Çka po u lëmë fëmijëve?
Nga Burim Ramadani – Gjeneratave të ardhshme ua kemi për obligim jetën më të mirë, jo borxhet tona! Alarmi për një shoqëri si kjo e jona ndërlidhet me nivelin e trajtimit të këtillë të fëmijëve. Familja, shoqëria dhe shteti duhet të fillojnë pashmangshëm zhvillimin e një niveli tjetër trajtimi për fëmijët e Kosovës. Kështu si jemi, po u lëmë fëmijëve borxhet e sistemit tonë të stërkequr!
Kur fëmijët pyesin për gjithçka dhe rreth çdo gjëje, përgjigjet jo tërë kohën janë të plota. Në shumë raste, edhe të pasakta. Vetëm e vetëm të tejkalohet sikleti i prindit për mosdijen e përgjigjes.
Këtë besoj e kanë përjetuar shumë njerëz. Këtë mënyrë e kanë përdorur për të kënaqur fëmijët në pyetjet e tyre të pandalshme. Porse, nuk besoj se e kanë bërë llogarinë mirë! Nuk besoj se e kanë menduar vërtetë se çka po ndikojnë në mendjen e fëmijëve!
Sipas hulumtimeve të shumta për zhvillimin dhe ndërtimin e karakterit të fëmijëve, ndikimi i prndërve tek fëmijët, sidomos në vitet e para të jetës, është vendimmtar. Fëmijët i kanë idol prindërit, përderisa përgjigjet që marrin nga ta janë të padiskutueshme në percepsionin e fëmijëve.
E tash, vetëm mendojini pasojat që i shkaktoni fëmijëve! Përgjigjet e pasakta janë vetëm një simbolikë e sjelljes jokorrekte ndaj fëmijëve! Janë një tregues negativ se sa kujdesen prindërit vërtetë për ndërtimin e jetës së trashëgimtarëve.
Dhe, pikërisht tek trashëgimia, nuk duhet parë në asnjë mënyrë vetëm aspektin material. Thelbi mbetet tek edukimi, karakteri, personaliteti dhe shpirtërorja. Tek e mira përballë të keqes. Tek pozitivja përballë negatives. Tek dashuria përballë urrejtjes.
Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, shteti dhe shoqëria kosovare duhet të mendojë seriozisht për jetën që po e krijon në Kosovë. Për fëmijët, për të ardhmen e tyre të plotë, prosperuese, humane dhe edukuese. Gjeneratave të ardhshme ua kemi për obligim jetën më të mirë, jo borxhet tona!
Dhe, cila është e vërteta jonë shtetërore dhe shoqërore? Çfarë kujdesi ofron shteti dhe shoqëria jonë për këtë?
Të drejtat e fëmijëve edhe më tutje mbeten synim jo i afërt për kosovarët. Abuzimi me fëmijë vazhdon të jetë në nivel të lartë. Manipulimi me fëmijët vazhdon të shkaktojë trauma të panumërta shoqërore.
Familja, shoqëria dhe shteti duhet të fillojnë pashmangshëm zhvillimin e një niveli tjetër trajtimi për fëmijët e Kosovës. Orientimi praktik i Kosovës kah demokracia perëndimore më së miri mund të shihet tek trajtimi i fëmijëve.
E, fatkeqësisht, kushtet e jetesës, zhvillimit, ndërtimit të personalitetit të fëmijëve në vendin tonë mbeten edhe më tutje të vështira, të padinjitetshme dhe mjaft negative. Shkollat kanë mbetur të pareformuara, arsimimi dhe edukimi kanë mbetur të pakoordinuara, ekonomia familjare është përkeqësuar, mundësitë për avancim të fëmijëve kanë mbetur krejtësisht të izoluara.
Asnjëherë deri më tash nuk është parë apo prekur një strategji gjithpërfshirëse kombëtare për avancimin e të drejtave dhe perspektivës së fëmijëve në Kosovë. Asnjëherë deri më tash nuk është parë apo prekur hapësira zhvillimore për personalitetin e fëmijëve kosovarë.
Përkundrazi, është dëshmuar pothuajse gjatë tërë kohës së fëmijët kanë mbetur të pa perspektivë, kur krejt shoqëria është e paperspektivë. Vlerat e një shoqërie zhvillohet më së miri tek moshat e reja. Por, në rastin tonë, këto vlera nuk mund të zhvillohen me familje të pa shpresë ekonomike, me familje që detyrojnë fëmijët të kthehen në lypsarë ‘profesionionistë’, me shoqëri që është stërkequr nga anti-vlerat, dhe me shtet që është kthyer në një gjysmë-kufomë korruptuese.
Alarmi për një shoqëri si kjo e jona ndërlidhet me nivelin e trajtimit të këtillë të fëmijëve.
Kështu si jemi, po u lëmë fëmijëve borxhet e sistemit tonë të stërkequr! Jo jetën më të mirë!


