Fibrat në ushqim: Më e rëndësishme se kur i hani është sasia ditore
Marrja e mjaftueshme e fibrave gjatë ditës ndihmon në kontrollin e oreksit dhe në shëndetin e zorrëve.
Edhe pse një mëngjes i pasur me fibra mund të zgjasë ndjesinë e ngopjes, ekspertët këshillojnë që ato të shpërndahen në disa vakte, në vend që të konsumohen të gjitha menjëherë.
Një studim i botuar në British Journal of Nutrition, që shqyrtoi lidhjen mes mëngjesit, proteinave, fibrave dhe humbjes së peshës, zbuloi se personat që konsumonin të paktën 30 gramë fibra në ditë kishin kontroll më të mirë të oreksit dhe ndiheshin më të ngopur.
Përfitimet u vunë re edhe në shëndetin e zorrëve, pasi fibrat shërbejnë si ushqim për bakteret e dobishme të mikrobiomës.
Megjithatë, konsumimi i një sasie të madhe fibrash në një vakt të vetëm mund të shkaktojë fryrje, gazra, dhimbje barku, kapsllëk ose diarre, veçanërisht te personat që nuk janë mësuar me një dietë të pasur me to.
Prandaj, nutricionistët rekomandojnë rritjen graduale të konsumit dhe shpërndarjen e fibrave në disa vakte gjatë ditës.
Për shumicën e të rriturve, një objektiv praktik është rreth 25–30 gramë fibra në ditë, megjithëse nevojat mund të ndryshojnë.
Bollguri, drithërat integrale, frutat, perimet, fasulet dhe thjerrëzat janë burime të mira për të arritur këtë sasi.
Po ashtu, orizi i bardhë dhe makaronat mund të zëvendësohen herë pas here me alternativa integrale, ndërsa bishtajoret mund të shtohen në supa dhe sallata.
Sipas eksperteve të cituara nga Verywell Health, nuk ka një orar të vetëm ideal për konsumimin e fibrave.
Ajo që ka më shumë rëndësi është sasia totale e marrë gjatë ditës, duke e rritur gradualisht dhe duke pirë mjaftueshëm ujë. /Telegrafi/

