FIDANISHTJA

Afrim Zeqiri, viktimë e urdhëresave ekzekutive dhe drejtësisë selektive të pasluftës, djaloshi të cilit paqja i kushtoi më shtrenjtë se lufta

/ 8 minuta lexim
KKVITI

Gjilan – Vrasja e trefishtë e qytetarëve serbë në fshatin Cërrnicë të Gjilanit, më 28 maj 2000, ishte një nga ngjarjet më të rënda dhe më të bujshme të Kosovës së pasluftës. Një krim i tmerrshëm, ku humbën jetën Tihomir Simjonoviqi, Millosh Vasiqi dhe fëmija katërvjeçar Millosh Petroviqi, u shndërrua shpejt në një armë propagandistike të Beogradit, duke arritur deri në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Në vend të një hetimi të thellë, profesional dhe të paanshëm, rasti u politizua, u etiketua etnikisht dhe u instrumentalizua për të ndërtuar narrativën se shqiptarët ishin “fajtorë të paracaktuar” për çdo krim ndaj serbëve në Kosovën e pasluftës. Pa aktakuzë, pa gjykim, pa vendim gjyqësor, Afrim Zeqiri u shpall publikisht kriminel. Ishte një shkelje flagrante e prezumimit të pafajësisë dhe një njollë e rëndë mbi të drejtat e njeriut në Kosovën e pasluftës.

Cërrnica nga fshat i bashkëjetesës në epiqendër dyshimi

Cërrnica ishte një fshat me popullsi të përzier shqiptaro-serbe, ku pas luftës ishte dislokuar KFOR-i amerikan për të garantuar sigurinë. Megjithatë, pas vrasjeve, fshati u shndërrua në zonë të mbyllur, me kontrolle ajrore e tokësore, ndërsa banorët mbetën për ditë të tëra të izoluar në shtëpitë e tyre.

Në mungesë të provave konkrete, dyshimi u përqendrua tek një emër, Afrim Zeqiri, një i ri shqiptar nga i njëjti fshat, i cili u shndërrua brenda natës nga qytetar i lirë në “fajtor kujdestar”.

Dëshmia që ndërtoi një akuzë

E gjithë akuza ndaj Afrim Zeqirit u mbështet pothuajse ekskluzivisht në deklaratën e një dëshmitari të vetëm okular, Zoran Stoliqit, i cili pretendonte se kishte parë “një person që i ngjante Afrimit” duke shtënë me armë zjarri.

Deklarata e tij ishte e mbushur me urrejtje, kërcënime dhe kërkesa ekstreme për dënim me vdekje, ndërsa më vonë u vërtetua se ishte e paqëndrueshme, kontradiktore dhe e pambështetur nga asnjë provë teknike apo kriminalistike. Madje, vetë dëshmitari u largua nga Kosova dhe nuk u paraqit më në procesin gjyqësor.

Fakte që nuk përputheshin me akuzën

Sipas dëshmive të dokumentuara, më 27 dhe 28 maj 2000, Afrim Zeqiri ndodhej në Gjilan, kishte pësuar një aksident trafiku, kishte qenë në kafiterinë “Morea” dhe më pas kishte qëndruar tek shoku i tij për shkak të orës policore. Këto fakte nuk përputheshin aspak me kohën dhe skenarin e dhënë nga dëshmitari Stoliq.

Megjithatë, logjika juridike u anashkalua.

Afishet e turpit dhe gjykimi publik

Një ditë pas ngjarjes, KFOR-i dhe UNMIK-u shpërndanë në Gjilan afishe me titullin provokues:

“Historia kriminale e të akuzuarit për vrasjen e fëmijës”.

Pa aktakuzë, pa gjykim, pa vendim gjyqësor, Afrim Zeqiri u shpall publikisht kriminel. Ishte një shkelje flagrante e prezumimit të pafajësisë dhe një njollë e rëndë mbi të drejtat e njeriut në Kosovën e pasluftës.

Arrestimi dhe paraburgimi i padrejtë

Afrimi u paraqit vullnetarisht në polici për të sqaruar çdo dilemë. Në vend të transparencës, u prangos dhe u dërgua në paraburgim, fillimisht në kampin e Bondstillit e më pas në burgjet e Dubravës, Mitrovicës dhe Prishtinës.

Në total, 617 ditë paraburgim, prej të cilave 90 ditë me urdhëresë ekzekutive të Bernard Kouchnerit, pa aktakuzë dhe pa prova.

Gjykimi, e vërteta del në pah

Pas 23 seancash gjyqësore, dëgjimit të dhjetëra dëshmitarëve shqiptarë e serbë dhe analizimit të provave kriminalistike, Gjykata e Qarkut në Gjilan arriti në përfundimin e vetëm të mundshëm:

“Nuk ekziston asnjë provë teknike që ta lidhë të pandehurin me krimin. Deklarata e dëshmitarit të vetëm okular është e pabesueshme dhe e pakonfirmuar.”

FIDANISHTJA

Më 14 qershor 2002, Afrim Zeqiri u shpall i pafajshëm.

Drejtësia e vonuar dhe plagët e pashëruara

Edhe pse drejtësia formalisht triumfoi, dëmi ishte bërë. Afrimi kishte humbur vite të jetës, shëndetin, dinjitetin dhe perspektivën. Kërkesa për dëmshpërblim në vlerë prej 435 mijë eurosh u injorua pothuajse tërësisht. Institucionet ofruan vetëm 5.600 euro – një shumë fyese për një padrejtësi të tillë.

Familja Zeqiri refuzoi pagesën, duke thënë:

“Asnjë shumë nuk i paguan lotët e prindërve.”

Paqja që kushtoi më shtrenjtë se lufta

Rasti i Afrim Zeqirit mbetet një nga shembujt më të dhimbshëm të drejtësisë selektive dhe proceseve të montuara politike në Kosovën e pasluftës. Ai dëshmon se, për disa, paqja erdhi me një çmim më të rëndë se vetë lufta.

Sot, Afrim Zeqiri ecën i lirë në Cërrnicë, jo sepse u fal, por sepse ishte i pafajshëm që nga dita e parë.

Drejtësi e vonuar dhe ofertë fyese: beteja e Afrim Zeqirit për dinjitet dhe kompensim

Në procesin gjyqësor të Afrim Zeqirit dhe në betejën e tij shumëvjeçare për kompensimin e dëmit, nuk kanë munguar as ofertat qesharake e thellësisht fyese. Departamenti i Drejtësisë në Prishtinë, nën administrimin e UNMIK-ut, i kishte ofruar Zeqirit një dëmshpërblim prej vetëm 5.842 eurosh – një shumë simbolike që nuk reflektonte as për së afërmi vuajtjet fizike, psikike dhe shkatërrimin e jetës së tij personale e shoqërore.

Avokati mbrojtës Bajram Kadriu vlerësonte se edhe shuma prej 116 mijë eurosh do të ishte e pamjaftueshme përballë asaj që Afrim Zeqiri kishte përjetuar nëpër burgjet e UNMIK-ut dhe KFOR-it. Sipas tij, dëmi i shkaktuar nuk ishte vetëm material, por mbi të gjitha njerëzor dhe moral.

Vetë Afrim Zeqiri e ka refuzuar kategorikisht ofertën e UNMIK-ut, duke e cilësuar atë si fyese dhe jokorrekte.

“Vetëm lotët e nënës sime kanë më shumë vlerë se kjo shumë, e të mos flas për pasojat e tjera që m’i montoi UNMIK-u, duke më shpallur vrasës dhe kriminel. Kjo njollë nuk hiqet lehtë. Megjithatë, e vërteta që u dëshmua në gjyq ishte një rehabilitim shpirtëror për mua dhe për familjen time të gjerë. Loja e Beogradit dhe e UNMIK-ut dështoi, sepse në rastin tim u atakua vetë Kosova dhe populli i saj”, ka deklaruar Zeqiri.

Pas lirimit nga burgu, në vitin 2004, Afrim Zeqiri kishte ushtruar për herë të parë padi për dëmshpërblim në Gjykatën Komunale të Gjilanit. Kjo gjykatë e refuzoi kërkesën, me arsyetimin se nuk ishte kompetente për trajtimin e rastit. Më pas, Zeqiri iu drejtua Departamentit të Administratës Gjyqësore në Prishtinë (UNMIK), i cili i ofroi sërish shumën simbolike prej 5.842 eurosh, ofertë që ai e refuzoi pa hezitim.

Afrim Zeqiri ishte arrestuar më 29 maj 2000 dhe, pas afro dy vitesh paraburgim, u lirua si i pafajshëm më 11 shkurt 2002.

Sipas ish avokatit Bajram Kadriu e Masar Morina, paralelisht me këto zhvillime po përgatitet dosja e plotë e rastit Zeqiri, e cila, pasi të shteren të gjitha procedurat juridike brenda Kosovës, do të dërgohet edhe në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

“UNMIK-u mund të ulet në bankën e të akuzuarve në Strasburg, sepse Bernard Kouchner dhe Hans Hækkerup ia kanë vazhduar dy herë paraburgimin Afrim Zeqirit pa asnjë vendim gjyqësor. Edhe atëherë kemi konstatuar se kjo ndërhyrje ishte vrasje e drejtësisë në Kosovë”, theksonte Kadriu.

Ai shtonte se dosja e Afrim Zeqirit do të ishte tronditëse për Strasburgun, pasi ky rast nuk ka të bëjë vetëm me një individ, por me një proces që është trajtuar në nivelet më të larta të Kombeve të Bashkuara. Madje, në këtë kontekst përmendet edhe i ashtuquajturi “Kodi Zeqiri”, i shpikur nga këshilltarë ligjorë të OKB-së, vetëm për t’u dhënë kompetenca shtesë prokurorëve ndërkombëtarë në Kosovë.

Gjatë paraburgimit, Afrim Zeqiri ka përjetuar trysni të vazhdueshme psikologjike, është mbajtur në Kampin Bondsteel, në Burgun e Mitrovicës, të Prishtinës dhe të Gjilanit, si dhe është marrë në pyetje qindra herë. Mbajtja e tij në paraburgim, ndonëse i pafajshëm, i ka shkatërruar reputacionin dhe i ka cenuar rëndë jetën personale, për shkak të veprave të rënda penale që i viheshin në barrë.

Sot, njeriu që dikur etiketohej si “terrorist gjakftohtë”, është i martuar dhe baba i dy fëmijëve – një dëshmi e gjallë se drejtësia, edhe pse e vonuar, mund të triumfojë, por plagët që lë pas padrejtësia mbeten të hapura për një kohë të gjatë./rajonipress/