Bojkoti opozitar e bën Kuvendin oazë korrupsioni
Kapja e shtetit po njeh edhe një thellim të radhës. Funksionimi institucional rrezikohet nga mungesa e opozitës
Analistët kërkojnë që opozita të jetë në Kuvend dhe me ashpërsinë më të madhe të ushtrojë ndikimin e vet pozitiv, në mbikëqyrjen e Qeverisë dhe të institucioneve të tjera vartëse, e të mos lejojë degradimin e mëtejshëm, aferat korruptive…
Derisa subjektet politike opozitare po e diskutojnë edhe metodën e bojkotimit pa kufi të punës së Kuvendit, si variantin e fundit të presionit ndaj koalicionit qeverisës, për ta bindur atë që të pajtohet me kërkesën e zgjedhjeve të parakohshme, analistët politikë konsiderojnë se një formë e tillë e abstenimit nga punimet e Kuvendit të Kosovës më shumë e dëmton interesin e vetë subjekteve politike opozitare, interesin e përgjithshëm qytetar dhe dëmton kauzën për të ndikuar në më shumë punë transparente të institucioneve të shtetit.
Sipas tyre, bojkotimi i plotë i Kuvendit nga opozita, për pasojë do të ketë humbjen e plotë të kontrollit mbi punën e Qeverisë dhe të agjencive të ndryshme të pavarura, që i përgjigjen Kuvendit, duke i lënë ato vetëm nën kontrollin e pozitës së korruptuar, do të krijohet mundësi akoma më e madhe e shtimit të mundësive për abuzime, instalim akoma më të fuqishëm të krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Për të pamundësuar këto fenomene, që të marrin përmasa të pakontrollueshme, analistët kërkojnë që opozita të jetë në Kuvend dhe me ashpërsinë më të madhe të ushtrojë ndikimin e vet pozitiv, në mbikëqyrjen e Qeverisë dhe të institucioneve të tjera vartëse./kosova sot/


