Uji Dea

Marte Tunaj, dëshmia që theu heshtjen e një lufte

/ 7 minuta lexim
FIDANISHTJA

Gjilan – Në historinë e dhimbshme të luftës së Kosovës, ka emra që nuk qëndrojnë vetëm si kujtim tragjedie, por si akte të vetëdijes kolektive. Marte Tunaj, grua nga Vitia, është një nga ato figura të rralla që e shndërroi dhimbjen personale në dëshmi publike, duke thyer një heshtje të gjatë shoqërore mbi dhunën seksuale si krim lufte.

E dhunuar gjatë luftës nga forcat serbe, Marte Tunaj mori një vendim që pak gra kishin guxuar ta merrnin para saj, të fliste hapur, të dëshmonte publikisht dhe të kërkonte drejtësi, jo vetëm për veten, por për mijëra gra të tjera që mbetën peng i traumës dhe stigmatizimit. Në një shoqëri të plagosur, ku dhimbja shpesh fshihej nga frika dhe turpi i imponuar, dëshmia e saj përbënte një akt të thellë rezistence morale.

Rasti i Marte Tunajt shënon një moment kyç në trajtimin institucional dhe shoqëror të dhunës seksuale gjatë luftës. Dëshmia e saj çoi në ndjekje penale dhe dënim të autorit të krimit, duke u bërë një nga rastet e rralla ku përdhunimi u trajtua si krim lufte në Kosovën e pasluftës. Ky fakt i jep dëshmisë së saj një peshë jo vetëm njerëzore, por edhe juridike e historike.

Megjithatë, rrugëtimi i saj nuk ishte i lehtë. Përballë mungesës së mbështetjes institucionale, stigmatizimit social dhe zhgënjimeve të drejtësisë ndërkombëtare, Marte Tunaj jetoi me barrën e një dhimbjeje të dyfishtë: atë të krimit dhe atë të harresës. Ajo mbeti një figurë e heshtur e dinjitetit, një grua që pagoi çmim të lartë për guximin e saj, por që kurrë nuk u tërhoq nga e vërteta.

Në diskursin bashkëkohor për drejtësinë tranzicionale, figura e Marte Tunajt zë një vend të veçantë. Ajo nuk është vetëm viktimë; ajo është subjekt i historisë, dëshmitare e krimit dhe dëshmuese e ndërgjegjes. Kontributi i saj ndihmoi në hapjen e debatit publik për dhunën seksuale gjatë luftës dhe në njohjen e viktimave si kategori e veçantë e të mbijetuarve të luftës.

Sot, emri i saj përfaqëson më shumë se një histori individuale. Ai është simbol i guximit qytetar, i së vërtetës së thënë pa zë të lartë, dhe i nevojës që shoqëria të mos e relativizojë kurrë dhunën, as ta fshehë pas heshtjes kolektive. Marte Tunaj mbetet një ndërgjegje e hapur e Kosovës, një kujtesë se drejtësia nuk fillon në gjykata, por në guximin për të folur.

Porosia e Marte Tunaj: “Rrëfeni, tregoni botës çfarë ndodhi me ne”

Në historinë e pasluftës së Kosovës, emri i Marte Tunaj zë një vend të veçantë dhe të pakontestueshëm. Ajo ishte gruaja e parë në Kosovë që dëshmoi publikisht për dhunimin seksual të kryer gjatë luftës, duke u paraqitur para një trupi gjykues vendor dhe ndërkombëtar. Në një shoqëri të traumatizuar dhe të heshtur, dëshmia e saj përbënte një akt të jashtëzakonshëm guximi qytetar dhe moral.

Marte Tunaj nuk u tërhoq asnjëherë. Ajo jetoi me dinjitet, edhe pse pa përkrahjen e institucioneve shtetërore dhe komunale të kohës. Për vite me radhë, mbijetoi me një ndihmë minimale sociale, ndërsa mbështetjen konkrete e gjeti vetëm nga individë dhe nga publikimet e vazhdueshme në media, përfshirë portalin Rajonipress. Pas vdekjes së saj, në ngushëllime ishte e pranishme vetëm ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, një fakt që flet shumë për heshtjen institucionale ndaj kësaj figure.

Një dëshmi që çoi në drejtësi dhe zhgënjim

Marte Tunaj, me prejardhje nga Gjakova dhe e martuar në fshatin Verban të Vitisë, u dhunua më 30 maj 1999 nga paramilitari serb Millosh Jokiq. Aktakuza ndaj tij për krime lufte kundër popullatës civile në Viti u ngrit më 25 shkurt 2000. Pikërisht deklarata e drejtpërdrejtë dhe publike e Marte Tunajt çoi në arrestimin urgjent të Jokiqit nga forcat e KFOR-it dhe më pas në dënimin e tij me 20 vjet burgim.

Në gjykimin e udhëhequr nga trupi gjykues me në krye Patrice de Charette, dëshmuan 40 dëshmitarë, mes tyre edhe Marte Tunaj, e cila paraqiti fakte dhe prova tronditëse. Ajo dëshmoi se Jokiq, i armatosur dhe nën kërcënimin e thikës, kishte kryer dhunë seksuale ndaj saj.

ARKATANA

Megjithatë, historia nuk përfundoi me drejtësi të plotë. Jokiq u lirua më vonë, si pasojë e një marrëveshjeje politike dhe ndërhyrjeve ndërkombëtare, çka për Tunajn dhe për shoqërinë kosovare mbeti një plagë e hapur morale dhe juridike.

Guximi për të folur, për Kosovën dhe brezat që vijnë

Vendimi për të dëshmuar nuk ishte i lehtë. Marte Tunaj rrëfente se pas luftës e kishte tepër të vështirë t’i tregonte familjes dhe bashkëshortit të saj, Vebih Selmani, për dhunën e përjetuar. Por ajo mori guximin ta denoncojë krimin në polici, jo vetëm për veten, por “për hir të nënave, grave shtatzëna dhe femrave të tjera që ishin keqtrajtuar”.

Ajo theksonte se guximin për të folur ia kishte falur Kosovës dhe djalit të saj, pjesëtar i UÇK-së dhe i mitur gjatë luftës. E gjithë familja e saj ishte e përfshirë në rezistencë, ndërsa vetë Marte Tunaj kontribuoi duke ushqyer, veshur dhe ndihmuar luftëtarët e lirisë.

“Rrëfeni”, apeli që mbetet amanet

Në vitet e pasluftës, Tunaj jetoi me pasoja të rënda shëndetësore, përfshirë diabetin, duke shpenzuar pjesën më të madhe të ndihmës mujore prej 96 eurosh për barna. Ajo ndiqte me shqetësim debatet politike për njohjen e viktimave të dhunës seksuale dhe shprehej e indinjuar nga hezitimi institucional.

“Është gjynah që gratë e dhunuara të mbesin nën mëshirën e lëmoshës. Ato kanë nevojë për trajtim shëndetësor, përkujdesje dhe dinjitet,” thoshte ajo.

Porosia e saj ishte e qartë dhe e përsëritur ndër vite: “Rrëfeni. Vetëm rrëfeni dhe tregoni botës çfarë ndodhi me ne.”

Ndarja nga jeta dhe trashëgimia morale

Më 16 maj 2016, Marte Tunaj u nda nga jeta dhe u varros me nderime në Verban të Vitisë. Në ceremoninë mortore, për kontributin e saj folën përfaqësues të OVL-UÇK-së, ndër ta Abdyl Bajrami, i cili theksoi se nëpër duart e saj kaluan jo vetëm ushqime e veshmbathje për luftëtarët, por edhe armë e municione.

Marte Tunaj la pas vetes një dëshmi rrëqethëse, por të domosdoshme për të kuptuar përmasën e krimeve të luftës në Kosovë. Ajo nuk ishte vetëm viktimë; ajo ishte dëshmitare e së vërtetës, një figurë që meriton njohje institucionale dhe historike.

Shpallja e saj Heroinë e Kosovës, me një dekoratë të veçantë nga Parlamenti i Kosovës, mbetet një borxh moral i papaguar./rajonipress/