdi e popullit të përgjakur
Në shpirtin vullkanor të poezisë
bërë i kam betejat e secilit varg
në jetën biologjike të këtij libri
je nënëemadhja e arbërimit tonë
Shqipëri, unë e ti jemi një gjak
që nga pellazgët e lashtë e Iliria
toka jonë qe shesh i luftërave
dhe arenë gjaku e perandorive
Kosovë, kryengritëse e këngës
stërmbesë e dardanëve të Trojës
në trup ende ke plagë të gjakut
nga fqinjët që tokat ti grabitën!…
Poezi nga libri në botim, “Poezia, një shok udhe”
Rrustem Geci – Dortmund, 1 Korrik, 2015

