Qeveria e evazionit nuk e rrit dot buxhetin
Ndonëse javën e shkuar, pas shumë polemikave, madje edhe të deputetëve të koalicionit qeverisës, PDK-LDK, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar rishikimin e buxhetit të Kosovës, që është afro 1 miliard e 600 milionë euro, njohësit e kësaj fushe ankohen se ekonomia e brishtë e vendit nuk do të ketë shumë të mira nga ky rishikim buxheti.
Sipas tyre, Qeveria e Isa Mustafës po dështon të rrisë të hyrat në arkën e shtetit dhe që ta zvogëlojë shkallën shumë të lartë të informalitetit. Analistë ekonomie dhe deputetë të opozitës thonë se për të gjitha qeveritë e pasluftës në Kosovë, përfshirë këtu edhe Qeverinë aktuale të Isa Mustafës nuk ka qenë dhe nuk mbetet prioritet i luftimit të korrupsionit, evazionit e kontrabandës edhe në këtë sektor neuralgjik dhe shumë domethënës për mbledhjen e buxhetit të shtetit.
Lideri i AKB-së, Agim Shahini, tha se, ndonëse Kuvendi i Kosovës miratoi rishikimin e buxhetit, mbetet pesimist në efektet e tij në rritjen ekonomike.
Ekonomia joformale në rritje
Shahini tha se ekonomia joformale në Kosovë nga viti në vit ka shënuar rritje dhe kjo për arsye se institucioneve shtetërore, vitin e kaluar dhe gjatë këtij viti, u ka marrë shumë kohë konsolidimi i tyre, por edhe bisedimet me Serbinë. “Ekonomia joligjore dhe zhvillimi ekonomik kanë mbetur anash dhe kjo bëri të ngecë zhvillimi i vendit. Ndryshe, ndër shkaktarët e informalitetit është edhe mosfiskalizimi i një numri të madh të bizneseve që ngeli në gjysmë rruge”, tha ai. “Duhet hequr inspektorët e korruptuar, duke i zëvendë- suar me inspektorë të rinj e të ndershëm dhe me këto ndryshime themi se bizneset janë të barabarta”, u shpreh më tej Shahini. Sipas tij, analizat dhe hulumtimi i bërë nga AKB-ja ka treguar se po të luftohej më shumë informaliteti nga Qeveria jonë, buxheti i vendit do të ishte më i madhe për afro 1 miliard e 700 milionë euro.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Bali Muharremaj (AAK) thotë se nga miratimi i buxhetit të vendit, që u bë ditë më parë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, nuk do t’i sjellë kurrfarë dobie ekonomisë së brishtë kosovare, sepse Qeveria e Isa Mustafës po dështon qëllimisht që të rrisë të hyrat në arkën e shtetit dhe në të njëjtën kohë që ta zvogëlojë shkallën e informalitetit që, sipas Bankës Botërore, sillet nga 35 – 40 për qind dhe bëhet për zhvatje të buxhetit të vendit. “Heshtja e kësaj Qeverie lë vend për dyshime se kjo po bëhet qëllimisht nga pushtetarët aktualë, sepse po duket se edhe ata përfitojnë pjesën e tyre të hises nga biznesi i pistë, sikurse edhe pushtetarët e mëhershëm të dekadës së fundit”, tha Muharremaj./kosova sot/


