Lulja e shkëmbit – 6 poezi nga libri, me 23 mijë vargje, “Kanuni poetik”
Dashuria fshehë shumë të vërteta, pjesë të jetës që ne po i jetojmë, pyes, sa dashuri njeriu guxon t´i, dashurojë! Zemra heshtë dhe s´flet
Shpirt, e dua një takim me buzët
tua, me aromën tënde prej gruaje
e ndiej shikimin e të pathënave tua
e dua një takim pse jo, trup me trup
Muza ime nuk më lë pa të dashur
ajo më sjellë atë që shpirti i fshehë
kam pagjumësi për më të dashurat
femrat i kam dobësi të mos i puthi
Të përqafuar sipër barit me vesë
më pëlqen festa e plazheve në det
netët e verës me hënë më çmendin
kur në krahë kam Lulen e Shkëmbit!..
MALL DASHURIE
Gruaja që erdhi pa trokitur te unë
në shpirt ma ndezi mua një qiri
jam shija e gjithë kësaj natyre
dhe flakën e ndezur ma la në gji
Ndarja me atë grua që e desha
më la flakë dëshpërimi, zbrazëti
gruaja e asaj mbrëmje ishte e
veçantë, një e lindur për dashuri
Me atë grua unë e treta një natë
ta dëboja s´merrja dot vendim
vetes unë i flisnja me ngadale
por ajo grua kishte hyrë në mua
Gruas së asaj mbrëmje buzët i
këndonin. Mishi i saj qé i butë
ajo i ngjante një ylli të argjendtë
që vetëm bio e jetës di ta krijojë!..
SHI NË KËNETË
Një e dashur e bukur ma sjellë lirinë
ajo s´lejon të ma zë udhën mërzia
në betejat më përvlimtare me jetën
arti më ndihmon të jem një i fituar
Të krijosh poezi pa përparëse çasti
të krijosh poezi nga më të nxehtat e
kohës, poeti e do rremin e muzës
Që ëndrra ime të lundron me mua
Lea, ka vite që s´kujdesem për vete
Unë dhe poeti bëjmë luftën e ditës
Poshtë premtimi i atyre që po vijnë
Poshtë lavdia e atyre që po shkojnë
Në cilën kohë je natyrë e vjetëruar
uji kënetës te rrënxat është thartuar
njalat kanë ikur, s´duken gjëkundi
muzika e shiut në kënetë s´dëgjohet!..
NËN HIJE TË NATËS
Në Kosovë kam dëshirë të dashuroj
dhe s´di nga më vjen tërë kjo dëshirë
shpirt, kohën e kemi të mjaftueshme
por asgjë nga ëndrrat nuk të premtoj
Endrita më quajnë, jam pak e dehur
a do që ta gatuaj një bukë me susam
në dashuri askush s´e humbë lirinë
unë dashurinë e dua për kënaqësinë
I bukur është atdheu kur ke të dashur
i dashur është atdheu kur dashuroimë
çastet që s´kanë kujtesë më pëlqejnë
në krah të poezisë kam qejf të pushoj
Në këtë tokë të urtë e të lavdishme
poet, merrja të pashkruarën shpirtit
Kosovën e dua si gruan më të bukur
se aty ndjehem vërtetë i përjetësuar!..
KAFE ME DIJEN
Midis vrapimit dhe fluturimit lart
a e di se çfarë vesi krijon dhimbja
vetja ime i do shumë epërsitë, dhe
ajo më njeh sa jam i dashuruar
Eh, sa jetë më ka mbetur prapa
dhe nuk di ende si ta zgjidhi atë
s´jam i vetëm që vuaj n´këtë jetë
ka të tjerë, dhe të tjerë, e të tjerë
Misioni im në poezi është poetik
një e folur e ujit, e ajrit, e diellit
me dritë të kohës i mprehi vargjet
me dritë të kohës mbushi poezinë
Në mua ende ka vend për vuajtje
ende ka vend për dhimbje, dhe
për lot të shprehur, e të pathënë
i thoja Dijes tek po pinim kafenë
E T N O R I
Kjo botë ëndërrisht e ashpër
kjo botë ëndërrisht pa prehje
ka shumë fytyra të pas-hijeve
balada të fshehura mes mureve
Në procesin e krijimeve artistike
marrin pjesë të gjitha shqisat
trimosh nga jeta e përditshme
dhe trimosh nga ndjesitë tona
Ky atdhé i të gjallëve të sotëm
nuk i frikohet shiut, as stuhive
I frikohet zogjëve që ikin larg
dhe atyre që s´dinë të kthehet
Kjo botë ëndërrishte ashpër, ka
një biografi vërtetë të tragjizuar
për të shkuarën e saj të rëndë
dhe për gjeniun e forcës së erës!..
Rrustem Geci – Dortmund, 2015


