Kosova e rrezikuar nga terrorizmi, tre të rinj kapen në kufi me Sirinë
Derisa media ndërkombëtare me më ndikim si ajo britanike “The Telegraph” publikoi hartën e shteteve të rrezikuara nga terrorizmi, ku Kosova identifikohet si shumë e rrezikuar, dhe kur Perëndimi ka rritur masat e sigurisë, tre të rinj kosovarë janë kapur në kufi me Sirinë nga autoritetet turke për t’u kthyer më pas në Kosovë.
Policia i ka arrestuar të dielën Tahir Isufin, 29-vjeçar nga rrethina e Mitrovicës, Ismajl Zenelin, 21-vjeçar nga Sllatina e Vushtrrisë, si dhe Nora Zuzakun, 20-vjeçare nga Gjilani, të cilët ditë më parë e kishin kaluar kufirin e Hanit të Elezit dhe përmes aeroportit të Shkupit kishin udhëtuar për në Stamboll prej nga edhe janë kthyer pas dhe janë arrestuar në pikën kufitare të Hanit të Elezit.
Arrestimi i tyre është bërë pas bashkëpunimit të Kosovës me autoritetet turke, të cilat i kanë ndaluar këta tre qytetarë të Kosovës për t’i kthyer pas. Ata tashmë po hetohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës. e cila edhe ka kërkuar që tre të ndaluarit e së dielës të mbahen nën masën e ndalimit policor./zeri/


