Demokratizimi i Ballkanit
Nga Burim Ramadani – Shqiptarët duhet të kalojnë nga niveli deklarativ në atë të praktik të marrëdhënieve me SHBA-të. Një forcim i marrëdhënieve të tilla mund të përshpejtojë demokratizimin dhe, rrjedhimisht, integrimin në BE.
Ballkani ka nevojë për demokratizim, paqe, fqinjësi të mirë dhe stabilitet të qëndrueshëm. Investimi dhe kujdesi i botës perëndimore në Ballkan nuk është kthyer edhe më tutje në fitore të demokracisë.
Secili shtet dhe komb në këtë rajon mund të përfitojë fuqishëm nga demokratizimi. Politikat e shekullit të kaluar nuk mundësojnë tejlkalimin në stad tjetër, atë të zhvillimit dhe integrimit.
Shqiptarët duhet të kalojnë në marrëdhënie plotësisht praktike me SHBA-të dhe të përshpejtojnë integrimin në BE. Serbët, mbi të gjitha, të largohen nga pretendimet territoriale, ndërsa kombet tjera ballkanike të ndërtojnë politika të fqinjësisë së mirë. Këto, në përgjithësi, janë drejtimet që duhet të ndjekin kombet dhe shtet veç e veç në Ballkan.
Shqiptarët, në veçanti, duhet të kalojnë nga niveli deklarativ në atë të praktik të marrëdhënieve me SHBA-të. Një forcim i marrëdhënieve të tilla mund të përshpejtojë demokratizimin dhe, rrjedhimisht, integrimin në BE.
Demokratizimi nuk është proces i lehtë dhe nuk mund të arrihet si një akt. Porse, nuk besoj se është besuar që për gati dy dekada vendet e Ballkanit nuk do të arrijnë që, të paktën, të avancojnë në nivele më të larta të demokracisë. Edhe më tutje, fatkeqësisht, shtetet ballkanike vuajnë nga mungesa e lirive civile, mungesa e respektimit të të drejtave themelore të njeriut, mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të drejta, sikurse edhe mungesa e sigurisë ekonomike. Këto dhe dobësi të tjera kanë ndikuar në vazhdimësi dështime enorme në integrimet evropiane, duke kthyer kështu Ballkanin e vitit 2015 në një rajon ende të pastabilizuar plotësisht.
Rolin kryesor në krejt këto rrethana e kanë elitat politike. Në të vërtetë, gjatë gati dy dekadave të fundit, elitat politike nuk kanë arritur të parandalojnë rreziqet e vazhdueshme në Ballkan. Nuk kanë arritur të largohen nga logjikat e shekullit të kaluar në përgjithësi, ndërsa nuk kanë synuar realisht demokratizimin e shoqërive dhe shteteve të tyre.
Tashmë, Ballkani ballafaqohet me probleme të përafërta, pavarësisht dallimeve të vazhdueshme të popujve dhe modeleve shtetërore të ndërtuara këtu.
Qeverisjet autokratike kanë të njëjtat karakteristika në pothuajse secilin shtet në Ballkan. Metodologjia e angazhimeve qeverisëse është pothuajse e njëjtë, duke përdorur dogma etno-nacionaliste saherë që qeverisjet përballen me krizat e brendshme.
Rreziqet dhe kërcënimet globale, në rend të parë përhapja e ekstremizmit të dhunshëm që çon në terrorizëm, kanë mbrritur që disa vite në Ballkan derisa shtetet veç e veç kanë qëndruar pothuajse plotësisht indiferente ndaj këtyre kërcënimeve. Prandaj, edhe shtetet e Ballkanit janë kthyer në një prej rajoneve që japin më së shumti luftëtarë dhe terroristë.
Krimi i organizuar dhe, sidomos, trafiqet rajonale të drogës dhe prostitucionit kanë përbashkuar kriminelët e të gjitha etnive, pavarësisht gjuhës dhe përkatësive tjera. Rrjetet e tilla kanë vazhduar për dekada shkatërrimin ekonomik të vendeve dhe popujve në Ballkan.
Korrupsioni është kthyer në normë sjelljeje edhe për qeverisjet, edhe për fushat tjera të jetës. Fatkeqësisht, është kthyer në një mendësi të sjelljes shoqërore, politike dhe ekonomike. Si e tillë, korrupsioni ka shkaktuar mangësi të fuqishme në zhvillimin dhe prosperimin.
Dhe, jo më pak e rëndësishmja, elitat politike, sidomos në Serbi, kanë vazhduar projektet e shekullit të kaluar për pretendime territoriale.
Prandaj, investimi i ardhshëm për demokratizimin e shoqërive dhe shteteve të Ballkanit duhet të jetë shumë më i fuqishëm. Ndëshkimi duhet t’i bëhet elitave politike dhe jo më qytetarëve.
Ballkani i ri ndërtohet vetëm atëherë kur elitat politike dhe shtetet këtu demokratizohen.

