Sokol Haziri: Komuna e Gjilanit po i lë pas dore bizneset eksportuese në Livoq
Gjilan – Aleanca – Dega në Gjilan, përmes kryetarit Sokol Haziri, ka shprehur shqetësim për mungesën e investimeve infrastrukturore në mbështetje të bizneseve eksportuese në Livoq, duke kërkuar nga Komuna e Gjilanit asfaltimin e një rruge prej rreth 200 metrash, e cila u mundëson këtyre bizneseve qasjen në rrugën kryesore.
Në reagimin publik, Haziri ka vlerësuar se mungesa e investimeve infrastrukturore përbën neglizhencë institucionale ndaj bizneseve që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të punës dhe promovimin e produkteve të Kosovës në tregjet e jashtme.
Sipas Aleancës, është e papranueshme që komuna të mos arrijë të asfaltojë një segment të tillë rrugor, i cili shërben për lidhjen e bizneseve me rrugën kryesore. Në reagim theksohet se kjo çështje nuk lidhet vetëm me infrastrukturën, por edhe me mënyrën se si institucionet lokale i trajtojnë bizneset që investojnë dhe zhvillojnë veprimtarinë e tyre në komunë.
Haziri ka kritikuar gjithashtu mospërmbushjen e premtimeve të fushatës, duke vlerësuar se mungesa e investimeve infrastrukturore, krahas politikave ekonomike që, sipas tij, i vendosin bizneset në disavantazh, mund të ndikojë negativisht në marrëdhëniet me partnerët afaristë dhe në imazhin e Gjilanit e të Kosovës si destinacione për investime.
Në reagim, Aleanca thekson se bizneset duhet të trajtohen si partnerë të zhvillimit ekonomik dhe jo si barrë për komunën. Sipas kësaj partie, ato meritojnë kushte të përshtatshme për ushtrimin e veprimtarisë, si dhe mundësi për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese dhe eksportuese.
Për këtë arsye, Aleanca – Dega në Gjilan, përmes kryetarit Sokol Haziri, i ka bërë thirrje komunës që të ndërmarrë masa konkrete dhe pa vonesa për asfaltimin e rrugës në Livoq, si dhe të tregojë kujdes më të madh ndaj bizneseve në këtë zonë dhe bizneseve të tjera që operojnë në territorin e komunës.
Në përfundim të reagimit, Haziri ka theksuar se Gjilanit i nevojitet një qeverisje që përmbush premtimet, mbështet prodhuesit dhe krijon kushte për zhvillim ekonomik, në vend që bizneset të përballen të vetme me problemet që, sipas Aleancës, duhet të zgjidhen nga institucionet./rajonipress/

