UBT

Kapja e shtetit degradon biznesin

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Analistët e ekonomisë dhe specialistët e kësaj fushe thonë se të bërit biznes sot në Kosovë është tepër vështirë, ngase, sipas tyre, entet dhe agjencitë e pavarura kontrollohen nga nëntoka e Kosovës.

Nisur nga kjo ata kanë ngritur edhe shqetësimin se rrjedhimisht po rrënohet ekonomia kosovare nga qeveritarët, që nuk kanë njohuri nga biznesi, por ata vetëm shikojnë se çka mund të përfitojnë për veten e tyre, shkruan gazeta Kosova Sot.

Në këtë drejtim është shtuar edhe dilema se sa janë penguar e madje edhe shkatërruar bizneset private nga politikanet e nëntokës, të cilët kanë krijuar bizneset e tyre të jashtëligjshme dhe në hije, duke dashur e vepruar në atë mënyrë që bizneset e tjera konkurrente në treg t’i zhdukin fare nga tregu deri në shuarjen dhe falimentimin e tyre.

Bankieri dhe njohësi i çështjeve të ekonomisë, Milazim Abazi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot” ka thënë se të bësh sot biznes në Kosovë vërtet është vështirë, ngase, sipas tij, entet dhe agjencitë e pavarura kontrollohen nga nëntoka.

Tre-katër njerëz, nëntoka e Kosovës

Mobi Casa

” Këtë nëntokë fatkeqësisht e paraqesin tre-katër njerëzit kryesorë të shtetit, derisa në anën tjetër sado që t’i plotësojë kushtet, të cilat i kërkon një ent rregullator, apo agjenci e pavarur, bizneset e ndershme nuk mund të marrin licenca pa iu nënshtruar kapo-bandës shtetërore”.

Andaj, sipas tij, rrjedhimisht kjo e bën të rëndë klimën e biznesit në Kosovë, si për investitorët vendorë, ashtu edhe për ata ndërkombëtarë. “Fatkeqësisht këtë të vërtetë e dinë edhe prezencat e huaja në Kosovë dhe ata vazhdojnë të përkrahen prej tyre”, është shprehur bankieri Milazim Abazi.

Ish kryetari i Odës Ekonomike, Ismail Kastrati, thotë se është e vërtetë se ekonomia e Kosovës nuk gjendet në pozitë të mirë, pavarësisht asaj, siç tha, se ekzistojnë disa disiplina fiskale.

Sipas tij, shkaku se përse ekonomia e Kosovës nuk është në nivelin dinamik të zhvillimit, që do të mundësonte kësisoj zvogëlimin e papunësisë, ndërlidhet me Qeverinë e dështuar. Kastrati në këtë drejtim tha se “janë pikërisht njerëzit jokompetentë qeveritarë, të cilët shpeshherë edhe punojnë për interesat e grupeve apo grupacioneve, përkatësisht të nëntokës së Kosovës”./kosova sot/