Hidromorava

Dr. Feti Hetemi, një jetë në shërbim të shëndetësisë, humanizmit dhe lirisë së atdheut

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Nga Sami Arifi – Dr. Feti Hetemi lindi më 27 nëntor 1953 në fshatin Mogillë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në qytetin e Vitisë. Studimet për mjekësi i përfundoi në vitin 1979 në Universitetin e Prishtinës, ku diplomoi si mjek i përgjithshëm. Specializimin në mjekësi interne dhe nefrologji e kreu në Zagreb, duke u formësuar profesionalisht si një nga mjekët më të përkushtuar të rajonit.

I rritur në një familje me ndjenja të theksuara atdhetare, Dr. Hetemi që herët u rreshtua në përkrahje të çështjes kombëtare. Si nxënës i Gjimnazit në Viti, në vitin shkollor 1972/1973, ai ishte kryetar i Lidhjes së Rinisë së Gjimnazit, ndërsa bashkëveprimtar i tij ishte Nexhmedin Caka, anëtar i kryesisë dhe kryetar klase. Së bashku organizuan protesta dhe bojkotim të mësimit për gjashtë ditë, në mbrojtje të profesorëve të tyre, të cilët ishin përjashtuar nga puna nga sigurimi shtetëror jugosllav për shkak të angazhimit të tyre në demonstratat e vitit 1968.

Protestat e nxënësve të atëhershëm të Gjimnazit “Boro e Ramizi” (sot Gjimnazi “Kuvendi i Lezhës”) në Viti shënuan një akt guximi qytetar në një kohë represioni. Çështja u trajtua edhe në nivel të lartë politik, ndërsa profesorët u sistemuan në vende të tjera pune. Megjithatë, më vonë disa prej tyre u burgosën nga autoritetet jugosllave.

Dr. Feti Hetemi ia kushtoi tërë jetën profesionit të mjekut. Në Shtëpinë e Shëndetit në Viti, ai punoi me përkushtim të jashtëzakonshëm, duke u përballur vazhdimisht me presionet e pushtetit serb, i cili synonte ta largonte nga puna për shkak të qëndrimeve të tij kombëtare. Ai hartonte raportet dhe recetat në gjuhën shqipe dhe angazhohej për përfshirjen e profesionistëve shqiptarë në sistemin shëndetësor.

Gjatë viteve ’80, në kulmin e represionit ndaj shqiptarëve, Dr. Hetemi lëshoi mbi 300 certifikata mjekësore për qytetarët e rrahur dhe të maltretuar nga milicia serbe, duke dokumentuar dhunën sistematike të ushtruar ndaj popullatës civile.

Si delegat në Kuvendin e Kosovës, me iniciativën e tij u themelua Qendra e Hemodializës në Gjilan dhe Dispanseria për Nefrologji në Viti, duke shënuar një hap të rëndësishëm në avancimin e shërbimeve shëndetësore në rajon.

Kontributi i tij humanitar ishte po aq i madh. Për 14 vjet ai drejtoi Shoqatën Humanitare “Nëna Terezë” në rajonin e Vitisë, duke ndihmuar familjet në nevojë me shërbime shëndetësore, ushqime dhe veshmbathje. Për këtë veprimtari, u mor disa herë në pyetje nga milicia serbe, e cila e akuzonte për krijimin e një sistemi paralel shëndetësor.

Uji Dea

Në vitet ’90, së bashku me bashkëshorten e tij, Ajete Hetemi, infermiere, organizoi furnizimin me barna dhe materiale mjekësore, duke parashikuar mundësinë e shpërthimit të luftës në Kosovë. Ai ngriti mini-ambulanca nëpër fshatra dhe organizoi trajnime për të rinjtë në dhënien e ndihmës së parë, duke i përgatitur për situata emergjente.

Gjatë luftës në Kosovë, Dr. Hetemi ishte ndër mjekët që organizuan shërbimin shëndetësor për popullsinë civile dhe pjesëtarët e UÇK-së. Ai siguroi materiale sanitare për Zonën e Karadakut dhe kontribuoi drejtpërdrejt në trajtimin e të plagosurve, duke rrezikuar edhe jetën e tij.

Pas luftës, ai vazhdoi punën si internist dhe nefrolog me të njëjtin përkushtim, pa kërkuar poste apo privilegje. Për kontributin e tij shumëvjeçar, u nderua me mirënjohje dhe dekorata nga institucione të ndryshme shtetërore dhe lokale. Me rastin e pensionimit, u dekorua edhe nga Komuna e Vitisë për punën dhe përkushtimin e tij si mjek dhe humanist.

Në vitin 2020, pandemia e Covid-19 përfshiu botën dhe mori miliona jetë. Fatkeqësisht, virusi i mori jetën edhe Dr. Feti Hetemit, i cili deri në ditët e fundit mbeti në shërbim të qytetarëve, duke luftuar në vijën e parë kundër pandemisë.

Dr. Feti Hetemi mbetet një figurë e respektuar dhe e nderuar, që la gjurmë të pashlyera në fushën e mjekësisë, humanizmit dhe atdhedashurisë. Jeta dhe vepra e tij janë dëshmi e një përkushtimi të rrallë ndaj njeriut dhe vendit./rajonipress/

Ky shkrim mbështetet në intervistat e realizuara më 1 mars 2026 me Nexhmedin Cakën (1954) nga Vërbani, Ahmet Hasanin (1955) nga Sadovina e Çerkezëve, Fadil Ramiqin (1955) nga Pozherani, si dhe me Arianit Hetemin (1978) nga Mogilla, dëshmitarë dhe bashkëkohës të veprimtarisë së Dr. Feti Hetemit.