ARKATANA

Partitë opozitare dhe kandidatët në Gjilan, viktima të iluzionit të rrjeteve sociale

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Fushata dhjetëditore zgjedhore në Gjilan tregoi qartë një realitet shqetësues për partitë opozitare dhe kandidatët e tyre për deputetë. Në vend të organizimit serioz në terren, kontaktit të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe mobilizimit strukturor, fushata u reduktua kryesisht në paraqitje sipërfaqësore në rrjetet sociale, duke lënë pas dore dimensionin real të politikës elektorale.

Partitë opozitare investuan minimalisht, si në aspektin financiar ashtu edhe në atë organizativ. Takimet me qytetarë ishin të pakta, ndërsa fshatrat dhe strukturat bazë u lanë pothuajse jashtë vëmendjes. Komunikimi “online” u përdor si zëvendësim i fushatës reale, një qasje që edhe kësaj radhe rezultoi e dështuar.

LDK dhe PDK në Gjilan pësuan sërish humbje të rënda, të cilat nuk janë rastësi, por pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhencës politike dhe mungesës së vizionit. Rezultati i dobët ka shumë shkaqe, por kryesori mbetet shkëputja nga qytetari dhe nga aktivisti partiak.

LDK-ja në Gjilan tregoi minimum interesimi për fushatë. Takimet me qytetarë dhe me fshatra u reduktuan ndjeshëm, ndërsa mungoi dialogu i drejtpërdrejtë me aktivistët. Lutfi Haziri u mjaftua me tubime të mëdha formale, duke qenë i pozicionuar i pesti në listë dhe pa rrezik personal elektoral. Kjo qasje krijoi perceptimin e arrogancës politike dhe neglizhencës ndaj medias, analistëve, ekspertëve dhe profesionistëve që tradicionalisht kanë qenë mbështetje e LDK-së.

Pavarësisht faktit se çdo subjekt politik përfiton buxhet edhe nga KQZ-ja edhe nga bizneset mbështetëse, investimi i LDK-së në fushatë ishte i papërfillshëm dhe në disproporcion të plotë me ambiciet e deklaruara politike. Në këto rrethana, riorganizimi i degës së LDK-së në Gjilan është i pashmangshëm, përfshirë edhe marrjen e përgjegjësisë politike, e pse jo edhe dorëheqjen e Lutfi Hazirit, për t’u hapur rrugë kuadrove të reja si Faton Bislimi, Rexhep Kadriu dhe Krenar Xhaferi.

Uji Dea

As PDK-ja në Gjilan nuk tregoi ndonjë interes serioz për rezultat zgjedhor. Një shtab zgjedhor i lodhur, pa energji, pa risi dhe pa mbështetje reale financiare për kandidatët, e bëri fushatën të zbehtë dhe pa ndikim. Edhe kjo degë ka nevojë për ristrukturim të thellë dhe qartësim drejtimi.

Një garë serioze për ta sjellë Arben Mustafën në krye të degës do të ishte hap i domosdoshëm, ndërsa Riad Rashiti duhet të mbetet figurë kyçe si njeriu i dytë, për shkak të njohjes së thellë të funksionimit të PDK-së në Gjilan.

Kjo fushatë duhet të shërbejë si mësim i qartë për të gjithë kandidatët se rrjetet sociale janë mashtruese. Ato nuk e pasqyrojnë realitetin elektoral dhe nuk zëvendësojnë kontaktin e drejtpërdrejtë me qytetarin. Politika fitohet në terren, me organizim, me energji njerëzore, me ide dhe me besim, jo me “pëlqime” dhe “shpërndarje” virtuale.

Nëse partitë opozitare nuk nxjerrin mësime serioze nga kjo humbje, rrezikojnë të mbeten peng i iluzionit digjital dhe i një opozitarizmi pa peshë reale politike./rajonipress/