ARKATANA

Sulmohet kryetari i AGK-së, Zekirja Shabani, mohohet nga Sejdi Demiri

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Zekirja Shabani, është sulmuar fizikisht të hënën, nga pronari i gazetës “Tribuna”, Sejdi Demiri. Shabani, në një prononcim për Telegrafin ka sqaruar arsyet e sulmit ndaj tij, nga ana e Demirit, duke thënë se krejt kjo ka rrjedhë pas publikimit të lajmit se ai do ta padis gazetën “Tribuna” për moszbatim të kontratës.

“Më ka ftuar pronari për ta nënshkruar vendimin për largim nga puna, i cili vendim ka qenë ne kundërshtim me kontratën të cilën e kam nënshkruar. Pasi unë kam refuzuar që ta nënshkruaj largimin nga puna, ai më ka sulmuar (më ka ofenduar, pastaj edhe me ka kapur për fyti)”, ka thënë Shabani për Telegrafin.

Ai më tutje ka sqaruar se e ka denoncuar rastin në Polici, si kanosje, ndërsa prokurori i rastit – sipas tij – është Enver Krasniqi.

“Kjo tregon për pasigurinë e gazetarëve, tash edhe në vendet e punës. Gazetarët janë të pasigurt për ta ushtruar profesionin në mënyrë të lirë”, ka shtuar Shabani. /Telegrafi/
————————————————-

Sejdi Demiri: Nuk e sulmova fizikisht Zekirja Shabanin, është shpifje e rëndë

Në një prononcim për Indeksonline, Sejdi Demiri mohon kategorikisht ta ketë sulmuar Shabanin.
Pas raportimeve se Zekirja Shabani është sulmuar fizikisht nga pronari i gazetës Tribuna, Sejdi Demiri, ka reaguar ky i fundit.

Në një prononcim për Indeksonline, Sejdi Demiri mohon kategorikisht ta ketë sulmuar Shabanin. Ai thotë se kjo është shpifje e rëndë.

“Krejt çka kam bërë është njoftimi që Zekirja Shabanit i shkëputët marrëdhënie e punës mbi bazën e shumë arsyeve, duke filluar nga ato profesionale. Dhe ky njoftim ka shkaktuar reaksion të zoti Shabani i cili është sjellë në mënyrë të vrazhdë dhe ka fyer rëndë”, ka thënë Demiri.

Sipas tij, ai më pas i ka kërkuar Shabanit që t’ia lirojë zyrën dhe këtu është përmbyllur gjithçka.

“Aty kishte dhe dëshmitarë të cilët e kanë parë zotin Shabani të dali në mënyrë krejt normale nga zyra”.

Tutje Demiri thotë se ka konsideratë dhe respekt për Zekirja Shabanin si gazetarë, por ajo çfarë ka thënë ai është absolutisht e pavërtetë.

“Kjo çfarë ka ndodhur të premten në konferencën për media të AGK-së dhe ngjarja e sotme tregon qëllimin e keq të segmente të caktuara politike dhe mediale për të dëmtuar Tribunën”, ka thënë Demiri, duke shtuar se do të kujdesët për veprime ligjore lidhur me publikimin e shpifjeve të vazhdueshme në adresë të gazetës së tij dhe atij personalisht. /Indeksonline/

Hidromorava

——————————————–

AGK dënon sulmin ndaj kryetarit Zekirja Shabani

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shpreh shqetësim për sulmin fizik ndaj kryetarit të AGK-së, Zekirja Shabanit nga pronari i gazetës “Tribuna”, Sejdi Demiri.
AGK me shqetësim ka marr lajmin se sot kolegu Zekirja Shabani, redaktor i ekonomisë në të përditshmen “Tribuna”, është sulmuar fizikisht në vendin e tij të punës si dhe është sharë dhe fyer në formën më banale nga pronari i kësaj të përditshmeje.

Ngjarja ka ndodhur pasi redaktori Shabani ka refuzuar të nënshkruajë vendimin për largim nga puna që i është ofruar nga drejtuesit e gazetës, në kundërshtim me kontratën e tij valide dhe me Ligjin e Punës.

Ky sulm, vjen disa ditë pasi kolegu Shabani njoftoi e do ta padisë “Tribunën” për shkelje të kontratës dhe vonesë të dhënies së pagave.

Rasti i sulmit ndaj kryetarit të AGK-së tashmë është hapur në polici si kanosje.

AGK kërkon nga organet e rendit që ta ndriçojnë sa më parë këtë rast dhe që sulmuesi të vihet para drejtësisë, përderisa paralajmëron se do të angazhojë avokatin e AGK-së, bazuar në marrëveshjen e arritur ditë më parë mes AGK-së dhe Zyrën e Avokatisë “Partners.

AGK konsideron se në një vend ku sulmohet kryetari i zgjedhur i komunitetit të gazetarëve, njëherësh redaktori i një gazete, për shkak të ngritjes së zërit ndaj padrejtësive që i bëhen në vendin e punës, dëshmon për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhen gazetarët dhe për shkeljen e të drejtave të tyre njerëzore e profesionale në Kosovë. /Telegrafi/
—————————————–

Merret në pyetje pronari i Tribunës që sulmoi gazetarin Zekirja Shabani

Sipas burimeve të Telegrafit, pronari i gazetës Tribuna, Sejdi Demiri, është duke u marrë në pyetje nga Policia e Kosovës.
Deri tek kjo ka ardhur pasi pronari Demiri ka sulmuar fizikisht redaktorin e ekonomisë së kësaj gazete dhe njëkohësisht kryetarin e Asosacionit të Gazetarëve të Kosovës, Zekirja Shabanin.

Ky i fundit ditë më parë kishte ngritur një padi kundër pronarit të gazetës për mos kryerjen e detyrimeve financiare ndaj gazetarëve për më shumë se dy muaj. /Telegrafi/