Ligji për investimet strategjike ushqen korrupsionin shtetëror
Deputetë të opozitës dhe ekspertët e kësaj fushe ankohen se Ligji për investime strategjike u bë me qëllim të caktuar për tenderët njëburimorë. Ligji në vete sjell një praktikë të re në Kosovë, pasi e eliminon konkurrencën.
Koalicioni po e thellon marrjen e mitës, po e rëndon ekonominë
Konkurrenca e ndershme po dëmtohet, operatorët po diskriminohen
Deputetë të opozitës dhe ekspertët e kësaj fushe ankohen se Ligji për investime strategjike u bë me qëllim të caktuar për tenderët njëburimorë. Ligji në vete sjell një praktikë të re në Kosovë, pasi e eliminon konkurrencën.
Qeveria e Kosovës e ka miratuar në parim Projektligjin për Investimet Strategjike më 1 dhjetor të vitit 2015. Procedimi i tij në Qeveri është bërë pas më shumë se tetë muajve që kur është dhënë ideja e parë për bërjen e një ligji që për synim ka tërheqjen e investitorëve strategjikë.
Ndërkaq, sipas propozuesve, përmes këtij ligji Qeveria synon nxitjen, tërheqjen dhe krijimin e kushteve për realizimin e investimeve strategjike në Republikën e Kosovës.
Sipas kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, ky ligj pritet të ndikojë në rritjen e investimeve të huaja në Kosovë përmes tërheqjes së investitorëve strategjikë, të cilët kanë refuzuar të përfshihen nëpër procedurat tenderuese në të kaluarën. Por, deputetë të opozitës dhe ekspertët e kësaj fushe ankohen se Ligji për investime strategjike u bë me qëllim të caktuar për tenderët njëburimorë. Ligji në vete sjell një praktikë të re në Kosovë, pasi e eliminon konkurrencën kur është fjala për investimet e mëdha strategjike që ndikojnë në uljen e papunësisë. Eliminimi i konkurrencës sjell në vete edhe shumë rreziqe. Kjo ka qenë edhe njëra ndër vërejtjet kryesore që i kanë dhënë Instituti GAP dhe Grupi për Studime Juridike e Politike (GSJP) këtij projektligji. Vërejtje të ngjashme ka bërë edhe zyra e BE-së.
Zyrtarët e lartë marrin më shumë kompetenca
Deputeti i opozitës, Enver Hoti (Nisma për Kosovën), përkujtoi se ky ligj, që është në fazën e hartimit nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ishte iniciuar për t’iu shmangur procedurave burokratike dhe tenderëve për tërheqjen e investimeve strategjike.
Hoti tha se hapja e tenderëve për të siguruar konkurrencë në projekte madhore ka dështuar disa herë në Kosovë për shkak të zvarritjes dhe tërheqjes së investitorëve. Mosdiskriminimi lidhet me dhënien e mundësisë të gjitha kompanive për të marrë pjesë në një privatizim apo një projekt të iniciuar nga shteti.
Hoti tha se nga burimet e opozitës brenda Qeverisë kanë bërë të ditur se këto vërejtje janë dhënë gjatë diskutimeve me BE-në për këtë ligj dhe se ende nuk ka vërejtje në formë të shkruar, meqë nuk është finalizuar drafti i këtij ligji.
Opozitari Hoti tha se Qeveria e Kosovës planifikon t’i përdorë praktikat e vendeve të rajonit dhe sidomos të Kroacisë për të shtyrë përpara një draft që i mundëson asaj t’i tërheqë investimet strategjike.
Por, sipas Hotit e keqja më e madhe në Projektligjin për Investime Strategjike është dhënia e kompetencave më të mëdha ministrave dhe kryetarëve komunave për fatin e pronave publike e shoqërore që është një mundësi e artë për keqpërdorim dhe trafikim të këtyre pronave, pasi në këtë mënyrë kryetarët e komunave dhe ministrat do të jenë në bisedime të drejtpërdrejta me investitorët e huaj potencialë dhe në bisedimet direkte e jo me ndërmjetësim, si ishte më parë. “E keqja është se kryetarët e komunave dhe ministrat do të munden që drejtpërdrejt të kërkojnë nga investitorët e huaj pjesën e vet të ryshfetit, për pronën komunale që po i jepet investitorit të huaj në shfrytëzim 99- vjeçar”, shprehet ai./kosova sot/


