Ramadan Arifi, piktori që flet me simbolikën e shpirtit që e kthen ngjyrën në kujtesë dhe simbol
Gjilan – Në hapësirën e artit pamor kosovar, ku ngjyra shpesh kërkon kuptim e forma synon identitet, krijimtaria e piktorit gjilanas Ramadan Arifi shfaqet si një gjuhë e veçantë vizuale, e ndërtuar mbi përvojë, përkatësi dhe simbolikë të thellë etnike. Ai nuk pikturon thjesht pamje, por ndërton univers artistik ku ngjyra flet, forma rrëfen dhe heshtja bart peshë historike. I formuar akademikisht dhe i pranishëm në ekspozita e sallone arti, Ramadan Arifi përfaqëson tipin e artistit që nuk ndjek modën, por ndërton gjuhën e vet shprehëse. Piktura e tij nuk kërkon shpjegime të shpejta, por lexim të përqendruar, nuk imponohet, por mbetet në mendje. Ajo fton shikuesin të ndalet, të mendojë dhe të ndiejë.
Me një qasje të qetë, por konceptualisht të ngarkuar, Arifi ka arritur të formësojë një profil krijues të dallueshëm, ku peizazhi, shqiponja, çerdhja dhe kontrastet e forta kromatike shndërrohen në shenja identitare dhe metafora të qëndrueshmërisë njerëzore e kombëtare.
Vepra e tij është dialog mes reales dhe simbolikes, mes kujtesës kolektive dhe ndjeshmërisë personale, mes dhimbjes së përjetuar dhe shpresës së pikturuar.
I formuar akademikisht dhe i pranishëm në ekspozita e sallone arti, Ramadan Arifi përfaqëson tipin e artistit që nuk ndjek modën, por ndërton gjuhën e vet shprehëse. Piktura e tij nuk kërkon shpjegime të shpejta, por lexim të përqendruar, nuk imponohet, por mbetet në mendje. Ajo fton shikuesin të ndalet, të mendojë dhe të ndiejë.
Në këtë kontekst, krijimtaria e Arifit nuk është vetëm akt estetik, por edhe akt dëshmie, ku arti shndërrohet në kujtesë vizuale dhe në përpjekje për ta ruajtur thelbin identitar nëpërmjet penelit.
Paraqitjet e artistit figurativ, profesor Ramadan Arifi, në mjedise galerish, për njohësit dhe shijuesit e artit pamor, lënë mbresa të thella dhe të qëndrueshme. Vlerësuesit profesionalë të krijimtarisë së tij figurative-pamore kanë spikatur vazhdimisht tematikën konstante të frymëzimeve artistike: pamjet (peizazhet), shqiponjat dhe çerdhet, mënyrat e veçanta të trajtimit të kontrasteve kromatike, si dhe idetë e përmbajtura që realizohen me përputhshmëri të plotë ndërmjet synimit estetik dhe ekzekutimit artistik.
Është një konstatim i pashmangshëm se te piktori Arifi, burimi prej nga rrjedhin motivet e kapura, përmes shikimit dhe lëvizjes së ngjyrave, gjendet në shkathtësinë e dorës së tij, në përvojën dhe disiplinën krijuese që e karakterizon këtë artist.
Identiteti krijues dhe profili stilistik
Tematika më e shqiptuar e këtij profili krijues përfaqëson një identitet unik të përkatësisë artistike të piktorit dhe të stilit të pikturës së tij. Ky identitet nuk është rastësor, por i ndërtuar gradualisht përmes një procesi të gjatë reflektimi, kërkimi dhe përkushtimi ndaj simbolikës etnike dhe përmbajtjes shpirtërore të veprës.
Duke kundruar pamjet fillestare të natyrës, frymëmarrjet dhe frymë-dhëniet e relievit në vizatimet dhe pikturat që trajtojnë motive dhe dromca motivesh, vërejmë lëvizje të fuqishme dritë-hijesh: të zezën e nuancuar brenda së zezës, të kaltrën e pakufishme të qiellit, të verdhën dhe të kuqen që shfaqen si akorde emocionale të përzgjedhura me kujdes.
Në vijimësi, veçmas në ciklet e tablove më të reja, simbolikës së ngjyrave i shtohet mbizotërimi i së zezës, e baraspeshuar dhe e tensionuar nga prania e së kuqes, një raport që shndërrohet në bosht estetik dhe filozofik të veprës.
Evoluimi stilistik dhe dilemat e shprehjes
Te pikturat e Ramadan Arifit hasim një evoluim të qartë stilistik të figuracionit; bie dukshëm në sy dendësimi motivues i dy ngjyrave të theksuara. Pyetja që lind natyrshëm është: pse ndodh kjo në pamjet dhe vijëzimet ideore të piktorit?
Kjo dukuri mund të shihet si një përpjekje për harmonizimin e përmbajtjeve të simbolikës artistike me zbërthimin e tyre përmes pamjeve të jetës. Megjithatë, as qasja e parë dhe as dyshimi i dytë nuk të shpien menjëherë në përfundimin e duhur.
Sepse arti që mbyllet në gjuhën e ndërvarur të komunikimit me shikuesin dhe shijuesin, rrezikon të rrëshqasë në një abstraksion të pakapshëm. Pikërisht këtu shfaqen dilemat e artistit: si të mbetet vetvetja dhe njëkohësisht t’i flasë tjetrit?
Autori i pamjeve, megjithatë, mban mbi vete përgjegjësinë krijuese për depërtim përtej së rëndomtës, me penelin e tij, nga realiteti drejt simbolikës së ngjyrave, drejt diçkaje më të thellë se e dukshmja dhe e pashija estetike.
E zeza dhe e kuqja, lajtmotivi i dhimbjes kolektive
Thelbi i punimeve të artistit pamor Ramadan Arifi është ngjizja e figurave artistike në të zezën dhe të kuqen e gjakut një lajtmotiv i ngërthyer që zbërthen dhimbjen, vuajtjen njerëzore, pësimet dhe tragjiken etnike përgjatë një trinije ekzistenciale.
E brendshmja e këtyre dy ngjyrave zotëruese përfaqëson fatin dhe variantet e tij në veprim, fatin kombëtar dhe njerëzor, gjithnjë të shprehur përmes figurave me të cilat mund të identifikohemi në çdo mjedis të globit, pa përjashtuar përbërësit universalë të përjetimit njerëzor.
Pamje, tablo dhe cikle domethënëse
Në botën figurative të artistit Arifi, përmes gjymtyrëve të shkëputura të një tërësie të dhimbshme gjymtuese, shohim rrjedha dhe vija të kuqe gjaku mbi të zezën e dendësuar, por e kuqja nuk arrin ta mbulojë të zezën. Këtë e dëshmojnë qartë pikturat si: “Krahët e plagosur”, “Rikthimi në vatër”, “E zeza e përskuqur”, tablotë “Sogjetimi i shqiponjës”, “Syri i trembur”, vizatimet e triptikut “Ritmika e çerdheve”, si dhe piktura “Shqiponja mbi vezët e trashëgimisë”, ndër shumë të tjera.
Diskursi kritik i përqaset këtyre motiveve duke i lexuar ato si dëshmi të një universi artistik që kërkon shpjegim përtej sipërfaqes.
Universi i brendshëm i ngjyrave
Kaltërsia mbetet e ftohtë pa diellin. Duke shikuar me “sytë e mendjes” mbi të zezën, shfaqen rrathë qarkullues nuancash, ku brenda së zezës nuk mbaron pamja e figurës. Variacionet e nuancave synojnë shkrirjen e errësirës – një univers drite që pret shpërthimin.
Në këtë opus vijëzohet një truall autentik, i mbërthyer nga trysni që prodhojnë ndjeshmëri plagësh përmes ngjyrash të forta. Pikturat shprehen me ekspresivitet gjysmë real dhe gjysmë imagjinar, duke krijuar përshtypjen e një ndjeshmërie të fshehtë, të përpunuar në syprina, por që depërton thellë në ide.
Qëndresa, tragjikja dhe filozofia e artit
Ciklet e këtyre pikturave dëshmojnë për një përpjekje të vazhdueshme për zbulimin e thelbësores: ngjyrat e pleksura shpalosin synime jetike për rikthimin e bukurisë së rrëmbyer, përmes një filozofie të vullnetit ekzistencial.
Tablotë përshkohen nga reflektime të qëndresës, edhe kur paraqesin plagë dhe gjymtyrë të këputura. Çdo detaj bart një kumt: dhimbje, vuajtje, krenari, shpresë për rigjenerim dhe rikompozim. Disa nga këto elemente i shohim, të tjerat i përfytyrojmë.
Dialektika e jetës dhe artit
Punimet e piktorit Arifi shquhen për shkakun ekzistencial dhe pasojën ekzistenciale. Gjymtyrët gjysmake mëtojnë rikthimin e tërësisë trupore, ndërsa e zeza dhe e kuqja përjetësohen si dy shtylla të filozofisë së tij artistike.
Motivet e shqiponjës dhe çerdheve, të kërcënuara nga rrethana armiqësore, përfaqësojnë një metaforë të fuqishme të jetës dhe mbijetesës: fluturimi pa një krah, kanosja nga gjarpri, rreziku i urisë dhe tragjedia e pashmangshme. Kjo është dialektika e jetës dhe e artit, e zbërthyer nga Ramadan Arifi në një përjetësi artistike të qëndrueshme dhe domethënëse./rajonipress/


