Qeveria përpiqet t’i mashtrojë investitorët
Miratimi i një ligji të veçantë për investime strategjike, nga analistët dhe specialistët e fushës së ekonomisë po shihet si mjaft i dobishëm dhe frytdhënës për t’i ofruar disa përparësi dhe privilegje investitorëve që konsiderohen strategjikë. Por, akoma mbetet mister se kur do ta miratojë Qeveria ligjin në fjalë, derisa në anën tjetër e mjegullt mbetet edhe çështja se cilat janë dyshimet e PDK-së ndaj këtij ligji, që e bllokoi vetë.
Ndaj, në këtë drejtim është shtuar edhe dilema se realizimi i këtij ligji a do t’ua hapte derën edhe më tej korrupsionit e krimit të organizuar nga qeveritarët aktualë, dhe se a do të shërbente veçse për të trafikuar edhe asetet e fundit për motive korruptive dhe jo për qëllime të zhvillimit ekonomik, punësimit apo mirëqenies në vend? Eksperti për financa Xhevat Meha, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se në Kosovë veçse është miratuar një kornizë e mirë ligjore për investimet e jashtme, por, sipas tij, problemi ekziston te niveli i ulët i zbatimit të ligjeve.
Ai më tej ka bërë me dije se ligji i veçantë për investime strategjike bëhet me qëllimin për t’i ofruar disa përparësi ose thënë ndryshe privilegje investitorëve që konsiderohen strategjikë.
Me Qeveri të papërgjegjshme, ligjet nuk kanë efekt
Sipas Mehës, qeveritë e shteteve demokratike nuk kanë ligje të veçanta për investime strategjike, dhe ato zbatojnë politika qeveritare që nxisin investimet në fushat për të cilat qeveria i konsideron si strategjike për zhvillimin e vendit. “Ndërkaq, Qeveria e Kosovës ka dy vjet që proklamon ligj të veçantë për investime strategjike, por, pavarësisht kësaj, po të ishte Qeveri e duhur, politikat që do t’i kishte zbatuar për dy vjet do të kishin dhënë efektet e duhura për nxitjen e investimeve në fushat të cilat Qeveria i konsideron strategjike për zhvillimin e vendit dhe nuk do të kishte nevojë për një ligj të veçantë, por problemi qëndron aty se Qeveria e Kosovës nuk i ka të identifikuara qartazi se cilat janë fushat strategjike, ngase po të ishin identifikuar siç duhet do të ndërtonte dhe do të zbatonte politika nxitëse zhvillimore për këto fusha”, është shprehur më tej ai.
Meha më tej ka nënvizuar se ligjet për investime strategjike në vendet në zhvillim, siç është Kosova, mund të përdoren si instrument për nxitjen e investimeve në fusha të veçanta, por, sipas tij, kësi lloj ligjesh kryejnë funksionin vetëm në kushtet, siç tha, kur Qeveria është e përgjegjshme dhe llogaridhënëse, si dhe në kushtet ku niveli i zbatueshmërisë së ligjit është i lartë. ” Por, në Kosovë kemi nivel tepër të ulët të zbatimit të ligjit, po ashtu Qeveri jo të përgjegjshme dhe Qeveri jo llogaridhënëse, pastaj në Kosovë kemi nivel të lartë të krimit të organizuar, të lidhjes së zyrtarëve të lartë shtetërorë me krimin, andaj në këto kushte, ligji për investime strategjike në fakt është instrument për përfitime edhe më të larta personale të zyrtarëve të lartë shtetërorë përmes lidhjeve të tyre me krimin. Kur kësaj i shtohet edhe fakti se Qeveria e Kosovës nuk i ka të identifikuara dhe të elaboruara qartazi fushat që i konsideron strategjike për zhvillimin e Kosovës, edhe më tepër forcohet përfundimi se ligji për investime strategjike është vetëm edhe një instrument shtesë i zyrtarëve të lartë shtetërorë për forcimin e krimit të organizuar”, ka deklaruar eksperti për financa, Xhevat Meha./kosova sot/


