Hysen Shabani, një jetë e shkrirë në vargje
Gjilan – Për shumëkënd, Hysen Shabani nuk ka ndalur kurrë së jetuari. Edhe pse vdekja e mori në vitin 2015, hije e tij mbetet mes nesh, në orët letrare, në takimet e përditshme, në rrugët e qytetit që ai i ka përshkuar me mendje të mprehtë dhe fjalë të ngrohta. Ai iku në botën e përjetësisë, por vepra e tij, poezitë, vargjet dhe rrëfimet, vazhdojnë të flasin, të rrëfejnë, të jetojnë. Çdo varg i tij është një pjesë e pavdekshme e shpirtit të tij, një pjesë e jetës që nuk tretet, nuk shuhet, nuk zhduket.
Hysen Shabani ishte poet autodidakt, një vetë-arsimues që nuk u ndal para kufijve të formimit tradicional. Në moshë të shtyrë, ai e adhuroi artin letrar dhe i përkushtua vargut si filozofi jetësore. Vargjet e tij nuk ishin thjesht rrëfime, por portrete të përditshmërisë, reflektime të përjetimeve të popullit, të natyrës, të vuajtjes dhe të gëzimit.
Kur recitonte, ai bëhej vetë poezia, me ton, me ndjenjë, me shpirt. Ai e interpretonte vargun si filozof i thjeshtë, por i thellë, duke i dhënë fjalës peshë dhe frymë.
Çdo takim me Hysenin ishte një leksion i hapur. Ai gjente tema në çdo gjë: një ngjarje të vogël, një kujtim, një diskutim. Fjalët e tij rridhnin natyrshëm, por gjithmonë me mendim dhe përmbajtje. Sot, kur hesht, mbetet hije që shoqëron secilin që e ka njohur, duke kujtuar prezencën e tij të gjallë dhe fjalën që jepte kuptim.
Jetës i dha formë me penë dhe me duar. I lindur më 20 prill 1928 në Përlepnicë të Gjilanit, ai mori mësimet fillore dhe medresën në vendlindje, ndërsa formimin e parë profesional e nis si bari dhe mjeshtër mbathtari në moshë të re.
Kjo eksperiencë e lidhte ngushtë me tokën dhe njerëzit, dhe shpesh thoshte: “Unë punoj, por kur takoj njerëz të mirë, punën ua bëj me zemër. Ata ndahen të kënaqur, dhe kjo më mjafton.” Kjo ndjeshmëri e përditshme formoi shpirtin e poetit.
Si vetë-arsimues, Hyseni lexonte pa u lodhur, dhe kjo pasion i dha zë vargjeve të tij. Ai shkroi disa vepra kryesore: “Valët e atdheut” (1993), “Valët e trishtimit” (1994), “Në rrugën e besimit” (1995) dhe “Ngjarje që na tronditën” (1996). Poezia për fëmijë e gjeti gjithashtu vend në veprat e tij, në libra dhe revista si “Bamirësia” (1991) dhe “Flakërima” (1992), si dhe në antologjinë “Psherëtimë për tokën” të botuar në 2004.
Hysen Shabani, poeti që e jetoi poezinë si filozofi
Hysen Shabani ishte një njeri i thjeshtë, i urtë dhe i ndershëm, por edhe një vlerësues kritik i artit. Ai nuk ndalej vetëm tek krijimi, por analizonte, vlerësonte dhe interpretonte veprat e tjera me një pasion të veçantë. Poezia për të nuk ishte vetëm art, ishte filozofi, jetë, reflektim i brendshëm dhe komunikim me të tjerët.
Sot, kur e kujtojmë, e shohim jo vetëm si poet, por si një figurë që përfaqëson lidhjen mes fjalës dhe jetës, mes përvojës dhe artit. Ai la pas një trashëgimi letrare të pasur dhe një mesazh të thjeshtë: jeta, pavarësisht vështirësive, shkruhet me zemër, me ndjenjë dhe me vargje që mbeten përjetësisht.
Hysen Shabani u nda në moshën 87-vjeçare, por poezia e tij nuk vdes. Ajo mbetet një urë mes së kaluarës dhe të tashmes, një dëshmi se edhe një poet autodidakt mund të jetojë më shumë se vetë jeta./rajonipress/


