Republika po zhytet në varfëri dhe borxhe
Pasojat e qeverisjes së dështuar në zhvillimin ekonomik. Nuk gjenerohen të hyra, merren kredi të larta.
“Një ditë do të jemi në situatë, ku me borxh do të paguajmë borxhet dhe assesi nga neto fitimi apo rritja ekonomike që ne të paguajmë borxhin dhe të kemi fonde, të cilat do të garantojnë qytetarin se shteti nuk do të vijë në krizë për t’i kthyer borxhet”, theksoi kreu i AKB-së Agim Shahini
Marrja e kredive të mëdha nga Qeveria e vendit po rrezikon kësisoj që ta zhysë gradualisht vendin në borxhe, teksa në anën tjetër gjendja bëhet më shqetësuese kur dihet se nuk ka nga të marrë fonde dhe të gjenerojë të hyra, në mënyrë që të shlyejë këto borxhe.
Andaj, edhe njohësit e ekonomisë dhe specialistët e kësaj fushe kanë ngritur shqetësimin e tyre se, për shkak të borxheve, vendi nuk do të jetë në gjendje që të gjenerojë investime të reja, dhe si rrjedhojë do të vijë një ditë kur do gjendemi në situatë që me borxh do të paguhen borxhet dhe assesi nga neto fitimi apo rritja ekonomike. Po ashtu, në këtë drejtim është shtruar edhe pyetja se përse Qeveria nuk merret fare me stopimin e kontrabandës në kufi dhe evazionit fiskal, të cilën dyshohet se po e bëjnë mafio-oligarkët financiarë-biznesorë, të lidhur me mafinë zyrtare të instaluar në pushtet?
Dogana së fundmi ka raportuar se është rritur numri i kundërvajtjeve, krahasuar me vitin e kaluar. Kreu i AKB-së, Agim Shahini, në një prononcim për gazetën, “Kosova Sot”, ka thënë se ani pse rritja ekonomike në Kosovë është pozitive, prapëseprapë ajo është e vogël në krahasim, siç tha, me kërkesat dhe standardin i cili kërkon që të jetë më i lartë së paku dyfish. “Andaj, kjo bën që institucionet e Kosovës të futen në borxhe për të krijuar një ritëm të rritjes pozitive, derisa nga borxhet dhe nga investimet që po ndodhin ne nuk do të gjenerojmë investime të reja”, theksoi ai./kosova sot/


