Eko Higjiena

Përvjetori i 34 i demonstratave të vitit 1981

/ 12 minuta lexim
Uji Dea

Nga Mehmetali Rexhepi – Si përfundim i krejt këtyre ngjarjeve dramatike, gjithsesi Pranvera e Tetëdhjetë e Njëshit është kthesa epokale e shqiptarëve nën Jugosllavinë e AVNOJ-it.

Pas tre dhjetëvjetorëve të Demonstratave të Vitit 1981, mund të bëhet bilanci më i plotë: i peshës politike, i çmimit të jetës, i vlerësimit dhe i këndeve të pandriçuara për to, i përshpejtimit të ritmeve, dhe kahes që duhej të merrte ideja dhe veprimi kombëtar…
Pohimet e lojalistëve të “legales” së pushtetit, se Demonstratat e Njëmijë e Nëntëqind e Tetëdhjetë e Njëshit, qoftë kur e thoshin të shtyrë nga vartësit, ose duke pikënisur nga pozitat vetanake, se ato qenë “provokim” për rrezikimin e Federatës Jugosllave e, veçmas të shqiptarëve, krejtësisht inferiorë në atë rregullim federativ, se demonstratat qenë “të parakohshme”, “të dëmshme” e të ngjajshme, u tretën si vesa e mëngjesit në diellin e verës.

Edhe brenda funksionimit të Federatës Jugosllave, funksionuan klanet për mbizotërimin e drejtimit të ekonomisë e të politikës në Jugosllavi : klani serb dhe ai kroat-slloven.

Shqiptarët në këtë Federatë nuk kishin asgjë të përbashkët me ata që bënë kulmin e kësaj federate, pos luftës së përbashkët antifashiste, renditur në koalicionin botëror Antifashist, të viktimizuar e të martirizuar në mijëra, sidomos pas LDB-së, duke u bërë pre e fushatave të njëpasnjëshme të gjithë mandatarëve serbë dhe të tjerëve në shërbim të politikës serbe.

Lufta e Dytë Botërore, për më shumë se gjysmën e shqiptarëve, nuk solli çlirimin kombëtar të tyre. Kjo luftë si “shpërblim” për shqiptarët bëri copëzimin e tyre në katër subjekte politike administrative brenda federatës sllave.

Herë fshehur, herë hapur përbindëshi serb i Federatës, gjithnjë mëtoi gllabërimin e përbërësve të saj, sipas programimit fashist: aty ku është edhe një serb i vetëm, aty është Serbia. Kjo devizë puro çetnike serbe, do të sjellë gjakderdhjen, gjenocidin dhe krimin shtetëror në Kroaci, në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë.
*
Ku ndodheshin shqiptarët në vitet e shtatëdhjeta?”Lufta e ftoftë” mes NATO-s dhe Traktatit të Varshavës, në vitet e shtatëdhjeta të shekullit njëzet, mori frymë për shtendosje, ndonëse pushtimi i Çekosllovakisë në vitin 1968, riktheu dimrin rus në “Pranverën e Pragës.”

Rezistenca gjithë popullore prirë nga lëvizjet studentore, jo vetëm në Çekosllovaki, do të jetë faktori ndër-reflektues, i ndërsjell, për klimën ndikuese edhe tek ne, kur priteshin ndryshimet në amandamentet e Kushtetutës së Federatës dhe të njësive federale, po ashtu edhe të statusit të Kosovës që ishte nën Serbi.

Vetëdijësimi i shqiptarëve për ndryshimin e pozitës së tyre ishte tejet i penguar. Në këtë klimë, për t’iu dhënë kahe kërkesave drejt ndryshimit të statusit të Kosovës, ndodhi Njëmijë e Nëntëqind e Gjashtëdhjetë e Teta, jo në Pranverën e Pragës, por në Nëntorin e lirisë për shqiptarët.

Gjashtëdhjeteteta është pararendësja e artikulimit të kërkesave për barabarësi me popujt tjerë sllavë, për universitet, për përdorim institucional të shqipes, për simbolin kombëtar, e tjera, por nuk e zgjidhi dot qenien e statusit të republikës për shqiptarët. Andaj, barrën e përmasës kombëtare për zgjidhjen e statusit të republikës nën Federatë, pas katërmbëdhjetë vitesh, do ta merrte sivëllai i Gjashtëdhjetetetës Pranvera e Njëmijë e Nëntëqind e Tetëdhjetë e Njëshit.

Rikthimin në periudhën e diskutimeve kushtetuese, të një frymëmarrjeje më liberale, pas pezullimit të diktaturës së Rankoviqit, Titoja po mëtonte ta arrinte përmes barazpeshës mes klaneve të papajtueshme: serbëve me satelitët e tyre dhe kroatë-sllovenëve. Përfaqësuesit “legal” të shqiptarëve në shtetin jugosllav, nuk e patën guximin që të prinin në kuvendet e komunave të Kosovës, madje edhe në Preshevë e Bujanoc, që të këmbëngulej për kërkesën legjitime të ngritjes së statusit të Kosovës në status të republikës brenda Federatës Jugosllave.

*
Përkeqësimi i gjendjes ekonomike-sociale në Kosovë, si shkak dhe pasojë e shfrytëzimit nga Beogradi, kurdisja e fushatave ndaj akëcilit personalitet kombëtar, fletarrestet e vazhdueshme politike, qasjet paragjykuese, që nga Akademia e Shkencave e Serbisë deri tek fshatarët e rëndomtë serbë, viktimizimet për etiketime pastaj ndjekjet policore, kthimi në arkivole të mbyllura i të rinjve shqiptarë nga ushtria jugosllave, trumbetimi në medie i urrejtjes, shpifjet sistematike të politikajve, të medieve të shkruara e pamore, ngritën diskursin e paragjykimit, që do ta derdhin me mllefin e gjenocidit në dy dhjetëvjetorët vijues të viteve 1981-1999.

Degradimi dhe zhveshja e Autonomisë së Kosovës të njëmijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e katrës deri në skeletin e saj, pashmangshëm zgjuan intelegjencën e re shqiptare për gjetjen e mënyrës paqësore të kryengritjes…

Tashti “ilegalja” jolojale ndaj strukturave të shtetit e pushtetit mori rolin jetik: për jetë a vdekje! Gjiri i popullit nxori profilin e ideatorëve të vet. Modeli i këtij profili, Adem Demaçi ishte prangosur me dekada, por fryma e idesë së tij gjallëronte. Ideatorë tjerë të veprimit të idesë së Demaçit do ta shtresojnë strumbullarin kombëtar: Ukshin Hoti, Rexhep Mala, Hydajet Hyseni…

Ndërsa Tahir e Nebih Meha 13 Majin e Sigurimit jugosllav, do ta shqyejnë me krismat e pushkëve e të gjakut të tyre në epopenë e Prekazit…

Në ballë të Demonstratave të Tetëdhjetë e Njëshit doli rinia studentore dhe nxënësit. Lëvizja studentore, të cilën historiani patriot, akademik Ali Hadri e quajti “Lulja e Kosovës”.

FIDANISHTJA

Përmbysja simbolike e tabakut të ushqimit në kuzhinën e studentëve të Universitetit të Prishtinës, do të jetë gjëma e nismës së një përmbysjeje të paralajmëruar të ngrehinës tiranike. Lëvizja studentore e Universitetit të Prishtinës do të jetë promotorja e Demonstratave të Pranverës së vitit 1981, tashmë viti i përgjakjes historike, dhe u zgjerua duke u shtrirë në tërë Kosovën dhe në trojet shqiptare në Tetovë të Maqedonisë, në Preshevë, në Bujanoc, në Ulqin e gjetiu.

Demonstratat burimin e kishin te gjendja e pakënaqshme sociale dhe pozita nënshtruese e shqiptarëve. Përmbajtja e tyre tërësisht paqësore u shtyp, ngase përballja me policinë e Serbisë dhe njësitet e policisë federale, i shndërruan demonstratat në kryengritje të përgjakshme. Gjithsesi në këtë kryengritje spikati tipari heroik i të rinjve dhe të rejave tona, duke ua hapur gjokset djaloshare plumbave e gazit lotsjellës.

Fyerjet nga qarqet politike, represioni tejet i vrazhdë i policisë, demonstratat e qeta i shpien në një kryengritje të pabarabartë gjithpopullore, që gjithsesi tronditi Jugosllavinë dhe Evropën. Mediet botërore kthyen shikimin kah një pikë e ndrydhur që quhej Kosovë. Megjithatë, përqendrimi tjetër i diplomacisë Euro-Amerikane ishin portet e Polonisë, përkatësisht Lëvizja Sindikale “Solidarnost”, prirë nga Leh Valensa.
*
Pranverën e përgjakshme të vitit 1981, e karakterizoi përmasa gjithpërfshirëse, ndaj pikërisht kjo rrethanë ua humbi logjikën e gjakftohtësisë shtetarëve jugosllavë. Në tubimet e ethshme të partisë shtet, ngjarjet e Tetëdhjetëenjëshit u përkufizuan me togfjalëshat famëkeq, si “kundërrevolucion”, “separatizëm”, “irredentizëm” e izma tjerë.

Ishin të vështira rrethanat për tu përballuar të tëra ato gara të përditshme etiketuese, fyese e kërcënuese, e një propagande të shfrenuar, e cila do ta kishte cakun e vet tejet tragjik, siç e pati, jo më shumë se dy dhjetarë më vonë, kur u zbatua gjenocidi që do ta ndërprejë UÇK-ja dhe Aleanca Veri-Atlantike e NATO-s, në qershor të vitit 1999.

Autoritetet e klanit serb e kishin humbur fare logjikën dhe etikën njerëzore në mësymjet e tyre, ngase kërkuan, gjykuan, shqiptuan dhe zbatuan masat policore e gjyqësore drakonike, tipike mesjetare. Për prijësit, organizatorët e përkrahësit e Demonstratave u shqiptuan shekuj vite burgimi! Qindra-mijëra shqiptarë u pezulluan nga vendet e tyre të punës. Qindra-mijëra tjerë morën rrugët e mërgimit…

Krahas pasojave për shqiptarët, Demonstratat e Tetëdhjetë e Njëshit në sytë e botës ia nxorën bojën “idilës jugosllave”, “të mirëqenies e barazisë” mes kombeve e kombësive të Jugosllavisë(?)

Si përfundim i krejt këtyre ngjarjeve dramatike, gjithsesi Pranvera e Tetëdhjetëenjëshit është kthesa epokale e shqiptarëve nën Jugosllavinë e AVNOJ-it.
*
Pas Njëmijëenëntëqindetetëdhjetëenjëshit, statusi etnik e politik i shqiptarëve skajshmërisht u trazua nga politika policore… Marrëdhëniet ndëretnike i helmoi politika shoveniste serbe. Në çdo aspekt të veprimtarisë institucionale e publike, kuadrot shqiptare këqyreshin me sy zhbirues, gjithkah, në çdo kënd vigjëlonte syri dhe veshi i dyshimit, i përgjimit, përcjellja nga hafijet si hije, censurohej fjala publike, programet arsimore dhe identiteti… Ndjekja u bë një veprimtari fitimprurëse, lulëzoi gojëtaria diferencuese, hapeshin dyert për dëbime masive, ndërsa frika e kapjes për prangosje i solli gjumit të natës ankthin e pagjumësisë.

Diferencimi dhe përzgjedhja negative, si dhe pezullimi nga detyrat me peshë publike, do të jetë lëndë e përditshme e trajtesave të gazetarisë denoncuese.

Posaçërisht gjuha diferencuese, si një ogur i zi, kalëroi në fushën e edukimit e të arsimit shqip. Diferencimi dhe diferencuesit hapnin taborre: pro et contra. Kush përfaqëson, anon, mbështet, simpatizon a mëshirohet për vijën “irredentiste”, “separatiste”, “armiqësore” e kësolloj formulash gërryese dhe, kush është besnik për zbatimin e direktivave të LKJ-së fantome ?! Në këtë mes nuk lejoheshin qasjet e papërcaktuara.

Përmes këtij procesi totalitar vihej në sprovë karakteri njerëzor, vartësia sociale e kryefamiljarëve e kushtëzuar nga një politikë e panatyrshme. Thika diferencuese ishte e mprehtë, përqarëse, mjet i ftohjes mes shokëve e miqve, ngase mëtoi ndarjet, prishjet dhe nënshtrimin. Në vorbullën e këtij procesi famëkeq, pati të atillë që u ligështuan, por dhe nga të tillët që “taktizuan”. Akëcilët, ata që visheshin me demagogji, si mburojë e paskëshin zgjedhur heshtjen, ndonëse heshtja atëbotë nuk mund të ishte kapak i argjentë.

Më të shumtët arsimues shqiptarë, nuk lejuan që t’iu njollosej dinjiteti njerëzor, etik e kombëtar.

Kategoria e dinjitarëve arsimorë do ta përjetojë edhe sprovën tjetër të radhës, dëbimin dhe mbylljen e shkollave shqipe nga okupatori. Por fal vokacionit atdhedashës të tyre, misionin e shenjtë për arsimimin e brezave, do ta vijojnë në gjirin e popullit, në “shtëpitë shkolla”.
*
Ideatorët, prijatarët, bartësit e organizatorët e Tetëdhjetëenjëshit, posaçërisht ata që mbijetuan ferrin burgjeve të okupatorit, por dhe sakrifikuesit që ranë, në sytë e brezave “morën nam me gjak në ballë.”

Tetëdhjetëenjëshi, si kudo në Kosovë, Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Preshevë, Bujanoc, në Kumanovë, në Ulqin e në Gjilan, në Gjermani, Zvicër e Belgjikë, ngriti tiparet e dëshmorëve dhe të dinjitarëve tanë, si: Metush Krasniqi, Adem Demaçi, Ukshin Hoti, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Rexhep Mala, Hydajet Hyseni… Këto figura do të bëheshin modele e shembëlltyra të adhuruara, natyrisht në Kosovë, në rrethe të mbyllura, por në qindra e mijëra zemra …

Këto modele joshëse frymëzuan të tjerë personazhe për tu identifikuar me një shpirtgjerësi të atillë, çfarë e patën ata e ia falën idealit të çlirimit e bashkimit… Ata ranë, por nuk duhej të këputeshin hallkat e vijimësisë…
*
Tetëdhjetëenjëshi solli një moral të paparë deri atëherë, mal-breza përmasash shëmbëllese të burgosurish politikë… Dhe ai moral nuk u shua asnjëherë përkundër masave represive. Ky moral kultivoi shpirtin solidar, ndërsa aktin e flijimit e shpuri në lartësinë e kultit…
Të tëra grupimet e kësaj periudhe, me ngjyrime të jashtme: të majta a të djathta, në brendinë e tyre nuk kishin tjetërçka, përpos zgjidhjes së çështjes shqiptare të pazgjidhur. Prandaj, këto figura të flijueshme do të jenë hallka të forta për t’i lidhur brezat e mësymjeve kombëtare: Nacional-Demokratikën me Gjashtëdhjetëetetën, Gjashtëdhjetëetetën me Tetëdhjetëenjëshin, Tetëdhjetëenjëshin me Nëntëdhjetëeshtatën e UÇK-së dhe UÇK-në me koalicionin Veri-Atlantik të NATO-s e rendin demokratik të Perëndimit. Gjilan, (rifreskuar) më 2 prill 2015./rajonipress/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.