PDK: Nuk ndryshohet versioni i demarkacionit, Lista Serbe s’largohet nga koalicioni!
Partia Demokratike e Kosovës ka përgëzuar subjektet opozitare të cilët votuan pro Ligjit për Trepçën. Partia të cilën e udhëheq Kadri Veseli ka apeluar opozitën që edhe për çështje të tjera me rëndësi për vendin të jenë të bashkuar me pozitën.
Shefi i Grupit Parlamentar nga PDK-ja, Zenun Pajaziti në një prononcim për “Indeksonline” thotë se me miratimin e Ligjit për “Trepçën”, megjithëse është bërë në një procedurë të përshpejtuar, është treguar se për temat nacionale gjithë spektri politik mund të veprojë i bashkuar.
“Edhe pse kemi shfaqur dallime në çështjet e brendshme të këtij Ligji, prapë se prapë të gjithë kemi qëndruar deri në orët e vona për ta aprovuar një ligj i cili është me interes të veçant për vendin”, ka thënë ai.
Demarkacioni nuk ndryshon
Sipas Pajazitit, spektri politik duhet të bashkohet edhe për ratifikimin e Marrëveshjeve Ndërkombëtare, duke veçuar vijën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Megjithatë, shefi i deputetëve të PDK-së thotë se versioni aktual i demarkacionit duhet të sillet i njëjtë në Kuvend, siç ishte në seancën e 1 shtatorit.
“Jam i sigurt që nëse ky vullnet politik ekziston edhe për gjëra tjera, kështu do të bëjmë edhe për vendimet e radhës në Kuvendin e Kosovës, për ratifikimin e Marrëveshjeve ndërkombëtare, çështje të kufirit dhe për çështje tjera. Nuk dëshirojë të paragjykojë. Marrëveshja duhet të sillet në Kuvend mirëpo ajo që duhet të ndodhë është se pavarësisht temave të ndryshme duhet të ulemi dhe të kemi veprime politike, jo të dhunshme. Ne gjithsesi jemi të sigurt se s’do të ketë 100% vota pro mirëpo është me rëndësi të jemi bashkë dhe të marrim vendimin politik e kjo është ajo që na duhet tash për tash”, ka thënë ai.
Lista Serbe nuk del nga koalicioni
Ndërsa për “hidhërimin” e Listës ‘Srpska’ pas miratimit të Ligjit për Trepçën, Pajaziti thotë se është çështje momentit. Sipas tij, partia të cilën e udhëheq Slavo Simiq nuk do të largohet nga koalicioni qeverisës, PDK-LDK.
“Besojë se me klimën që është krijuar në vite me radhë në mesin e komunitetit serb dhe përfaqësuesve të tyre janë të kuptueshme reagime e tyre. Mirëpo jam i bindur se integrimi i plotë i serbëve në institucionet tona është i domosdoshëm. Ky reagim mund të kuptohet por jam i sigurt se ata do të reflektojnë në interes të qytetarëve të tyre. Duhet t’i bindemi shumicës së vendimeve e sidomos për interesat madhore dhe asetet e rëndësishme të vendit tonë. Jam i sigurt se ata do të vazhdojnë siç kanë qenë pjesë e jetës normale politike në vend edhe pas aprovimit të Ligjit të Trepçës”, ka potencuar ai. /Indeksonline/


