Arta Dobroshi – e para dhe vetmja deri tash
Një emër që e vlen të shkruhet shumë më shumë se për ata të shou-bizit. E ne, jo që nuk shkruajmë, por edhe thuajse e harrojmë. E, në anën tjetër, dimë të krenohemi me sukseset e saj. Është kjo aktorja jonë, me emrin e njohur edhe ndërkombëtar, Arta Dobroshi, e cila, veç është shpallur ndër dhjetë aktoret më të mira të Evropës.
Është e para dhe deri tash e vetmja që ka shkelur mbi qilimin e kuq të Festivalit të filmit në Kanë, në Berlin, e festivale të tjerë ndërkombëtar.
Kishte dominuar si aktorja më e mirë e Festivalit të Kanës, në vitin 2008. Po atë vit, nga Programi për Zhvillim i Kombeve (UNDP), është zgjedhur si ambasadore e vullnetit të mirë për Kosovën. Ishin mahnitur të gjithë nga puna bamirëse që Arta kishte bërë. Kishte besim se personaliteti i saj do të ndihmonte në ngritjen e vetëdijesimit për shumë çështje.
Kjo aktore e madhe shqiptare, me emër të njohur edhe në botën e filmit ndërkombëtar, me shumë role në filma të huaj, si asnjë shqiptare tjetër, me shumë shpërblime për role brilante të saj, me emrin Arta Dobroshi, ku është sot?
E dimë se ajo, pa dyshim, është e ngarkuar me punë, projekte të mëdha në botën e filmit, por pse nuk është e pranishme sa edhe e meriton në mediumet tona?


