Mobi Casa

Krijimi i shtetit shqiptar në aspektin historik – juridik me theks të veçantë përpjekjet e Lidhjes së Prizrenit

/ 20 minuta lexim
Fundamenti

Nga Sefedin Rahimi – Shqipëria gjatë rrugëtimit të saj deri tek pavarësia e vitit 1912 ka kaluar nëpër sfida të mëdha duke u ballafaquar me pushtime të një pas njëshme, përndjekje e persekutime, padrejtësi nga kongreset e kobshme të Berlinit e të Londrës me të cilat shqiptarët janë lënë nën mëshirën e interesave të Fuqive të Mëdha dhe luftës dhe urrejtjes nga shtetet fqinjë për shfarosje dhe gllabrim të tokave të tyre e kështu ka dashur fati që ne të jemi viktimë e këtyre kusuritjeve në mes tyre gjatë historisë.

Përpjekjet e pa rreshtura janë bërë në vazhdimësi për mbrojtje dhe çlirim nga pushtimet dhe sulmet e vazhdueshme nga të huajt si romakët, bizantinët, bullgarët, sllavët, osmanët, andaj fokusi im këtu në këtë punim do të jetë që të hedh pak vështrim historik me analizë për këtë rrugëtim të popullit tim deri tek kurorzimi i Pavarësisë më 28 Nëntor 1912. Nuk do të ndalëm në pushtimet e ripushtimet dhe gjendjen e popullit shqiptar gjatë shumë pushtuesve e sunduesve, por përpjekjet e tyre sidomos në shekullin XIX dhe në fillim të shekullit XX për të qenë edhe këta sikur vendet e tjera të rajonit të kenë shtetin dhe ti dalin zot vendit të tyre të trashëguar e ruajtur brez pas brezi.

Shekulli XIX është shekulli i formimit dhe bashkimit të shumë popujve si në Evropë po ashtu edhe në Ballkan, të cilët edhe krijuan shtetet e tyre dhe konsuliduan kombet, bile pati prej tyre që nuk u mjaftonte ai territor autonom e i pavarur dhe shprehen programet e tyre nacionaliste e shoviniste siç është rasti i Greqisë me “Megali Iden” dhe “Naçertanin” e Serbisë për krijimin dhe dominimin në Ballkan duke i shkelur dhe dëbuar popujt tjerë që ishin nën sundimin dhe administrimin e Perandorisë Osmane e cila ishte në rënje dhe përfundim të ekzistimit të saj sepse vetëm disa fuqi të mëdha dëshironin të ruanin Status kohen e kësaj perandorie e cila konsiderohet si i “Smuari i Bosforit”.

Vitet e 30 të shekullit XIX për shqiptarët merren si vitet e fillimit të një lëvizje dhe rilindje të popullit shqiptar në shumë dimensione si atë kulturor, politik e ushtarak si një lëvizje çlirimtare e cila kurorëzohet me krijimin e shtetit shqiptar më 1912 që në historiografinë tonë ka marr emrin si Rilindja Kombëtare Shqiptare. Shumë ngjarje të rëndësishme që kaloi populli ynë, duke filluar nga lashtësia-iliria e periudha e Skënderbeut si një epokë e lavdishme për historinë tonë, pa dyshim se një ndodhi e rradhës është edhe periudha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878-1881. Për këtë ngjarje madhore të shekullit XIX, është shkruar dhe hulumtuar mjaft, por do të mundohem që të paraqes atë çfarë kanë bërë historiografët e parë që kanë shkruar monografitë e para për këtë ngjarje të rëndësishme e gjerë te studiuesit e sotëm, sepse është thënë e tëra është shtjerrur në çdo pikëpamje dhe ne do të paraqesim në kontekst të temës vetëm përpjekjet e saj për mbrojtje, çlirim dhe formim të kombit dhe shtetit shqiptar.

Entuziazmi dhe dashuria që kishin ndaj vendit, vullneti dhe organizimi i kësaj Lidhje, po më len përshtypje se kjo ka pasë vërtetë njerëz të mëdhenj dhe të ditur e guximtarë që marrin vendime në kohë të duhur e vend të duhur. Lidhja e Prizrenit është ngjarja më madhore që i ka ndodhë popullit tonë në shek. XIX, po ashtu si ngjarje e rëndësisë së veçantë sepse asaj i prinë njerëzit e dalluar dhe gjithë shtresat e kombit pa dallime regjionale, fetare, klasore e politike.

Ajo është udhërrëfyes për ngjarjet e tjera që pasuan pas shuarjes së veprimtarisë së saj, si hapja e shkollës shqipe 1887, Lidhja e Pejës “Besa Besë” 1899, Kongresin e Manastirit 1908, Kryengritjet e popullit shqiptar për çlirim dhe mbrojtje nga 1910-1912 e sidomos Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912. Lidhja e Prizrenit ishte ngjarja që i bënë me dije gjithë opinionit botëror të kohës, por edhe atyre fqinjë se edhe ne dim të organizohemi e punojmë për vetvetën dhe kombin tonë.

Rrethanat dhe gjendja e popullit shqiptar në periudhën e Krizës Lindore po merrte një kontacion drejt copëtimit dhe ngurësimit të tokave që deri më tani banoheshin nga shqiptarët. Lufta ruso-turke sidomos marrëveshja e Shën Stefanit e 3 marsit 1878 mes Perandorisë Osmane dhe asaj Ruse, ku sipas këtij Traktati gjysma e trojeve shqiptare u jepej shteteve Ballkanike (Bullgarisë, Serbisë, Malit të Zi) e pjesa tjetër mbetej nën sundimin e Perandorisë Osmane. Pikërisht edhe raportet e diplomatëve të Fuqive të Mëdha të akredituar në vilajetet shqiptare, kryesisht pajtohen me këtë konstatim se ishin këto ngjarje dhe qëndrimi i hapur i Rusisë dhe shteteve fqinje, që shqiptarët të mobilizohen në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.

Në njërën anë ky traktat shkaktoi tek shqiptarët një shqetësim të madh, por në anën tjetër edhe terrori dhe dhuna e vendeve që përfituan nga ky Traktat nxitën revoltën dhe pakënaqësinë e gjitha shtresave të popullsisë shqiptare, ku në gjitha mbledhjet popullore u shtrua nevoja e formimit të një lidhje shqiptare me karakter kombëtar sepse kjo ishte traditë, që sa herë që vendi të kërcënohet apo ti kanosej rreziku ai të bashkohet në forma të ndryshme që ti del ball. Nismen për thirrjen e Kuvendit të Përgjithshëm e mori Komiteti i Stambollit, ku për të mos shkaktuar reagimin e Portës në fshehtësi të plotë, si vend caktuan Prizrenin si një nga qytetet kryesore të Kosovës, ku do të zhvillohej qëndresa e armatosur e Lidhjes për mbrojtjen e tërsisë së atdheut.

Kuvendi Kombëtar filloi punimet më 10 qershor 1878 në Prizren, ku aty moren pjesë delegatë të viseve të ndryshme të Shqipërisë edhe pse disa ishin penguar që të arrinin me kohë në këtë kuvend mbarëkombëtar. Për numrin e saktë të delegatëve deri më tani ende nuk është vërtetuar më saktësisht, por vendi i mbajtjes ishte salla e medreses së ndërtuar në shek.XVII nga Mehmet Pasha kjo ndodhej pran Bajrak-Xhamisë dhe si kryetar të kuvendit zgjodhën delegatin më të moshuar Iljaz pashë Dibra. Delegatët që morën pjesë në këtë kuvend të përgjithshëm ishin të vendosur që të mbronin dhe kundërshtonin në çdo formë copëtimin e Shqipërisë, të formonin një Lidhje Shqiptare me karakter kombëtar dhe qëllimin e saj e mësojmë më së miri nga fjalimi i Abdyl Frashërit në kuvend ku thotë: “Qëllimi i kuvendit është që t’ju presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që ti mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”.

Nga Kuvendi i Përgjithshëm prej shumë vendimeve e detyrave ai miratoi edhe një notë proteste për Kongresin e Berlinit, i cili ishte në prag të mbajtjes. Në Lidhjen e Prizrenit në fillim kishin një rol edhe feudalët dhe elementët konservator që ishin të ndikuar nga Porta e Lartë dhe kjo la gjurmë në vendimet e saja, sidomos në pikat e Kararnames që donin ti jepnin Lidhjes karakterin e një organizate fetare-islamike për të mbajtur sundimin turk në Ballkan dhe këtë Porta e Lartë e shfrytëzoi sepse ishte në interes të saj. Ç’është e vërteta në fillim pushteti osman kishte një simpati të madhe për Lidhjen, prandaj edhe nuk krijoi kurrefar pengesa për formimin e saj. Mirëpo Stambolli shumë shpejt e humbi durimin. Programi i aprovuar (Kararnamja) më 18 qershor 1878 përmbante 16 pika nga të cilat mund të përfundohet se në aprovimin e tyre dominoi rryma konservatore që edhe programit i dhanë ngjyrën e vet proturke, por në anën tjetër një grup atdhetarësh nga Shkodra në një memorandum që ua dërguan delegacionit anglez ku thuhej:”Shqipëria nuk mund të përfaqësohet nga qeveria osmane, shqiptari qoftë katolik, ortodoks e musliman e urren pushtuesin turk, po sa e urren çdo pushtues tjetër të huaj… Ne s’duam të jemi veçse shqiptar”.

Në anën tjetër rrethet e përparuara patriotike shqiptare përpiqeshin të ngritnin këtu përpara Kongresit të Berlinit çështjen e Autonomisë së Shqipërisë në parimin e kombësisë e jo të fesë. Lidhja e Prizrenit kështu e përgatitur politikisht e ushtarakisht po priste vendimet e Kongresit të Berlinit. Në vendimet e Kongresit të Berlinit nuk u morren parasysh kërkesat e shqiptarëve, por u kënaqen interesat e shteteve ballkanike duke u pavarsuar dhe duke grabitur tokat shqiptare. Kongresi i Berlinit (13 qershor-13 korrik 1878), prej shumë vendimeve që mori, dy prej tyre preknin, njëri tërthorazi e tjetri drejtpërdrejt dy çështje që kishin lidhje me aspektin politik të trojeve shqiptare, që do të vazhdonin të mbeteshin nën sundimin e Perandorisë Osmane. E para trajtohej në nenin 23 të Traktatit. Sipas këtij neni, Porta e Lartë detyrohej të hartonte për viset ballkanike, që ndodheshin nën sundimin e saj të plotë, “rregullore organike” për një administrim autonom të vilajeteve, pak a shumë të njëllojtë me atë që i qe dhënë ishullit të Kretës më 1868. Me qëllim që këto “rregullore” t’u përshtateshin nevojave të vendit. Porta duhej të ngarkonte “komisione të posaçme” për hartimin e tyre në të cilat “elementi vendas duhej të përfaqësohej në shkallë të gjerë”. Projektet që do të hartoheshin për çdo vilajet, thuhej në po këtë nen, para se të hynin në fuqi do të miratoheshin edhe nga Komisioni Evropian që u krijua nga Fuqitë e Mëdha për Rumelinë Lindore. Dhe çështja e dytë ishte përfshirë në Protokollin nr.13 të Kongresit të Berlinit dhe kishte lidhje me venomet e Mirditës.

Harta e cila tregon shtrirjen e shteteve Ballkanike dhe formimin e tyre sipas traktatit të Shën Stefanit 3 Mars 1878 në mes Perandorisë Osmane dhe Rusisë dhe vendimet e Kongresit të Berlinit për tokat shqiptare dhe vendet e tjera të Ballkanit.

Në këtë rast Lidhja nuk kishte përkrahje nga asnjë Fuqi e Madhe dhe kjo ishte mjaft kritike për të, por edhe për mbarë popullin shqiptar. Ngjarjet që u zhvilluan më vonë për Lidhjen, sidomos ajo e Gjakovës ashpërsuan e zemëruan masat e gjëra të popullit jo vetëm kundër rrezikut të copëtimit, por edhe kundër Portës dhe lojës së saj të dyfishtë që bënte ajo. Në këto rrethana Komiteti i Stambollit formuloji projektin e autonomisë, i cili u botua më 27 shtator 1878 ne gazeten ”Terxhuman i Shark” (Interpreti i Lindjës) që botohej në Stamboll nga Sami Frashëri.

Nga gjithë kjo mund të konklodohet se Lidhja Shqiptare e Prizrenit iu kundërvue vendimeve të Fuqive jo vetëm me qëndresën e armatosur, por edhe me platformën e saj politike të cilën u përpoq ta çonte deri në forumet e diplomacisë evropiane. Lidhja e Prizrenit jehoi edhe në botën arabe sepse këtë e dëshmojnë dy gazetat kryesore dhe me të njohura të asaj kohe në botën arabe. Ato janë „El vakaie el misrijje”* dhe „El ahram”* të cilat i kishin ndjekur rregullisht ngjarjet e Lidhjes Shqiptare. Gazeta „EI ahram” nr. 120, e 3 nëntorit 1878 nën titullin „Shqipëria” shkruante se: „Një popull i cili kërkon pavarësinë dhe është në gjendje për të, të sakrifikojë çdo gjë, është e pamundur të lihet anash para se të ngopë tokën me gjak, shqiptarët nuk janë më ata të djeshmit, ata janë zgjuar dhe janë më të pjekur”.

Mobi Casa

Lidhja e Prizrenit zë një vend të rëndësishëm në historinë e popullit shqiptarë. Ajo përfaqëson lëvizjen e parë masive shqiptare me karakter kombëtar dhe shënon kapërcimin nga periudha e gjatë e kryengritjeve të shkëputura dhe lokale në një përpjekje të organizuar në të cilën morën pjesë pak a shumë të gjitha krahinat e Shqipërisë. Ajo shënoi një hap të madh cilësor nga pikëpamja e platformës ideologjike e kërkesave politike dhe e frontit luftarak në krahasim me lëvizjet çlirimtare të dhjetvjeçarve të kaluar. Lidhja e Prizrenit si lëvizje e parë me karakter kombëtar e çlirimtar, ku morën pjesë të gjitha krahinat dhe në të cilën u kombinuan të gjitha format e luftës çlirimtare ajo synoi të përmbushte programin madhor të Rilindjes Kombëtare Shqiptare në kushtet e Krizës Lindore të viteve 70 të shek. XIX, me kërkesat për njohjen e kombit shqiptar si një bashkësi e pandar, mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut dhe formimit të një shteti shqiptar autonom e demokratik. Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte e para organizatë kombëtare që krijoi degët e saj në të gjitha krahinat shqiptare dhe e para organizatë atdhetare që krahas pushkës, përdori edhe penën, për më tepër ajo arriti në fund të fitonte atribute të një qeverie të përkohshme shqiptare, pothuajse të pavarur nga Perandoria Osmane.

Në fazën e fundit dhe vendimtare të Qeverisë së Përkohshme në Prizren në luftë kundër Portës së Lartë nuk mundi të mbizotronte popullsinë e gjithë krahinave të Shqipërisë, për më tepër qëndrimi i lëkundur i feudalve, largimi i tyre nga Lidhja ishin shkak që edhe masat e gjëra të popullsisë që ishin nën ndikimin e tyre të qëndronin menjan në çastet më kritike e vendimtare të luftës, po ashtu në anën tjetër edhe faktori i jashtëm ndikoi negativisht në luftën e saj drejtë synimeve dhe programit të saj, sepse jo që kishte përball forcat osmane ajo fare nuk pat përkrahje dhe mbështetje nga faktori i jashtëm- ndërkombëtar. Ajo me pak fjalë për herë të parë sfidoi propotencën e Fuqive të Mëdha e agresivitetin e monarkive ballkanike dhe arrogancën e Portës së Lartë.

Gjatë viteve 1878-1881 u bënë hapa më të mëdhenjë se sa gjatë viteve të kaluara në ecurinë e bashkimit të shqiptarëve, pavarësisht nga dallimet fetare, përkatësia shoqërore, shpërndarja krahinore dhe përmbajtja politike në një bashkësi të vetme kombëtare. Me karakterin dhe vendosmërinë e saj trevjeçare, Lidhja e Prizrenit e përmbysi tezën që mbronin Fuqitë e Mëdha dhe shtetet fqinjë ballkanike, sipas së cilës mohohej ekzistenca e kombit shqiptar, ajo vërtetoi në shkallë ndërkombëtare se populli shqiptar ishte një komb i formuar, liridashës, atdhetar me aspiratat e veta dhe i vendosur për të krijuar shtetin e vet kombëtar. Në saje të Lidhjes së Prizrenit, çështja shqiptare hyri në arenën diplomatike ndërkombëtare si një nga çështjet e mbrehta të Ballkanit që kërkonte zgjidhje në çdo rregullim të ardhshëm të këtij gadishulli. Më në fund Lidhja e Prizrenit ndikoi mjaft në etapat e më vonshme të Lëvizjes Kombëtare, duke ju dhënë përvojë dhe mësime të rëndësishme shqiptarëve. Rëndësia dhe tradita e saj do të ruhet në shpirtat e patriotëve shqiptar dhe me të do të frymëzohen brezat e reja. Ajo do të shërbej si shembull se si duhet bashkuar forcat popullore në luftë për pavarësinë e vendit.

Çdo ngjarje e rëndësishme historike në të kaluarën tonë, ka karakterin dhe rëndësinë për të ardhmen për të kuptuar domethënien e saj e sidomos karakterin dhe rëndësinë historike, ja seç deklarohen disa anëtarë të Lidhjes Shqiptare për karakterin e saj kombëtar: ”Lidhja nuk ka për qëllim të luftoj as kundër Malit të Zi e as kundër Austrisë, Serbisë, Bullgarisë, Rusisë ose Greqisë, por do të njoftoj botën se Shqipëria është në një farë mënyre tokë me trashëgimtar dhe se sulltani nuk mund të nxjerr në treg asnjë pëllëmb të saj pa e marr pëlqimin e trashëgimtarëve të saj-shqiptarëve”.

Për të kuptuar e përforcuar qëndrimin e patriotëve shqiptarë ja edhe një fragment nga anëtarët e Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, drejtuar patriotëve shqiptar, ku pos tjerash thuhet:…”Ne dëshirojmë nxehtësisht të jetojmë në paqe me të gjithë fqinjët tanë. Ne nuk kërkojmë, nuk dëshirojmë asgjë prej tyre, por jemi krejtësisht të vendosur të mbrojmë me këmbëngulje çdo gjë që është e jona”. Kjo jep të kuptosh se Lidhja kishte një karakter mbrojtës e çlirimtar nga vendet grabitqare që donin si përbindësha ta coptonin këtë tokë e cila banohej me shqiptarë qysh prej kohëve të lashta. Lidhja e Prizrenit zë një vend të rëndësishëm në historinë e popullit shqiptarë. Ajo përfaqëson lëvizjen e parë masive shqiptare me karakter kombëtar gjithëpërfshirës për shtetformim dhe krijim të shtetit shqiptar. Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte organizata patriotike revolucionare më e rëndësishme që u krijua në Shqipëri gjatë shekujve të sundimit osman pas Epopesë Skenderbegiane dhe para Kuvendit të Vlorës më 1912. Karakterin patriotik Lidhjesë së Prizrenit ia dha lufta që ajo zhvilloi për mbrojtjen e të drejtave kombëtare shqiptare, kurse theksin revolucionar ia dha prirja për të përmbysur regjimin e huaj dhe për të krijuar shtetin demokratik shqiptar.

Edhe pse kjo platformë nuk u arrit por, ajo trasoi rrugën se mos sot, atëherë nesër kjo do të ndodh sepse këtë e kërkonte koha dhe rrethanat që po krijoheshin në radhë të parë brenda vet shqiptarëve për shkak një vetëdijesimi dhe emancipimi që kishte arritur populli dhe udhëheqësit e tij për shtet autonom dhe të pavarur, por edhe rrethanave të jashtme që u krijuan në krijimin dhe formimin e shteteve dhe kombeve fqinjë dhe të një përkrahje ndërkombëtare që filluan ta kenë për herë të parë shqiptarët që edhe ata të jenë të barabartë sikur të tjerët.

Përfundime

Nga ajo që kam shfletuar e lexuar për këtë ngjarje historike të popullit shqiptar lirisht vijmë në konkluzion se pa dyshim kjo ngjarje-Lidhja e Prizrenit është ndodhia më e madhe pas periudhës së Epokës së Skenderbeut e cila u bëri të qartë se tani e tutje kombi shqiptar dinë dhe ja del që edhe pse nën sundimin e huaj, të organizohet, mbron dhe lufton me të gjitha mjetet e mundshme si të armatosura, politike-diplomatike e gjerë te ato të shkruara për vendin që me shekuj ishte nën robëri dhe gjithnjë në mendjen dhe dëshirat e të huajve për ta coptuar dhe zhdukur nga faqja e dheut.

Pra, falë organizimit, luftës dhe punës së patriotëve shqiptar për herë të parë në këtë periudhë po ngjallet fryma e organizimit të mirëfilltë dhe vendosmërisë drejt çlirimit dhe autonomisë së Shqipërisë nga zgjedhja e huaj. Edhe pse kjo Lidhje nuk arriti t’i realizoj synimet e saj për arsye që janë të njohura, por kjo arriti që të jetë një përvojë dhe shkollë e madhe për shumë breza dhe gjenerata të tëra pas saj. Ajo arriti që çështjen shqiptare veçse ta futë në agjendën e Fuqive dhe vendimmarrësve të botës që duhej të zgjidhet sepse nuk do të ketë qetësi paformimin dhe zgjidhjen e kërkesave të shqiptarëve në Ballkan.

Vetë lufta e armatosur, organizimi dhe shtrirja e saj në gjitha krahinat e Shqipërisë jep të kuptohet se nuk mund të thuhet se Lidhja kishte karakter proturk e fetar, dhe se deshi ta ruaj sundimin Osman në Ballkan sepse po të ishte kështu atëherë ajo nuk do t’ja kthente pushkën dhe nuk do të luftonte kundër tyre. Lidhur me kohën dhe rrethanat që ndodhej vendi në këtë kohë, pa dyshim se patriotët donin të jenin në paqe me Perandorinë Osmane, sepse tani më e rëndësishme ishte që të mbrohej vendi dhe të luftonin kundër atyre vendeve që donin ta ripushtonin e coptonin tokat që i kishin lakmi. Me pak fjalë ajo ishte si një trup që i kishte rrënjët në tokën e vet, por degët donin t’ia prenin të tjerët që të mos lejonin të rriten dhe lulëzojnë, por prapë se prapë ajo arriti të vë bazat dhe frymën e një vetëdijesimi më të lartë të kombit tonë drejt çlirimit e formimit të shtetit në aspektin praktik dhe të vën bazën juridike që ai të njihet e përkrahet ndërkombëtarisht./rajonipress/

Ass. MA. Sefedin Rahimi Kandidat në Shkollën e Doktoraturës
Asistent i rregullt në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”&
Asistent i angazhuar në Universitetin Publik të Gjilanit “Kadri Zeka”

Literatura e konsultuar:

Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878-1912, Tiranë, 1978;
Akademia e Shkencave e Shqipërisë Instituti i Historisë, Historia e popullit shqiptar II, Rilindja Kombëtare vitet 30 të shek.XIX-1912, Botimet Toena, Tiranë, 2002;
Belegu Xhafer, Lidhja e Prizrenit dhe veprimet e saj, Tiranë, 1939;
Buda Aleks, Shkrime historike, Tiranë, 1989;
Castellan Georges, Histori e Ballkanit, Tiranë, 1991;
Frashëri Mehdi, Lidhja e Prizrenit dhe efektet diplomatike të saj, Tiranë, 1938;
Historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, Prizren, 2001;
Jelaëich Charles dhe Barbara, Themelimi i Shteteve Kombëtare të Ballkanit 1804-1920, Tiranë, 2004;
Malcom Neol, Kosova-Një histori e shkurtër, botimi i II, Prishtinë 2001;
Puto Arben, Historia diplomatike e çeshtjës shqiptare 1978-1926, Tiranë, 2003;
Rizaj Skender, Lidhja shqiptare e Prizrenit në dokumentet angleze, Prishtinë 1978;
Rizaj Skender, Dokumente angleze mbi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe fillimin e copëtimit të Ballkanit 1877-1885, I dhe II, Prishtinë, 1996;
Rizaj Skender , Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1877-1885, Prizren, 1998;
Rizaj Gazmend S., Shqipëria e sipërme 1800-1913, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2011;
Rexha Iljaz, Lidhja e Prizrenit në dokumentet osmane;
Rizvanolli Masar, Lidhja e Prizrenit, Prishtinë, 1978;
Rrahimi Shukri, Lufta e shqiptarëve për autonomi, Prishtinë, 1978;
Smaka Smajl, Historiografia shqiptare në tranzicion (Intervistë me akademik Kristo Frashërin), Prishtinë, 2006;
http://www.forumishqiptar.com/
http://wikipedia.org .

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.