Nënkryetarja e Kamenicës, Arta Bajralija, merr pjesë në konferencën për transformimin digjital në Berlin
Kamenicë – Nënkryetarja e Komunës së Kamenicës, Arta Bajralija, ka marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare “Smart Country Convention 2026”, e mbajtur në Berlin të Gjermanisë, e cila i kushtohet transformimit digjital të institucioneve publike dhe modernizimit të administratës.
Gjatë qëndrimit në Berlin, Bajralija ka zhvilluar edhe një takim me udhëheqësin e projektit, Jusuf Hadziselimovic, me të cilin ka diskutuar për zhvillimin dhe avancimin e proceseve digjitale.
Bajralija ka vlerësuar se pjesëmarrja në konferenca të tilla krijon mundësi për shkëmbimin e përvojave dhe njohjen me praktikat më të mira ndërkombëtare në fushën e digjitalizimit.
Ajo ka theksuar se Komuna e Kamenicës mbetet e përkushtuar në modernizimin e shërbimeve publike, me synimin për të rritur efikasitetin e administratës komunale dhe për të lehtësuar qasjen e qytetarëve në shërbimet komunale përmes zgjidhjeve digjitale.
Sipas të dhënave të prezantuara në njoftim, konferenca “Smart Country Convention 2026” ka mbledhur mbi 30 mijë pjesëmarrës, më shumë se 900 folës dhe mbi 650 ekspozues. Gjatë tri ditëve të aktivitetit janë zhvilluar rreth 1.400 sesione në shtatë skena, ku janë prezantuar risi teknologjike dhe praktika për avancimin e administratës publike./rajonipress/

