Fundamenti

Gjeneva në marshim për drejtësi: “Përderisa i kujtojmë, ata jetojnë”

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Më 30 gusht mbahet edicioni i dytë i Marshit për Drejtësi në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjes me Forcë, ndërsa mbrëmja do t’i kushtohet figurës emblematike të Kosovës, Ukshin Hotit.

Dita Ndërkombëtare e Viktimave të Zhdukjes me Forcë
«Përderisa i kujtojmë, ata jetojnë»
Edicioni i dytë i Marshit për Drejtësi dhe mbrëmje kushtuar Ukshin Hotit, intelektualit nga Kosova

Gjeneva do të shënojë të dielën, më 30 gusht 2026, një ditë të veçantë të kujtesës, solidaritetit dhe angazhimit për të vërtetën dhe drejtësinë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjes me Forcë.

Me këtë rast, Gjeneva do të mirëpresë edicioni e dytë të Marshit për Drejtësi, të iniciuar nga Shoqata Kulturore Dora d’Istria.

Kryetarja e Qytetit të Gjenevës, znj. Christina Kitsos, do të jetë përfaqësuesja e lartë e autoriteteve komunale dhe do të marrë rolin e autoritetit mikpritës të kësaj dite të rëndësishme përkujtimore. Ajo do ta hapë zyrtarisht ceremoninë që do të mbahet në Sheshin e Kombeve, duke shënuar kështu angazhimin e Gjenevës për kujtesën, të vërtetën, drejtësinë dhe solidaritetin me familjet e personave të zhdukur.

Në këtë ngjarje do të marrin pjesë përfaqësues të autoriteteve kantonale dhe komunale të Gjenevës, të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të trupit diplomatik, të organizatave ndërkombëtare, të shoqërisë civile, si dhe përfaqësues të komuniteteve të ndryshme të prekura nga tragjedia e zhdukjeve me forcë.
Ky marsh paqësor do të bashkojë shoqata të shumta, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të disa komuniteteve që jetojnë në Gjenevë, veçanërisht komunitetin shqiptar të Kosovës, si dhe komunitetet boshnjake, ukrainase, kiliane, argjentinase, palestineze, kroate e të tjera, të gjitha të prekura nga tragjedia e zhdukjeve me forcë.

Së bashku, ato do të përcjellin një mesazh të fuqishëm kujtese, solidariteti dhe mbështetjeje për familjet e personave të zhdukur në kërkimin e tyre të pandërprerë për të vërtetën dhe drejtësinë.

Marshi për Drejtësi nis nga Parc des Cropettes
Tubimi i pjesëmarrësve është paraparë nga ora 13:30 në Parc des Cropettes, ndërsa nisja e marshit do të bëhet në orën 14:00, nën përcjelljen e eskortës së sigurisë shtetërore.

Marshi do të kalojë nëpër Rue de Montbrillant dhe Avenue de France, për të mbërritur në Sheshin e Kombeve, ku deri në orën 17:00 do të zhvillohet programi zyrtar.

Programi do të përfshijë fjalime të disa personaliteteve, performanca artistike dhe homazhe në kujtim të viktimave të zhdukjes me forcë.

Në Sheshin e Kombeve, nga ora 13:30 deri në 17:00, do të prezantohet vepra e artistit Ramë Dardania, një instalacion monumental artistik, i paprezantuar më parë në këtë formë.

Pjesë e programit do të jenë edhe artistë të mërgatës nga Ilirët, Vatra dhe Bashkimi, të cilët do të performojnë pjesë të përzgjedhura të kulturës shqiptare.

Aktorja Ardita Kamberi dhe Ibrahim Xhaferaj do t’i japin një dimension të veçantë artistik kësaj ngjarjeje.

Mbrëmje e veçantë kushtuar Ukshin Hotit
Programi do të vazhdojë në orën 19:00 me një mbrëmje të veçantë kushtuar Ukshin Hotit, figurë emblematike e Kosovës, i rrëmbyer me forcë më 16 maj 1999, një ditë para lirimit të tij nga Burgu i Dubravës, dhe që prej asaj dite konsiderohet i zhdukur.

Në qendër të kësaj mbrëmjeje do të jetë trashëgimia e tij intelektuale, përmes prezantimit të veprës «Bisedë përmes grilave».

Gjatë viteve kur Ukshin Hoti mbahej i burgosur në Nish nga regjimi serb, mes tij dhe shkrimtarit të madh Ismail Kadare kishte lindur një dialog i jashtëzakonshëm.

Njëri shkruante nga Parisi.

Tjetri përgjigjej nga qelia e tij.

Nuk ndanin të njëjtën hapësirë, por ndanin të njëjtën liri të mendimit.

Nga kjo korrespondencë sot kemi një dëshmi me vlerë të jashtëzakonshme historike dhe njerëzore, e përkthyer tashmë në gjuhën frënge nga Sébastien Gricourt, i cili do të jetë i pranishëm në këtë mbrëmje.

Në këtë veprimtari do të marrin pjesë gjithashtu Andin Hoti, djali i Ukshin Hotit dhe ministër në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Driton Kajtazi, Ag Apolloni, si dhe personalitete të tjera.

Uji Dea

Kjo mbrëmje synon të rikthejë në vëmendje jo vetëm fatin e Ukshin Hotit, por edhe dimensionin e jashtëzakonshëm të mendimit të tij politik, intelektual dhe njerëzor, duke e vendosur veprën e tij në kontekstin e kujtesës dhe të historisë bashkëkohore të Kosovës.

Një ditë për të vërtetën, drejtësinë dhe kujtesën

Kjo ditë do t’i kushtohet së drejtës për të vërtetën, drejtësisë dhe kujtesës për të gjitha viktimat e zhdukjes me forcë, si dhe mbështetjes për të afërmit dhe familjet e tyre, të cilat prej dekadash vazhdojnë të presin përgjigje.

Pasojat e zhdukjeve me forcë nuk prekin vetëm personat që janë zhdukur. Ato rëndojnë mbi familjet e tyre, të cilat vazhdojnë të jetojnë me pasigurinë, dhimbjen dhe pyetjen e pambyllur për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre.

Pikërisht për këtë arsye, Marshi për Drejtësi synon të jetë një mesazh i qartë se kujtesa nuk duhet të zbehet dhe se kërkesa për të vërtetën dhe drejtësinë mbetet e drejtë themelore.

«Një letër nga Kosova» në Pallatin e Kombeve të Bashkuara

Të nesërmen, të hënën, më 31 gusht, në orën 14:30, një delegacion do të pritet në Pallatin e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë nga Sekretariati i Komitetit të Kombeve të Bashkuara për Zhdukjet me Forcë.

Delegacioni do të dorëzojë zyrtarisht mesazhin e përcjellë nga Marshi për Drejtësi, «Një letër nga Kosova», dhe do të paraqesë shqetësimet dhe kërkesat e familjeve të personave të zhdukur, të cilat prej shumë vitesh kërkojnë të vërtetën, drejtësinë dhe të drejtën për të mësuar fatin e të afërmve të tyre.

Ky akt do t’i japë vazhdimësi mesazhit të përcjellë nga Marshi për Drejtësi dhe do ta çojë zërin e familjeve të personave të zhdukur në një prej institucioneve më të rëndësishme ndërkombëtare që merret me këtë çështje.

Një lule për ata që ende nuk kanë një varr
Të gjithë ata që dëshirojnë t’i bashkohen kësaj kauze humane dhe universale janë të ftuar përzemërsisht të marrin pjesë në këtë ditë solidariteti me familjet e të zhdukurve me dhunë.

Në shenjë mbështetjeje për viktimat e zhdukjes me forcë dhe familjet e tyre, pjesëmarrësit, nëse dëshirojnë, mund të sjellin një lule.

Ky gjest simbolik do të shprehë kujtimin tonë për të gjithë ata që ende nuk kanë një vend prehjeje, një varr ku të afërmit e tyre të mund të vendosin një lule.

Sepse për familjet e personave të zhdukur, pritja nuk ka përfunduar.

Kujtimi nuk është shuar.

Dhe kërkimi për të vërtetën vazhdon.

Së bashku, ta mbajmë gjallë kujtimin e tyre dhe të rikujtojmë se, përderisa i kujtojmë, ata jetojnë.

KONTAKTET PËR MEDIA
Shoqata Kulturore Dora d’Istria, Gjenevë

Mirishahe Limani Hiler
Lisa Mazzone
Edon Duraku
Laura Krenzi

📧 info@dora-distria.ch
📞 079 607 46 74

Për çdo kërkesë për intervistë, reportazh ose informacion shtesë lidhur me Marshin për Drejtësi apo mbrëmjen letrare kushtuar Ukshin Hotit, përfaqësuesit e mediave ftohen të kontaktojnë Shoqatën Kulturore Dora d’Istria.

Gjenevë, gusht 2026

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.