Gjini akuzon Kurtin për krizën: Nuk deshi ta shmangte kaosin dhe zgjedhjet
Kryetari i Aleancës Ardian Gjini, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Kuvendin e Kosovës dhe protestave para institucioneve.
Përmes një postimi në Facebook, Gjini ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se qëllimisht ka çuar vendin drejt një krize politike, duke thënë se prej qershorit AAK-ja kishte paralajmëruar se ai do të kërkonte zgjedhje.
Sipas tij, Kurti ka mbyllur të gjitha mundësitë për dalje nga bllokada politike, ndërsa mosvotimin e Gjykatës Speciale nga Vetëvendosje në vitin 2015 e ka cilësuar si “oportunizëm të pastër”.
“Gjykata Speciale është thelbi i arsyes se pse Kurti është në pushtet”, ka shkruar Gjini. /IndeksOnline/
Postimi i plotë:
Kurti mbase është i vetmi politikan shqiptar që me çdo qelizë të trurit e trupit të tij e ka dashur këtë gjykatë.
Mosvotimi i gjykatës nga ana e Vetëvendosjes në vitin 2015 ka qenë oportunizëm i pastër e jo bindje e ndonjë natyre.
Po që kanë qenë të bindur se partitë në pushtetin e atëhershëm do ta votojnë. Prandaj vet abstenuan.
Në fakt, Gjykata Speciale është thelbi i arsyes se pse Kurti është në pushtet.
Që prej qershorit, Aleanca iu ka paralajmëruar se Kurti do prap zgjedhje.
I ka mbyllur vet të gjitha opsionet për të dalur nga bllokada politike.
Nuk e ka marrë parasysh ofertën e Aleancës, e ka poshtëruar me plot qëllim Lidhjen Demokratike dhe së fundi luajti me Partinë Demokratike.
Përndryshe nuk do kishte pritur deri sot për ta votuar në parim ligjin. Do ta kishte bërë më herët.
Përndryshe nuk do t’i fuste 22 projektligje në procedurë të përshpejtuar sot.
Përndryshe nuk do ta kushtëzonte fare votimin e ligjit për Gjykatën Speciale me votimin e presidentit.
Nëse vërtet dëshironte t’i shmangte zgjedhjet, win-win ka pasur. Por nuk deshi.
Që prej qershorit lojën e fajësimit e ka luajtur.
Mund t’iu them se iu kemi paralajmëruar.
E tash?
Shohim gaz lotsjellës e krisma në sheshin kryesor të kryeqytetit, kundër vlerave tona të lirisë.
Po nesër?
Vetëvendosje e pyet Gjykatën Kushtetuese nëse Albulena mund t’i shpall zgjedhjet.
Ky është kaos i programuar nga Kurti i cili nuk e do krijesën që e udhëheq, e që është Republika e pavarur e lirë dhe demokratike e Kosovës.
Ky nuk i do as njerëzit që e duan e që e votojnë. Ndërsa, tjerët i urren.
Por Kosova jonë nuk do të shkatërrohet. Do t’i mbijetojë edhe kësaj krize.
Do ta mbijetojë edhe Kurtin dhe kastën e tij të keqbërësve.


