Përgjegjësit për ndëshkimet milionëshe të dalin para drejtësisë
Ekspertët propozojnë ligj të posaçëm, që do ta adresonte përgjegjësinë juridike në rastet kur po dështojnë projekte të mëdha dhe askush nuk po jep llogari, edhe pse Qeveria më pas po humb thuajse çdo kontest në gjykata apo arbitrazhe ndërkombëtare.
Kontestet e humbura ekonomike në Arbitrazh apo edhe në gjykata ndërkombëtare, siç ishte rasti me tenderin e pasaportave ku Kosova u dënua me 5 milionë euro, apo edhe të tjera që mund të kenë fatin e ngjashëm si rasti i PTK-së, apo edhe i Brezovicës etj., sipas njohësve dhe specialistëve të fushës së ekonomisë doemos duhet të shfrytëzohen që të nxirren mësime në mënyrë që rastet e ardhshme të përcillen dhe monitorohen më shumë.
Sipas tyre, rastet e tilla kur është dëmtuar shteti dhe që kanë ardhur si pasojë e neglizhencës që bëhet nga personat kompetentë nëpër organizata buxhetore, të cilët nuk i përfillin procedurat dhe nuk angazhohen sa duhet, të njëjtit duhet të përgjigjen para ligjit dhe të dënohen.
Profesori universitar, Muhamet Sadiku, njohës i çështjeve makroekonomike në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se së pari duhet të mësohemi se duhet të krijohet një kulturë në tregti, në mënyrë që të gjithë njerëzit dhe bizneset për të qenë të barabarta para ligjit, derisa, sipas tij, kjo nuk duhet ta befasojë askënd, pasi, siç tha, sa më tepër që të thellohen reformat ekonomike atëherë do të jetë e nevojshme që Kosova të forcojë sa më shumë sistemin e drejtësisë që ajo të bëhet e arritshme për të gjithë.
Asetet publike qeverisen keq “Kjo që në të kaluarën kemi probleme të mëdha në disa vendime, të cilat janë marrë dhe tani Kosova duhet të paguajë një kosto para vendimeve të gjyqeve të ndryshme, si edhe rasti i PTK-së, ku vërtet Kosova mund të gjobitet nga arbitrazhi ndërkombëtar apo gjyqet e tjera ndërkombëtare është brengosësh, por edhe që tregon se shumë procese gjatë privatizimit të ndërmarrjeve dhe proceseve gjatë shitjes së kompanive publike nuk janë përcjellë dhe as monitoruar sa duhet dhe të gjitha ato grupe ndërministrore që kanë punuar kanë dëshmuar se nuk e njohin problematikën e shitjes së aseteve strategjike të Kosovës”, tha Sadiku. “Pra, është mirë që të nxirren mësime nga këto dështime, sepse po vijmë në një situatë që Kosova duhet të paguajë para të mëdha për dështime në udhëheqjen e reformave ekonomike, po ashtu duhet të paguajë para të mëdha për kontestet e ndryshme gjyqësore, prandaj tejkalimi i kësaj situate është i ndërlidhur me problemin e përmirësimit të qeverisjes me asete publike në Kosovë, po ashtu me privatizim etj”.
Më tej, Sadiku ka nënvizuar se reforma e mëtutjeshme në ekonomi dhe politikë është e ndërlidhur me fuqizimin e sistemit të drejtësisë, po ashtu, siç tha, ndërtimin e kapaciteteve brenda tek ndërmarrjet të cilat janë të targetuara për shitblerje, pastaj për funksionimin mbi bazën e modelit të partneritetit publiko-privat.
Paraja e shtetit, “pa dhimbtë” Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, tha për gazetën “Kosova Sot” se procedurat e zbatimit të marrëveshjeve në procesin e prokurimit, të investimeve publike, ka raste kur ndërpriten njëanshëm për arsye të ndryshme, qoftë ato për shkak të ndonjë skandali apo për aspekte të ndryshme, derisa sipas tij ato gjithmonë përfundojnë me ditën që ndërpritet marrëveshja nga njëra palë. Por, siç tha, normalisht që ato procedohen nëpër procedura gjyqësore më të rënda, po ashtu me efekt negativ për buxhet.”Janë këto që kanë të bëjnë me partnerë të jashtëm, kur pala është e jashtme dhe paditë jashtë vendit dhe gati 100 për qind të rasteve ata i fitojnë këto procese dhe në këtë mënyrë e dëmtojnë shumë buxhetin e vendit. Normalisht pala që është private organizohet dhe përgatitet mirë me avokatë dhe me krejt, derisa gjithmonë u përgjigjet edhe ftesave të gjykatave që të marrë pjesë dhe ta shtyjë lëndën e vet përpara, derisa në anën tjetër këta të institucioneve shtetërore, meqenëse nuk i kanë personale ato të holla, e neglizhojnë atë proces dhe thuajse gjithmonë i humbin këto ballafaqime dhe pa dyshim paguhen nga buxheti i vendit me kamata, me dëmshpërblime, përveç vlerës që ka qenë në atë kontratë”, ka thënë ai./kosova sot/

