UBT

Promovohet libri “Urat e Arbërit” i Francesco Altimari

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Prof. Altimari sjell “Urat…” e komunikimit ndërshqiptar.“Urat” si metaforë e simbolikë përdoren shpesh në art e letërsi, por në studimet me standard shkencor për historinë dhe kulturën e kombit shqiptar zbulimi dhe rizbulimi i “urave” ndërlidhëse të komunikimit e ndikimit mes trojeve të ndara nga luftërat, pushtimet, shpërnguljet dhe kufijtë nuk është aq i thjeshtë dhe i kollajtë.

Prof. Francesco Altimari, përmes librit të tij më të ri “Urat e Arbërit” ka arritur ta bëjë këtë. Instituti Italian i Kulturës në Tiranë në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Naimi”, organizuan në Panairin e Librit, promovimin e veprës më të re të autorit profesorit të njohur arbëresh. Lidhur me vlerat e librit, pas përshëndetjes së drejtores së Institutit Italian të Kulturës, znj. Adriana Frisenna, kumtuan prof. Kolec Topalli, prof. Matteo Mandalà, prof. Sadik Bejko si edhe drejtore e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani.

Sipas studiuesve, libri “Urat e Arbërit” i prof. Altimarit, botim i bibliotekës albanologjike “Naimi” përbën një ngjarje për kulturën shqiptare, referuar kontributit të madh që autori ka sjellë në studimet albanologjike. Falë këtyre studimeve të reja, u shpreh prof. Sadik Bejko, Rilindja Kombëtare shqiptare rezulton t’i kete fillesat shumë kohë më parë se sa kishim kujtuar e shkruar: “urat” që ndërtuan arbëreshët ringjallën kombin shqiptar.
“Urat e Arbërit, jo vetëm në këtë libër, por në gjithë kërkimet dhe botimet e këtij shkencëtari, -shkruan prof. Shaban Sinani në parathënie të librit,- do të mund të ishte rrethi përkufizues brenda të cilit do të gjendeshin si brenda një projekti studimet e botuara prej tij, projektet e drejtuara, veprat që njohim dhe ato që do të njohim në të ardhmen: urat e Arbërit kryemot, ashtu siç e kishin gjithë rilindësit, por arbëreshët më së shumti; urat e Arbërit të kryehershëm, kur bota shqiptare fatmirësisht zhvillohej hap më hap me gjithë vendet e pellgut ndër- e mbi-Adriatik; urat e Arbërit para-otoman, me përndritjen humaniste të epokës së mendimit më të hershëm europeist. …Dhe, natyrisht, urat e Arbërit të mbijetuar, urat e botës arbëreshe, të shumëfishta mes tyre: ura që ndërlidhin shekujt, ura që ndërlidhin arbëreshët e Sicilisë dhe ata të Kalabrisë, ura që lidhin arbëreshë e arvanitë dhe pastaj këta së bashku me kujtimin e një patria poesis, ura që bashkojnë pararilindjen me Rilindjen, ura në të cilat shtegtojnë edhe sot si kalorës të një urdhri ndriçimtar De Rada, Migjeni, I. Kadare dhe M. Camaj; ura përbashkuese të shqipes së autorëve më të vjetër arbëreshe me autorët klasikë të Veriut shqiptar; ura ekumenizmi që ndehen krenarisht e drejtpeshojnë njësinë shqiptare përmbi heterogjenitetin e proceseve historike, kulturore e fetare.

Ndër shenjat më të vjetra – sot simbol i një Europe të njësuar – ura duhet të jetë një kryeshenjë që ka lidhje jo vetëm me letërsinë dhe traditën kulturore, por dhe me vetë etnotipin e një kombi. Duke ia spikatur e certifikuar këtë shenjë shkencës shqiptare dhe lexuesve të saj, përkundër monumentalizimit tradicional të kështjellës krenare vetëruajtëse, Francesco Altimari e emancipon këtë dije metodologjikisht dhe si mendësi, e çliron prej gjithfarë kufijsh që, ndonëse ideologjikisht janë refuzuar, vazhdojnë të kenë fuqi veprimi pengues.

Nëse kufijtë e atdheut shkojnë deri në atë thellësi ku shkon prekja me gjuhën e tjetrit dhe deri në atë gjerësi ku sapientia hermeneutica nuk ka punë, mund të thuhet se ky dijetar ia ka arritur të formësojë pa bujë dhe pa patetikë pikërisht ngushtësinë e shumë kategorive limes që shkenca shqiptare i ka pasur”.

Ndërsa prof. Matteo Mandala vuri në dukje se në studimet për veprën e De Radës sërish nyja themelore njësuese është ura: urat midis romantizmit europian, bajronizmit, dhe veprës së poetit; urat midis shekullit të iluminizmit gjuhësor dhe shekullit të iluminizmit kombëtar; urat midis letërsisë së De Radës dhe mendimit poetik-letrar europian; urat midis letërsisë popullore dhe asaj refleksive; urat midis rilindësit arbëresh dhe lëvizjeve të mëdha kombëtare në vendet fqinje, si Risorgimento-ja dhe Neohelenizmi (duke përfshirë dhe rolin e vetë shqiptarëve për shpalljen e ideve themelore të tij, pa përjashtuar ato ekspansioniste); urat midis ideologjisë albaniste pararilindëse dhe lëvizjes kombëtare të shek. XIX (sidomos në studimet Arbëreshët për Rilindjen e Shqipërisë dhe Napoli, vatra kulturore e Rilindjes dhe vatra letrare e De Radës).

Të gjitha këto ura kishin bërë që shqiptarët tashmë të kuptonin se ishin të vetët; që përbën shkallën e parë të vetidentifikimit kombëtar. Ndonëse studime të lidhura ngushtësisht me pyetjet shkencore për projektin letrar të De Radës, ato i përgjigjen në nënshtrat pyetjes se kur shqiptarët, copëtuar në sanxhaqe e vilajete, me ndarje historike dhe kulturore prej fundit të Mesjetës, për herë të parë rinisën të ndihen si të njëri-tjetrit.

Koncepti i Francesco Altimarit, që mendimi rilindës ndër arbëreshët nuk ka qenë një zhvillim ishullor as në kohë dhe as në hapësirë është shkompleksues ndaj dijes shqiptare, e cila, në një anë e ka pranuar deri me mbiçmim vlerësimin e lartë të poetëve europianë për De Radën, por në anën tjetër e ka pasur të vështirë ta shohë atë të lidhur e të ndikuar edhe prej lëvizjes kombëtare për bashkimin e Italisë dhe për më tepër me idetë politike me ndikim europian në atë epokë.

ARKATANA

Urat e Arbërit është një vepër që dëshmon jo vetëm dije të re, por dhe ekdotikë dhe epistemologji të re, mendësi të re. Ai vjen tek lexuesi shqiptar i sotëm si një propozim për të ndryshuar mendje, për të parë përmes dritaresh interpretuese më në brendësi të botës arbëreshe, mbijetesës së italo-shqiptarëve (sipas emërtimit të E. Çabejt) dhe rolit të tyre për zgjimin e vetëdijes kombëtare dhe të mendimit shqiptar.

Botimi i veprës “Urat e Arbërit” i Francesco Altimarit u bë i mundur edhe me mbështetjen financiare të Ministrisë së Kulturës, Tiranë./rajonipress/

Skeda e librit:

Autori: Francesco Altimari
Titulli: Urat e Arbërit

Recensues: Shaban Sinani
Matteo Mandalà
Përktheu dhe redaktoi: Gëzim Gurga
Ballina: Shpend Bengu

Botues: “Naimi” – Shtëpi botuese dhe studio letrare
www.botimenaimi.com
ISBN: 978-9928-187-26-0
© Autori dhe “Naimi”- Shtëpi botuese dhe studio letrare

Çmimi: 1000 lekë.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.