Rexhep Demiri, gazetari dhe poeti që e shndërroi dhimbjen në art
Gjilan – Rexhep Demiri nuk është fizikisht mes nesh, por prania e tij shpirtërore vazhdon të ndihet në fjalën e shkruar, në vargun e matur dhe në kujtesën e atyre që e njohën. Ai ishte njeriu i heshtjes fisnike, i punës së palodhur dhe i fjalës së peshuar, një gazetar dhe poet që nuk bërtiste, por depërtonte thellë.
Rexhep Demiri ishte krijues i rrallë, nuk botoi shumë, por gjithçka që la pas ka peshë artistike dhe shpirtërore. Vargjet e tij nuk ishin zbukurime gjuhësore, por rrëfime të brendshme, dëshmi të një shpirti të ndjeshëm që e mbante dhimbjen të mbyllur brenda vetes. Sa herë që shkruante, ai zbulonte një copëz nga bota e tij e brendshme, të qetë në formë, por të rëndë në ndjenjë.
Njeriu i urtësisë dhe fjalës së ëmbël
Rexhepi ishte shembull i kulturës njerëzore dhe intelektuale. I buzëqeshur, gojëmbël dhe gjithmonë korrekt, ai nuk la pas asnjë fjalë të keqe, asnjë hije konflikti. Fliste pak, por saktë; shkruante me masë, por me domethënie. Në komunikim, dukej si “plak i odës”, i urtë dhe i mençur, edhe pse në moshë të re.
Ai dinte të dëgjonte, dinte të respektonte dhe dinte të krijonte. Në çdo takim, në çdo bisedë, rrezatonte qetësi dhe kulturë pune. Dhimbjen e vet shpirtërore e mbante të fshehur, por ajo shndërrohej në poezi, në art të pastër.
Nga Zhegra në Gjilan, rruga e dijes dhe përkushtimit
Rexhep Demiri shkollën fillore e kreu në vendlindje, në Zhegër, ndërsa shkollën e mesme, drejtimin kulturologjik, në Gjimnazin e Gjilanit. Ishte shembullor në mësime dhe në sjellje, i heshtur, i përkushtuar dhe jashtëzakonisht i sinqertë.
Çdo ditë udhëtonte nga Zhegra në Gjilan, pa mungesa, pa ankesa, duke u dalluar për disiplinë dhe seriozitet. Nuk ulej në bankat e para, por gjithmonë diku nga fundi, si një lule që nuk kërkon vëmendje, por që bie në sy për aromën e saj. Ishte nxënës me kushte të vështira jetese, por me pasuri të rrallë shpirtërore e mendore.
Që në hartimet shkollore shfaqej talenti i tij i veçantë. Tekstet e Rexhepit kishin figuracion të pasur, mendim të thellë dhe pjekuri të rrallë për moshën. Ishte e qartë se para nesh po rritej një krijues i vërtetë.
Gazetaria si mision, poezia si shpëtim
Studimet i vazhdoi në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Më pas, nisi punën si gazetar në gazetën “Rilindja”, për të vazhduar në “Bota sot”, e më vonë në “Pavarësia”, ku edhe e gjeti vdekja e parakohshme në dhjetor të vitit 2004, pas një sëmundjeje të rëndë.
Në gazetari, Rexhep Demiri u dëshmua si publicist i përkushtuar dhe profesionist i heshtur. E donte punën dhe e ushtronte me përgjegjësi të plotë. Vdiq duke krijuar, për të mos vdekur kurrë në shpirt.
“Udha e lotëve”, ditari poetik i një shpirti të ndjeshëm
Krijimtaria e tij poetike nuk është e gjerë në numër, por është e thellë në përmbajtje. Poezia e Rexhep Demirit është një ditar jete, i shkruar me lot, mall dhe përsiatje. Përmbledhja e tij e vetme poetike, “Udha e lotëve”, përfaqëson testamentin e tij letrar.
Libri përbëhet nga pesë kaptina: Legjenda e kalasë, Gjurmëve të kohës, Udha e lotëve, Sëmundja e shekullit dhe Qyteti pas shiut, me gjithsej 30 poezi.
Sipas redaktorit Sali Bashota, figura e lotit në poezinë e Rexhep Demirit shndërrohet në simbol qendror, prej nga burojnë ndjenjat për jetën, lirinë, vendlindjen, prindërit, miqtë dhe dashurinë për fëmijën. Vargjet e tij, herë-herë, të rikujtojnë Migjenin, për shkak të thellësisë së dhimbjes dhe sinqeritetit të shprehjes.
Poeti që jeton në vargje
Rexhep Demiri ishte poet i heshtjes dhe gazetar i përgjegjësisë. Ai nuk kërkoi famë, por la gjurmë. Nuk bëri zhurmë, por krijoi vlera. Sot, kur e kujtojmë, e kujtojmë si krijues të dhimbjes shpirtërore të shndërruar në art, si njeri që jetoi me ndershmëri dhe vdiq me dinjitet.
Ai nuk është më fizikisht mes nesh, por jeton në poezinë e tij, në fjalën e shkruar dhe në kujtesën kulturore të Gjilanit dhe letërsisë sonë./rajonipress/


