Uji Dea

Kombi i shumë shtetësive

/ 13 minuta lexim
ARKATANA

Nga Blerim Reka – Nuk kemi nevojë për shpjegime se kush jemi: as nga krijuesit e “kombit kosovar”, as nga monopolistët e kombit shqiptar. Shumë më tepër ka nevojë për shpjegimin e vonesës sonë kronike historike: pse të fundit u ndamë nga Porta, të fundit nga komunizmi dhe të fundit jemi sot në trajektoren drejt Brukselit?

Shqiptarët po përmbyllin edhe një vit të vështirë. Të ndarë, por me probleme të njëjta. Si shqiptarë me pesë shtetësi në Ballkan dhe me shumë të tjera në botë. Pa agjendë kombëtare, ndonëse të kufizuar me vetveten. Pak nga frika nga gjykimi i ndërkombëtarëve, po aq edhe nga mungesa e vizionit dhe të lidershipit. Sa nga gjykimi i të huajve, po aq edhe nga dilemat e vet shqiptarëve. Qoftë nga ideatorët e “kombit kosovar” në Prishtinë; apo nga monopolistët e kombit shqiptar në Tiranë. Harrojnë se bashkimi kombëtar nuk varet vetëm nga ta. As Prishtina e as Tirana nuk mbajnë tapinë e kombit, as që atje merret vula e shqiptarisë, aq më pak jepet certifikata kombëtare. Ajo fitohet me lindje. Shqiptar lind, pa marrë parasysh shtetësinë që e ke. Shtetësia, si lidhje juridike me shtetin, fitohet e humbet. Në disa shtete edhe blihet, diku edhe fitohet me lotari, por jo edhe kombi. Kombi mbetet lidhja e natyrshme me etninë. Shtetësia është e përkohshme dhe formale. Kombi është i përhershëm dhe real. Shumë shtete janë zhdukur, por nuk di ende për ndonjë komb të humbur. Dy shtetet shqiptare i lidhi historia, por i ndau gjeografia. Ato i kanë të përbashkëta: përmbajtjen (kombin) dhe formën (shtetkrijimin ndërkombëtar: Londër, 1913; Ahtisari, 2007). Një shekull, pra, diplomacia ndërkombëtare eksperimentoi me zgjidhje të komplikuara shtetërore, për çështje të thjeshta kombëtare. Madje gjatë 25 vjetëve të fundit vazhdon me modelin jofunksional të shteteve shumetnike në Ballkanin e pas luftës, i cili vetëm arriti ta ndalte luftën, por nuk eliminoi burimet e luftës. Kuptohet, bashkësia ndërkombëtare nuk lejon krijimin e shtetkombeve në Ballkan, edhe pse është e qartë se dy çështje kombëtare, ajo shqiptare dhe ajo serbe, mbeten sfidat e stabilitetit rajonal. Mbyllja e tyre mund ta sjellë paqen e Ballkanit. Vetëm kështu do të pajtoheshin gjeografia me historinë.

Edhe ky vit që po e përcjellim, dëshmoi se shqiptarëve vazhdon t’u mungojë një program politik kombëtar, sikur edhe një elitë politike kombëtare. Kishim e kemi me bollëk programe krahinore dhe lidership e klanore. Patëm dhe ka elita partiake, por jo një elitë kombëtare. Krerët e partive u riktheheshin premtimeve patriotike elektorale, vetëm një herë në çdo katër vjet, në të gjitha trojet shqiptare. Por këto premtime kishin afat skadim të shkurtër: vetëm 24 orë pas shpalljes së rezultateve elektorale. Pas zgjedhjeve, tenderokracia, zëvendësonte patriokracinë. Vazhdonin pastaj strategjitë partiake dhe jo ato kombëtare. Prandaj edhe kemi suficit partish dhe deficit adhtetarie. Jo rastësisht ishim pavarësuar të fundit në Ballkan. Atëherë nga dilema si të ndahemi nga Porta? Më vonë, të fundit ishim ndarë dhe nga komunizmi. Sot jemi në fund të trajektores drejt Brukselit. Mali i Zi, vetëm dy vjet shtet më i vjetër se Kosova, hapi 26 kaptina gjatë tre vjetëve negociuese për anëtarësim me BE dhe është para anëtarësimit në NATO. Aty, fatmirësisht, është Shqipëria tash e tetë vjet, por po aq priti deri në rekomandimin e kushtëzuar për fillim negociatash me BE-në. Shqiptarët në Kosovë e Maqedoni mbetën jashtë NATO-s dhe BE-së. Ata të Maqedonisë, ndonëse një e treta e popullatës, ende nuk siguruan as statusin e 5 % të serbëve të Kosovës. As të 50 mijë tatarëve në Rumaninë 21 milionëshe, ku javën e kaluar përfaqësuesja e kësaj pakice u zgjodh kryeministresh, e ku president është përfaqësuesi i pakicës gjermane prej 5 % të popullsisë. Në Maqedoni, ndërkaq: Presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit mbeten edhe më tutje poste të ndaluara për shqiptarët. Bashkëkombësit tanë në Luginës së Preshevës edhe sivjet mbetën peng i një rrugëtimi të pasigurt evropian të Serbisë, shkaku i politikës: “Edhe BE, edhe Rusi”. Kroacia këtë muaj e bllokoi hapjen e negociatave të reja anëtarësuese për Serbinë, kurse Komisioni Evropian i kërkoi mbylljen e “Bazës Humanitare” ruse në Nish.

Muri i Mitrovicës, ndarja e luftës së re të ftohtë ballkanike?

Ndonëse kontesti historik është krejtësisht i ndryshëm, madje edhe për një Gjermani, procesi integrues evropian ishte rruga drejt sovranizimit të saj unifikues kombëtar. Ish-presidenti gjerman Von Weizcacker kishte paralajmëruar: “Çështja gjermane mbetet e hapur, për aq sa mbetet e mbyllur Porta e Brandenburgut” (që ndante Berlinin). Sot Gjermania është lokomotiva e BE-së, e unifikuar kombëtarisht e shtetërisht, por vetëm pas shembjes së murit të Berlinit. Ndërkaq në Kosovë, gati tri dekada nga shembja e këtij muri, serbët sivjet ngritën “Murin e Mitrovicës”, duke e lënë të hapur jo vetëm çështjen e Mitrovicës, por duke mbajtur peng edhe fatin euroatlantik të Kosovës. Mitrovica mbetet kështu qyteti i fundit i ndarë në Evropën e pasluftës së ftohtë, kurse Kosova së bashku me Qipron konfliktet e ngrira evropiane. Muri serb në Mitrovicë inauguroi fillimin e vendosjes së zonave të influencës ruse në Ballkanin e një lufte të re të ftohtë. Serbët e ngritën këtë mur në ditët kur Lavrovi në Beograd, kërkoi status diplomatik për bazën ruse në Nish. Jashtë këtij konteksti gjeopolitik, për vetë Kosovën, mosunifikimi i Mitrovicës dhe mos-sovranizimi i 25 % të tërësisë territoriale të Kosovës, nesër mund të jetë pengesë në negociatat e saj anëtarësuese me BE-në. Po aq sa për Serbinë Kushtetuta e saj virtuale me “Kosovën- serbe”. Prandaj ishte iniciuar para pesë vjetësh “Dialogu i Brukselit”, me një formulim të farkëtuar me kujdes: “normalizim” i marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit. Por rezultatet e këtij dialogu nuk korresponduan me atë që nënshkruhej: zajednica, demarkacioni, kodi telefonik, vërtetimet e udhëtimit, heqja e barrikadave mbi Ibër… Skenat e bllokadës së mërgimtarëve tanë në kufirin Kroaci – Serbi në fund të këtij muaji flasin vetë. Jo çdo rezultat i këtij dialogu është i pranueshëm për Kosovën. Jo çdo që nënshkruan Beogradi implementohet. Por, ky proces negociator është i vetmi që së paku po vazhdon tash e pesë vjet. Fundja, nuk mund të fajësohet Brukseli, por ajo çka është negociuar në Bruksel. Brukseli vetëm ndërmjetëson atë që merren vesh Prishtina e Beogradi. Si çdo negociatë që nuk ka fitimtarë e humbës, por vetëm kompromise, as ky dialog nuk duhet shikuar si destinacion i fundit, por si një nga stacionet për të arritur në atë destinacion final. Cila është alternativa e këtij dialogu? Pas dështimit të dy paraprakëve: atij në Rambuje (1999) dhe atij në Vjenë (2005-2007), Brukseli për momentin mbetet trajektorja e vetme që po vazhdon. Fundja, derisa në Rambuje Beogradi nuk pranoi as edhe “autonominë e lartë të Kosovës nën Serbi”, ndërsa në Vjenë kundërshtoi pavarësinë e saj, sot në Bruksel Serbia po negocion me përfaqësuesit shtetërorë të Republikës së Kosovës. Dialogu i Brukselit mbetet rruga kushtëzuese si për Prishtinën po aq edhe për Beogradin. Një kapixhik për përgatitjen e rrugës për anëtarësimin e Kosovës në OKB.

KKVITI

Win-Win epilpogu: Kosova në OKB, Serbia në BE

Çka ka lidhje tash Brukseli me Nju Jorkun? Përgjigjen e dha sivjet kancelarja Merkel, me kushtëzimin e Beogradit për njohjen e Kosovës. Ajo qartë tërhoqi vijën e kuqe: Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE pa anëtarësimin e Kosovës në OKB. Kjo kuptohet nuk do të ndodhë tash, por para përfundimit të negociatave të Serbisë me BE, sepse Brukseli nuk pranon anëtarë të rinj me probleme të vjetra. Aq më pak një anëtar të ri, i cili me Kushtetutë jashtë realitetit ende e pretendon: “Kosovën brenda Serbisë”. Këtë do ta kuptoj Serbia kur do të hapen kaptinat negociuese për: marrëdhëniet me jashtë, kufijtë, fqinjësinë e mirë etj; atëherë, pra, kur do të ndodhin bllokadat e radhës në rrugën e saj drejt BE-së. Para përfundimit të këtij procesi negociator, Serbia do të detyrohet ta njohë Republikën e Kosovës, nëse vërtet dëshiron anëtarësim në BE. Njohja e Kosovës nga Beogradi do t’ia marrë argumentin e fundit Moskës në Këshillin e Sigurimit për ta bllokuar anëtarësimin e saj në OKB. ShBA-ja këtë muaj dha shembullin e sjelljes parimore të një anëtari të “pesëshes së madhe” në KS, duke u përmbajtur (pa përdorur veton) ndaj Rezolutës për ndalimin e ndërtimeve izraelite në Palestinë. Amerikanët e bënë këtë përkundër aleancës tradicionale me Izraelin. Nuk besoj se aleanca ruso-serbe është më e fuqishme se ajo amerikano-izraelite. As Rusia nuk mund të jetë më serbe se vetë Serbia, sidomos nëse kjo e fundit do ta njohë shtetin që deri vonë me Kushtetutë e trajtonte “pjesë të saj”. Pas kësaj, Rusia në Këshillin e Sigurimit nuk do të mund të këmbëngulë në bllokimin e Kosovës; siç ta zëmë po e bën Kina në raport me Tajvanin, të cilën e konsideron pjesë të integritetit të saj territorial. Nuk di se Kosova ndonjëherë të ketë qenë pjesë e Rusisë?! Rusia këtë bllokadë ndaj Kosovës më shumë e bën si një lloj tregtimi që njohjen e Kosovës ta kundërkëmbejë me njohjen nga Perëndimi të ankesimit të Krimesë, ashtu siç Putini, sivjet e kishte formuluar: “Nëse Perëndimi e njohu të drejtën e vetëvendosjes së Kosovës, pse të mos e njeh edhe vetëvendosjen e Krimesë?” Kështu, avancimi i Kosovës në procesin integrues me BE-në dhe në dialogun e Brukselit mbetet e vetmja rrugë drejt OKB-së, sepse edhe zgjerimi i BE-së ishte dhe mbeti një proces gjeopolitik dhe më pak teknik. Teknikja ishte vetëm pjesa kushtetuese e gjeopolitikës. Zgjerimi vendosi një rend unifikues evropian të vlerave, bazuar mbi parimet dhe standardet e civilizimit perëndimor si dhe një gjeostrategji të re pas Luftës së Dytë Botërore. Ndërkaq pas Luftës së Ftohtë edhe një kufi të qartë gjeopolitik karshi Rusisë. Sa largpamëse ishte kjo strategji, po shihet më së miri sot, me afrimin e Rusisë në kufijtë lindorë të Bashkimit Evropian. Nuk ka nevojë të shpjegohet se çfarë do të ndodhte nëse BE-ja dhe NATO-ja nuk do të zgjeroheshin në: Baltik, Poloni e në Detin e Zi? Ata që mbetën jashtë orbitës së BE-së, si: Gjeorgjia e Ukraina, (dje) apo Moldavia, (nesër), e paguan, apo mund ta paguajnë shtrenjtë këtë mbyllje të dyerve të Brukselit. Lënia e Ballkanit Perëndimor jashtë BE-së dhe NATO-s, po aq do të mund ta kërcënonte rajonin nga Rusia, me pretendimet e saj për Ballkanin si një “terra nullius”. Sidomos vitet e fundit, pas gjuhës gjithnjë e më agresive të Moskës kundër zgjerimit të BE-së dhe të NATO-s në Ballkan. Ku do të ishte sot Kosova po të mos kishte intervenuar NATO-ja më 1999 NATO, (në ditët e fundit të Jelcinit në krye të Rusisë)? Apo, të mos e shpallë pavarësinë në shkurt të 2008-s, (disa muaj para invadimeve të Putinit në Gjeorgji, e më vonë në Krime e Siri)?

Korrupsioni kërcënon jo vetëm ekonominë, por edhe sigurinë

Avancimi i marrëdhënieve Kosovë – BE me kalimin nga faza e asociuar në atë të kandidatit, duhet të jetë kryeprioritet i politikës së jashtme të Republikës së Kosovës, sepse mbetja e Kosovës në një vakuum gjeopolitik do të mund të mbushej lehtë pastaj nga kërcënimet verilindore (Rusia) dhe nga ato juglindore (ISIS). Po si të arrihet kjo, në rrethanat e një status-quo në procesin e zgjerimit? Marrëdhëniet e gjertanishme të Kosovës me BE-në ishin me specifike nga raportet që i kishte BE-ja me shtetet e tjera të rajonit. Deri në nënshkrimin e MSA-s, Kosova edhe nuk kishte relacione kontraktuale me BE-në si shtetet e tjera. Sot ajo është në procesin e Stabilizim Asocimit, të cilin fqinjët e saj e kishin filluar para 15 vjetësh. Kosova ende nuk ka regjim të lirë qarkullimi me BE, të cilin shtetet për rreth e kishin realizuar para 10 vjetësh. Vetëkuptohet doktrina e neutralitetit të Këshillit Evropian, me bllokadën e pesë shteteve anëtare të tij, ndikoi në ngadalësimin e procesit integrues të Kosovës. Po aq sa edhe bllokadat e brendshme në Kosovë. Integrimi në BE është proces dykahësh: në njërën anë nevojitet konsensusi i shteteve anëtare për ta mbështetur kandidaturën e një shteti për anëtar të ri, në anën tjetër kërkohet vullneti politik dhe kapaciteti administrativ, i atij shteti për t’i përmbushur kriteret e Kopenhagës dhe atë të Madridit. Sa i përket drejtimit të parë, shihet se Brukseli, para vitit 2021, nuk planifikon të pranojë anëtar të ri nga rajoni. Por, as shtetet e rajonit nuk duket se janë të përgatitura që deri atëherë ta plotësojnë kahen e dytë të kësaj trajektoreje. Në Bruksel, madje pakoja e ardhshme e zgjerimit e Komisionit Evropian do të publikohet tek pas dy vjetësh (2018), ndërkaq që as konkluzionet e Këshillit Evropian për zgjerim nuk ishin aprovuar para dy javësh. Kosova është me fat që është brenda politikës së zgjerimit dhe jo të asaj të fqinjësisë evropiane. Holanda sivjet e kundërshtoi ratifikimin e Traktatit BE-Ukrainë, me kërkesën shprehimore që Ukraina të mos konsiderohet anëtari e ardhshme e BE-së. Por, gjetja brenda perdes së BE-së nuk garanton edhe anëtarësimin automatik. Sidomos jo për Kosovën, pa ofruar prova bindëse për sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit. Pse korrupsioni qenka kaq i rrezikshëm? Sepse në botën e kompanive multinacionale me aksionarë anonimë, ai në Ballkan mund të ketë jo vetëm pasoja ekonomike të brendshme, por po aq edhe ndërkombëtare sigurie. Skenat televizive të këtij dhjetori të cisternave të Kosovës duke u furnizuar me naftë ruse në Mitrovicën e Veriut, apo ato të mëhershme për “ndihmat humanitare” nga lindja e Mesme, më së miri dëshmojnë ku mund të shpijnë mungesa e sundimit të ligjit dhe mosluftimi i korrupsionit.

(Ky shkrim është shkruar enkas për numrin festiv të gazetës “Epoka e re”)