Fundamenti

Hiqeni UÇK-në nga politika ditore!

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Nga Milaim Shefkiu – Polarizimet politike në Kosovë kanë shkuar aq larg, saqë kanë prekur edhe pikën më të dobët të shqiptarëve, aty ku për 17 vjetët e kaluara janë krenuar si komb. Një vlerë ndoshta e vetmja, më e madhja dhe më e kapërcyeshmja e historisë së shekullit të kaluar, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka filluar të përbaltet, të devalvohet, të shkatërrohet nga njerëzit e vet. Malin nuk e dëmton sëpata pa bisht. Në këtë rast, njerëzit që dikur e bënë revolucionin, ose që u gjetën brenda revolucionit, sot janë bërë protagonistë të shkatërrimit të asaj vlere.

Ka disa muaj që protagonistët e luftës përplasen ndërmjet vete për çështjen e pushtetit. Ditëve të fundit shkuan aq larg, saqë UÇK-në, që ishte (dhe vazhdon të jetë) substanca e Shtetit të Kosovës, disa “axhami” po e shndërrojnë ndoshta edhe aksidentalisht në një grup kaçakësh, ku secili është munduar për t’ia ngulur njëri-tjetrit. Të gjithë e dinë se nuk ka qenë ashtu, prandaj mos luani ping-pong me luftën dhe vlerat e saj.

Është jo e natyrshme dhe joetike, që çështjet fundamentale të kombit të përdoren si instrument për realizimin e ambicieve politike. Kur i sheh ish-guerilët e UÇK-së duke u shtyrë me bërryla se kush ka luftuar më shumë e kush më pak, më kujtohet një roman i Arif Demollit “Ante Portas”, ku secili fshatar bënte përpjekje për të hyrë në histori. Por, kushti ishte që ta kishin gjyshin gjallë dhe t’i këndohej një këngë me sharki.

Në këtë rast, Thaçi, Veseli, Haliti, Haradinaj, Selimi, Lushtaku, Geci… e shumë të tjerë flasin se kush e ka pasur më shumë shok komandantin legjendar Adem Jasharin.

Secili nga këta, kur i dëgjon, kanë nga një rrëfim epik në vete, sepse edhe lufta e UÇK-së ka qenë epike, për nga përmasat. Në këtë rast nuk po flas me folklorizëm apo hiperbolë, sepse secili ka merita, dikush më shumë e dikush më pak, për lirinë e Kosovës. Mirëpo, që ajo pjesë e historisë të mbetet e paprekshme duhet të lihet anash, sidomos nga ata që merren me politikën ditore, me diplomaci, me qeverisje e me pushtet.

FIDANISHTJA

Lufta ka qenë e të gjithëve, por edhe dëshmorët janë të të gjithëve, janë të Kosovës.

Shteti sot mund të ketë nevojë për ata që kanë bërë dikur revolucionin, sepse nëse atëherë ata kanë qenë të zhdërvjelltë të luftojnë për liri, sot mund të jenë të dobishëm për procesin integrues të Kosovës. Ajo që kërkohet sot, 17 vjet pas luftës dhe 19 vjet pas daljes së UÇK-së në skenë, që partitë politike të kenë program të qartë për zhvillim e integrim dhe jo të kthehen mbrapa.

Është e turpshme për të kërkuar vota në emër të UÇK-së dhe familjeve të dëshmorëve e në anën tjetër veteranët e luftës të jetojnë në raste sociale.

Kjo nuk vlen vetëm për partitë politike që kanë bagazh luftën, por edhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës si parti e paqes. Ata sot e gjithë ditën thirren në filozofinë Rugoviane, a presidentin historik, Ibrahim Rugova, e përkujtojnë vetëm në ditën kur ka vdekur. Kjo nënkupton se filozofia Rugoviane nuk jeton më në realitet, por vetëm kur janë zgjedhjet.

Për të gjitha partitë politike edhe për individët vlen i njëjti parim, se lufta e UÇK-së, komandanti legjendar Adem Jashari, dëshmorët dhe presidenti Ibrahim Rugova i takojnë të kaluarës, i takojnë historisë dhe Kosovës. Nuk duhet të shfrytëzohen kurrë për realizimin e qëllimeve politike. Politika është ditore, dëshmorët dhe lufta janë të përjetshme. Nuk guxojnë të baltosen.