Privatizimi që çoi Kosovën në krizë ekonomikePrivatizimi që çoi Kosovën në krizë ekonomike
Ekonomia e Kosovës është duke bartur pasojat e një procesi të privatizimit të dështuar të ndërmarrjeve shoqërore.
Ekspertë të çështjeve të ekonomisë kanë vlerësuar se privatizimi dëmtoi ekonominë e Kosovës dhe nuk ndihmoi aspak në rimëkëmbjen ekonomike. Kosova pati filluar privatizimin e përgjithshëm të ndërmarrjeve shoqërore në vitin 2003, në kohën kur vendet e rajonit e kishin përfunduar këtë proces. Procesi i privatizimit, në përgjithësi, në Kosovë është shoqëruar me kundërshtime dhe dilema të shumta.
Që nga fillimi i procesit të privatizimit në Kosovë janë shitur 1 290 asete të ndryshme të ndërmarrjeve shoqërore, me një vlerë mbi 660 milionë euro.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Ismajl Kastrati, në një bisedë për “Radion Evropa e Lirë” ka theksuar se këto ndërmarrje u shitën me çmime shumë të lira dhe iu shitën njerëzve, të cilët më pas ua ndryshuan destinimin ndërmarrjeve, duke i bërë dëm të madh ekonomisë së vendit. “Në vend se me mjetet e shitura nga fondi i privatizimit të rigjenerohet ekonomia, të rritej mundësia e punësimit, ndodhi e kundërta. Përmes procesit të privatizimit mbi 70 mijë punëtorë dolën nga puna, shumë nga ndërmarrjet e privatizuara u shndërruan në depo, në salla sportive, vend për ndërtimin e banesave, pajisjet u shiten si skrap, faktikisht patëm një proces të dyfishtë të dështuar të privatizimit”, ka theksuar Kastrati.
Ndërsa Berim Ramosaj, koordinator i Forumit të Politikave Zhvillimore, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se këta indikatorë të rritjes ekonomike tregojnë se Kosovës i duhen ndryshime të mëdha. “Gabimet më të mëdha, që padyshim se aty mund të kërkojmë zgjidhje, janë zhvillimet strukturore. Nuk e kemi bërë orientimin si duhet në aspektin e afirmimit të atyre degëve të cilat krijojnë edhe vende pune, edhe rritje ekonomike”, ka thënë Ramosaj.


