Etrit Berisha “hajmalia” e Lazios
Kur luan Etrit Berisha, Lazio ka shumë shanse që të marrë rezultat pozitiv. Këtë e thonë statistikat. Portieri i Kombëtares shqiptare u sjell fat bardhekaltërve, pasi në tetë ndeshjet e fundit që ka qenë në katërkëndëshin e portës ekipi i tij nuk pëson humbje.
Humbjen e fundit me Berishën në portë, Lacio e ka në datën 30 gusht, kur u mund 4-0 nga Chievo.
Nga ajo humbje, Berisha është aktivizuar si titullar (dhe si zëvendësues) në tetë ndeshje të tjera dhe ka koleksionuar 6 fitore dhe dy barazime.
Fitorja më e madhe është ajo ndaj Interit, ku Lazio arriti të triumfonte 2-1. Interi është një rival i pëlqyer i Berishës, pasi edhe një sezon më parë arriti që të triumfonte ndaj zikaltërve.
Gardiani i portës kuqezi është aktivizuar më shumë në sfidat e Europa Ligës, ku Lacio pati shumë sukses duke siguruar kualifikimin për në raundin tjetër. Ndërkohë, edhe në Kupën e Italisë, Berisha arriti që të koleksiononte fitore me Udinesen.


