‘Pronto 2’ zbardh fijet kriminale të pushtetit mbi ekonominë
Përgjimet e zbuluara dhe të zbardhura ditën e hënë kanë vërtetuar dhe shpërfaqur edhe një herë lidhshmërinë e Adem Grabovcit me vëllezërit e shumëpërfolur ‘Devolli’, të cilët nga mbështetja e Grabovcit&CO dyshohet se kanë përfituar qindra miliona euro, duke filluar nga rrëmbimi i paligjshëm i ‘Z-Mobile’, pastaj nga hajnia që u bëhet për shumë vjet qytetarëve përmes homologimit, derisa licencën monopoliste ia ka lëshuar atyre pikërisht Ministria ku Grabovci kishte qenë zv.ministër, e më pastaj tek shumë licencat për terminale doganore, heqja e akcizës në kafe e shumë e shumë favore të tjera në dëm të shtetit e në të mirë të vëllezërve Devolli dhe politikanëve të llojit Grabovci të lidhur me të, shkruan gazeta Kosova Sot.
Në këtë drejtim është shtuar edhe dilema nëse gjetjet në fjalë nga përgjimet e EULEX-it janë pikërisht argumente bindëse se pse në Kosovë ka ngecur zhvillimi i mirë- filltë ekonomik, derisa në anën tjetër, edhe pse prej vitesh shkruhet e dihet se në Kosovë sundon nëntoka kriminale, deri më sot, fatkeqësisht, nuk është bërë asnjë veprim apo hetim serioz nga Prokuroria e Shtetit.
Analisti Shefqet Dibrani, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se jo vetëm përgjimet e tashme që u bënë publike, por, sipas tij, për qytetarin e Kosovës është i njohur emri i Adem Grabovcit edhe me rastin e mëhershëm “PRONTO”, derisa, siç tha, për fat të keq, as Prokuroria dhe as partia e tij nuk ndërmorën masa, duke lënë kësisoj dyshime se bosët janë të paprekshëm.
Kriminaliteti ekonomik me rrënjë të thella
Në këtë drejtim, Dibrani thotë se sikur Adem Grabovci të ishte vërtet një engjëll kanë mjaftuar këto dy raste për të mos e falur Prokuroria.”Publikimi i përgjimeve të fundit vetëm sa e thellon grotesken e krimit dhe rrit dëshpërimin për pafuqinë juridike për të vepruar. Ky rast na vetëdijeson edhe më mirë, kurse njohësve të kësaj problematike, përkatë- sisht analistëve dhe gazetarëve, duhet t’u japë forcë dhe t’i inkurajojë për të shkruar e hulumtuar, pasi ka shpresa se vendit do t’i kthehet shpresa për perspektiva të reja. Tashmë e kemi të qartë se sa thellë dhe deri ku i ka shtrirë rrënjët në krim, në kriminalitet ekonomik dhe politik Adem Grabovci, i cili ka përgjegjësi të madhe për gjendjen e krijuar në Kosovë, qoftë ajo në planin ekonomik apo në atë politik”, ka theksuar ai.
Më tej, Dibrani ka nënvizuar se tashmë edhe zyrtarisht po dihen lidhjet e tij me Shkëlqim Devollin, kurse aferat e Devollëve janë të shumta, qoftë ato me akcizën për kafe, pastaj skandali me miellin, terminalet doganore, ‘Z-Mobile’ dhe afera të tjera më pak të përfolura, siç tha dëftojnë mënyrën e shtrirjes së rrjetit kriminal. “Natyrisht, Adem Grabovci nuk ka vepruar i vetmuar, por ka një logjistikë mirë të ndërtuar, e cila ka prekur të gjitha partitë politike, ka involvuar organizata joqeveritare dhe ka kapur sistemin e drejtësisë, i cili siç duket bën atë që i thotë Grabovci, apo ato që nuk ia prishin terezinë atij”, potencoi ai./kosova sot/


