Na bashkon Korrupsioni!
Mosveprimi i duhur dhe efikas, mosluftimi i krimit dhe korrupsionit në shtetin e ri të Kosovës, nga njohësit e zhvillimit 17- vjeçar të procesit të shtetndërtimit të ri, po alarmohet si rrezik real i shndërrimit të korrupsionit edhe në kulturë të shoqërisë, sepse në një vend ku nuk ka sundim të ligjit, ku prokuroria e gjyqësia nuk kryejnë punën e saj për të dërguar në burg peshqit e mëdhenj, njerëzve s’u mbetet gjë tjetër pos të kryejnë punët e tyre me anë korruptive, si në punësim, tenderë dhe kryerje të punëve në administratë.
Shumë e vështirë çrrënjosja e kësaj të keqeje të madhe.
“Dukuria e krimit dhe korrupsionit është e ndërlidhur midis dy strukturave, atyre ndërkombëtare dhe të vendit, duke e bashkërenditur aktivitetin. Kjo është vërtetuar edhe nga shumë prokurorë dhe gjykatës ndërkombëtarë”, tha prof. Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot”.
Mosveprimi i duhur dhe efikas, mosluftimi i krimit dhe korrupsionit në shtetin e ri të Kosovës, nga njohësit e zhvillimit 17- vjeçar të procesit të shtetndërtimit të ri, po alarmohet si rrezik real i shndërrimit të korrupsionit edhe në kulturë të shoqërisë, sepse në një vend ku nuk ka sundim të ligjit, ku prokuroria e gjyqësia nuk kryejnë punën e saj për të dërguar në burg peshqit e mëdhenj, njerëzve s’u mbetet gjë tjetër pos të kryejnë punët e tyre me anë korruptive, si në punësim, tenderë dhe kryerje të punëve në administratë, shkruan gazeta Kosova Sot.
Sidoqoftë, nga fakti që shteti i ri i Kosovës, që nga zanafilla e ndërtimit, është mbikëqyrur dhe mbështetur fuqishëm nga faktori ndërkombëtar, është vlerësim i njohësve të kësaj periudhe kohore dhe proceseve politike se edhe ndërkombëtarët mbajnë një pjesë të madhe të përgjegjësisë për vazhdimin e shtresimit të krimit dhe korrupsionit. Ky konstatim arsyetohet me faktin se ndërkombëtarët janë ata që po vazhdojnë të bashkëkomunikojnë dhe mbështesin këtë klasë politike dhe njëkohësisht, pothuajse çdo ditë, përsërisin konstatimin e tyre se mosfunksionimi i shtetit ligjor, kapja e sistemit nga politika, krimi dhe korrupsioni janë pengesa numër një. Një gjykim të tillë e ka edhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare Adlum Ramadani, sado që thotë se veprimi parësor do duhej iniciuar nga vendorët si përgjegjës me bazë në shtetndërtim, e gjykimi mbi ta duhet të vijë nga qytetari.
Edhe qytetarët kanë përgjegjësi
Sipas Ramadanit, faktori ndërkombëtar pa dyshim se mban një pjesë të madhe të përgjegjësisë për vazhdimin e shtresimit të krimit dhe korrupsionit në Republikën e Kosovës, në veçanti përgjatë këtyre pesë viteve të fundit, kur në pah dolën edhe aferat mes politikanëve dhe të deleguarve që në Kosovë ishin dhe vazhdojnë të jenë me mision të përkohshëm. “Kjo assesi nuk do të thotë që përgjegjësia është tërësisht mbi ta, në veçanti kur kemi parasysh që të njëjtët thjesht pranojnë klientelën vendore për aq gjatë sa qëndrojnë në Kosovë dhe vazhdojnë tutje, pra dua të them që përgjegjësia për thellimin e gjendjes së krimit dhe korrupsionit bie mbi qytetarët e Kosovës, të cilët pranojnë të jenë pjesë e saj përkundër rrezikut që i kanoset pastaj shoqërisë sonë”, tha Ramadani për “Kosova Sot”.
Sipas tij, mbështetja e klasës politike dhe bashkëbisedimet me ata, të cilët tashmë gjenden në listat e zeza nga ana e ndërkombëtarëve është një “must do” e tyre, për aq gjatë sa janë me misione në Kosovë, pasi që faktori ndërkombëtar nuk është i interesuar aq shumë në problemet e brendshme të Kosovës sa është i interesuar në stabilitetin rajonal. Kjo bën madje që edhe rreziku nga shndërrimi i korrupsionit në “kulturë” shoqërore të bëhet rrezik real, nëse nuk krijohet me kohë kultura e luftimit efikas. “Marrë parasysh që Republika e Kosovës është ende në etapat e proceseve të shtetndërtimit dhe formimit të kulturës shoqërore, pa dyshim se do të marrë kohë që sundimi i ligjit të bjerë në binarë, në veçanti mekanizmat e drejtësisë sikurse prokuroria dhe gjyqësia, kjo për faktin se krijimi i klaneve klienteliste në rrethana të mungesës së stabilitetit të brendshëm politik dhe paqes u ka hapur dyert atyre që të shtrijnë ndikimin në thuajse çdo instrument shtetëror”, u shpreh Ramadani./kosova sot/


