Llashtica përuron monumentin “Tri Shkronjat e Arta të UÇK-së”, ftohen qytetarët të marrin pjesë në ceremoninë solemne
Gjilan – Fshati Llashticë i Komunës së Gjilanit do të jetë mikpritës i ceremonisë solemne të përurimit të monumentit “Tri Shkronjat e Arta të UÇK-së”, një projekt kushtuar luftës çlirimtare dhe vlerave të lirisë, i realizuar falë mbështetjes së donatorëve vendorë dhe mërgatës.
Sipas njoftimit të organizatorëve, ceremonia do të mbahet më 29 korrik 2026 (e mërkurë), duke filluar nga ora 18:00, në Llashticë. Monumenti është ngritur me kontributin e banorëve të fshatit, donatorëve, kompanive dhe bashkatdhetarëve në diasporë, të cilët kanë mbështetur realizimin e këtij projekti përkujtimor.
Organizatorët kanë ftuar qytetarët, familjet e dëshmorëve dhe martirëve, veteranët dhe invalidët e luftës, përfaqësuesit e institucioneve, mediat, bizneset, si dhe mysafirët nga të gjitha trevat shqiptare që të marrin pjesë në këtë ngjarje, në shenjë nderimi për sakrificën dhe idealin e luftës për liri.
Pas ceremonisë së përurimit, për të pranishmit do të organizohet një program artistik dhe një koktej rasti.
Organizimin e kësaj veprimtarie e kanë marrë përsipër Naser Ibishi, Bedredin Selimi, Azem Hyseni dhe Erduan Banushi, të cilët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe në këtë ngjarje me karakter përkujtimor dhe kombëtar./rajonipress/


