Në Gjilan shpërndahen certifikata për 100 të rinj
Gjilan – Komuna e Gjilanit, me mbështetje të Care international dhe financim të Bashkimit Europian, ka shpërndarë sot 100 certifikata për të rinjtë dhe studentët, të cilët kanë mbajtur praktikë pune në biznese të ndryshme të regjionit të Gjilanit për një kohëzgjatje tre mujore dhe prej tyre rreth 30 për qind tashmë kanë vazhduar kontratat edhe pas përfundimit të projektit.
Me këtë rast në emër të Komunës së Gjilanit, nënkryetari Rexhep Kadriu, përcjellur vendosmërinë e kryetarit Haziri, për mbështetje dhe bashkë pjesëmarrje në të gjitha projektet dhe programet që kanë karakter punësimi dhe zhvillimi për Gjilanin.
“Komuna e Gjilanit në politikat e saj qeverisëse ndër prioritetet me rëndësi të veçantë ka zhvillimin ekonomik, agrar dhe punësimin e të rinjëve. Kryetari Haziri ka ofruar përherë mbështetjen e vazhdueshme në këtë drejtim me qëllim të zhvillimit të bizneseve të vogla dhe të mesme dhe agrobizneseve. Çdo vend i ri i punës është me rëndësi të veçantë për Komunën e Gjilanit, sepse vetëm kështu mund të arrihet zhvillim i qëndrueshëm ekonomik dhe njëkohësisht edhe qëndrueshmëri financiare të familjeve gjilanase. Ndjehem shumë mirë që rreth 30 për qind e këtyre praktikantëve, falë edhe angazhimit dhe gatishmërisë së tyre, kanë vazhduar tashmë kontratat edhe për të ardhmen nëpër këto biznese”, ka thënë nënkryetari Kadriu.
Në emër të zyrës së BE-së në Kosovë, ka folur Libor Chlad, zëvendës shef i Seksionit të Bashkëpunimit, i cili, ka falënderuar të gjithë akterët për angazhimin dhe punën që kanë bërë në jetësimin praktik të projekteve të BE-së.
“Ajo që kemi parë gjatë kësaj kohe është një përkushtimi i fuqishëm dhe një angazhim konkret në mbështetje agrobizneseve dhe gjenerimit të vendeve të reja të punës dhe kjo është arritur me sukses. Edhe sa i përket punës praktike, është fat shumë i madh që tashmë kemi rreth 30 për qind të këtyre të rinjëve që kanë siguruar tashmë një vend pune. Projektet e Komisionit Evropian janë të shumta, prandaj inkurajojmë që të punohet në këtë drejtim që sa më shumë projekte të vijnë në komunën tuaj, sepse po shihet që numri i përfituesve është shumë i madh”, tha Chlad.
Ai ka përmendur serrat e ndërtuara, kultivimi i bimëve të ndryshme mjekësore dhe aromatike që dhe shumë përfitime të tjera që ka Gjilani.
“Përkrahja e Agrobizneseve në Regjionin e Gjilanit” është projekt i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga CARE International në partneritet të ngushtë me ATRC-në dhe Komunën e Gjilanit, duke përshkruar shtyllat kryesore në të cilat zbatohej ky projekt si në zhvillimin e bujqësisë, zhvillimin ekonomik, avokimin dhe lobimin e me theks të veçantë rezultatet e arritura në punësim./rajonipress/

