FIDANISHTJA

Dëshmia tronditëse e Shaip Dubovës: Rob lufte që zhvilloi mbi 400 fotografi krimesh brenda një dite

/ 3 minuta lexim
KKVITI

Gjilan – Rrëfimi i fotografit dhe kameramanit Shaip Dubova, i ndarë nga jeta në shtator të vitit 2021, mbetet një nga dëshmitë më të rënda për krimet e luftës në Kosovë dhe për fatin e atyre që u shndërruan në robër lufte nga aparati shtetëror serb.“Kam parë dhe kam zhvilluar mbi 400 fotografi vetëm gjatë një dite. Janë pamje që nuk harrohen kurrë – njerëz të vrarë, të gjymtuar, pa gjymtyrë, pa shenja jete. Madje, në disa fotografi shihej momenti kur paramilitarët ekzekutonin viktimat shqiptare”, kishte rrëfyer ai.

Në rrënojat e një lufte që kërkonte të fshihte gjurmët e saj, Shaip Dubova zgjodhi të bëhej syri që nuk mbyllet dhe dëshmia që nuk hesht. I detyruar të punojë nën dhunë, ai nuk reshti së dokumentuari të vërtetën, duke e kthyer aparatin e tij në një armë kundër harresës.

Çdo fotografi që zhvillonte ishte një rrezik për jetën e tij, por edhe një provë e fuqishme kundër krimeve që synonin të mbeteshin të padukshme.

Me guxim të rrallë dhe vetëdije të thellë për misionin e tij, Dubova sakrifikoi qetësinë dhe sigurinë personale, vetëm që e vërteta të dilte në dritë dhe që dhuna e ushtruar të mos mbetej pa zë, por të dëshmohej përmes imazheve që flasin më fort se çdo fjalë.

Sipas dëshmisë së tij, Dubova u kap dhe u detyrua me dhunë të punojë për ushtrinë dhe policinë serbe nga 9 maji 1999 deri në hyrjen e forcave të NATO në Kosovë. Në kushte të rënda dhe nën kërcënim të vazhdueshëm, ai u detyrua të zhvillojë fotografi që dokumentonin krime të rënda kundër civilëve shqiptarë.

Fundamenti

“Kam parë dhe kam zhvilluar mbi 400 fotografi vetëm gjatë një dite. Janë pamje që nuk harrohen kurrë – njerëz të vrarë, të gjymtuar, pa gjymtyrë, pa shenja jete. Madje, në disa fotografi shihej momenti kur paramilitarët ekzekutonin viktimat shqiptare”, kishte rrëfyer ai.

Dubova kishte theksuar se të gjitha këto materiale i kishte ruajtur me rrezik të madh për jetën dhe, pas luftës, i kishte dorëzuar tek OSBE dhe institucionet e përkohshme të Kosovës. Megjithatë, sipas tij, fati i këtyre dëshmive mbetet i panjohur.

Ai kishte deklaruar se ndër fotografitë e para që zhvilloi ishin ato të masakrës së Krushës dhe vrasjeve në Zhegër, ndërsa theksonte se materialet e prodhuara nga forcat serbe shumëzoheshin në disa kopje dhe dërgoheshin menjëherë në Beograd.

Rasti i Dubovës dëshmon një dimension tjetër të krimeve të luftës, shfrytëzimin e detyruar të profesionistëve si robër për të dokumentuar mizoritë, duke i kthyer ata në dëshmitarë të gjallë të një realiteti çnjerëzor që ende kërkon drejtësi dhe zbardhje të plotë./rajonipress/