Mobi Casa

Mustafa: Kosova pjesë e paqes, e stabilitetit dhe mirëqenies në rajon dhe në botë

/ 23 minuta lexim
Eco Higjiena

Prishtinë – Kryeministri po ashtu foli për sukseset e Kosovës në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Ne i kemi shpall luftë të hapur korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe përkundër kësaj, kemi një percepcion të lartë në opinion lidhur me prezencën e korrupsionit”, tha kryeministri, duke shfaqur orientimin e Kosovës që të jetë pjesë e paqes, e stabilitetit dhe e mirëqenies në rajon dhe në mbarë botën.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në punimet e Takimit Ndërkombëtar të Lidershipit, në të cilin po marrin pjesë rreth 250 përfaqësues nga shtete të ndryshme të botës.

Kryeministri Mustafa, po ashtu, ka zhvilluar një takim të veçantë me ish-guvernatorin e Karolinës së Jugut, David Beasley, dhe pjesëmarrës të tjerë të nivelit të lartë në Takimin Ndërkombëtar të Lidershipit në Prishtinë.

Para të pranishmëve, kryeministri Isa Mustafa ka prezantuar progresin e madh që është arritur në Kosovë si dhe sfidat me të cilat është ballafaquar vendi gjatë këtyre viteve si dhe ka shpalosur prioritetet dhe orientimet kryesore në vitet në vijim.

Fillimisht, kryeministri Mustafa foli për sfidat me të cilat është ballafaquar Kosova që nga lufta e tutje.

Kryeministri u ndal kryesisht në vështirësitë e zhvillimit ekonomik si pasojë e dëmeve të para dhe gjatë luftës, në proceset që lidhen me ndërtimit e shtetit,
pas shpalljes së pavarësisë në fuqizimin e shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar, marrëdhëniet fqinjësore, proceset integruese euroatlantike si dhe proceset tjera.

“Pas luftës jemi ballafaquar me shumë probleme, me ato të ndërtimit të institucioneve demokratike, me ndërtimin e ekonomisë, e cila ka trashëguar një dezinvestim së paku dhjetëvjeçar para lufte, por edhe në ndërtimin e paqes, në ndërtimin e besimit ndëretnik, si dhe në ndërtimin e marrëdhënieve me vendet fqinje dhe vendet tjera. Ne kemi arritur t’i realizojmë shumë nga këto qëllime tona. Mendojmë se në pikëpamje të ndërtimit dhe strukturës shtetërore, është arritur mjaft shumë. Në pikëpamje të zhvillimit ekonomik, tani e kemi sfidë kryesore edhe prioritet kryesor, i cili ndërlidhet edhe me rritjen vjetore të GDP-së që ne kemi menduar ta arrijmë deri në atë masë, që ajo përballon fluksin vjetor të papunësisë që e kemi dhe fillon pastaj ta zgjidhë këtë problem. Këtë vit, sipas statistikave zyrtare, llogarisim që do të kemi rritjen e GDP-së rreth 4 për qind, që është më e larta në regjion”, tha kryeministri.

Duke u ndalur të procesi i liberalizimit të vizave, kryeministri Mustafa tha se Kosova ka përmbushur plotësisht 95 kriteret e kërkuara nga Komisioni Evropian në këtë proces.

Kryeministri po ashtu foli për sukseset e Kosovës në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Ne i kemi shpall luftë të hapur korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe përkundër kësaj, kemi një percepcion të lartë në opinion lidhur me prezencën e korrupsionit”, tha kryeministri, duke shfaqur orientimin e Kosovës që të jetë pjesë e paqes, e stabilitetit dhe e mirëqenies në rajon dhe në mbarë botën.

Fjala e plotë e kryeministrit Mustafa:

Kam kënaqësi të veçantë që sot të flas para liderëve ndërkombëtarë, para jush që përfaqësoni shumë shtete, shumë kultura, shumë ekonomi, para miqve tanë që na kanë ndihmuar që ne të jemi këta që jemi sot, të kapërcejmë shumë situata të rënda që kemi pasur gjatë dhe pas luftës, të ndërtojmë një vend demokratik, të lirë, një vend, në të cilin të gjithë ne së bashku pa marrë parasysh përkatësinë etnike, fetare dhe sociale, po i përballojmë sfidave të shtetndërtimit.

Pas luftës jemi ballafaquar me shumë probleme, me ato të ndërtimit të institucioneve demokratike, me ndërtimin e ekonomisë, e cila ka trashëguar një dezinvestim së paku dhjetëvjeçar para lufte, por edhe në ndërtimin e paqes, në ndërtimin e besimit ndëretnik, si dhe në ndërtimin e marrëdhënieve me vendet fqinje dhe vendet tjera.

Ne kemi arritur t’i realizojmë shumë nga këto qëllime tona. Mendojmë se në pikëpamje të ndërtimit dhe strukturës shtetërore, është arritur mjaft shumë. Në pikëpamje të zhvillimit ekonomik, tani e kemi sfidë kryesore edhe prioritet kryesor, i cili ndërlidhet edhe me rritjen vjetore të GDP-së që ne kemi menduar ta arrijmë deri në atë masë, sa ajo përballon fluksin vjetor të papunësisë që e kemi dhe fillon pastaj ta zgjidhë këtë problem.

Dua t’ju njoftoj se llogarisim që kemi diku mbi 30 për qind shkallën e papunësisë në Kosovë, natyrisht se të dhënat ndryshojnë varësisht prej institucioneve, prej Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore, Institutit të Statistikave, organizatave hulumtuese të vendit. Mirëpo, në këtë papunësi, kemi edhe punësim informal, që sillet në suaza të asaj çfarë janë informalitetet në vendet fqinje, që llogariten si informalitete përgjithësisht arrijnë deri në 30 për qind, përfshirë edhe punësimin.

Ne mendojmë se duhet të arrijmë një shkallë të rritjes vjetore të GDP-së rreth gjashtë për qind, në mënyrë që pastaj shkalla e punësimit vjetor të jetë rreth pesë për qind së paku dhe ajo do të përballonte fluksin e të papunëve që në tregun e punës hyjnë rreth 25 mijë vetë gjatë vitit.

Këtë vit, sipas statistikave zyrtare, llogarisim që do të kemi rritjen e GDP-së rreth 4 për qind, që është më e larta në regjion. Natyrisht se edhe këtu kemi diferenca të vlerësimeve ndërmjet Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore dhe të tjerëve, mirëpo, llogarisim që të sillet diku 4 për qind, por për vitin e ardhshëm llogarisim që do të ketë rritje më të madhe ekonomike, sidomos me investimet që do të kemi në Termocentralin “Kosova e Re”, që është një investim rreth një miliardë euro, që do ta realizojmë përmes partnerëve privat amerikanë.

Jemi të interesuar që të tërheqim sa më shumë investime të drejtpërdrejta të jashtme. Po punojmë në një ligj për investime strategjike, që mundëson marrëveshjet e drejtpërdrejta me investitorë të jashtëm. Natyrisht se edhe këtu i kemi limitet tona, të cilat sidomos sillen tek transparenca, sepse dëshirojmë që investimet krejtësisht të jenë transparente, të jenë konkurruese, por poashtu edhe ne të jemi konkurrues me vendet fqinje në pikëpamje të ofertave që ata bëjnë për ardhjen e investitorëve të jashtëm.

Ne kemi një sistem bankar, i cili është shumë i shëndoshë, te i cili kemi rënie të riskut të moskthimit të kredive, që është më i ulët se në vendet në regjion. Kemi pasur vitin e kaluar, por edhe këtë vit, rënie të normave të interesit, që kreditë pastaj po bëhen më të përballueshme për bizneset dhe poashtu edhe përmirësim sa i përket afateve të dhënies së kredive, sepse këto afate gjithnjë e më tepër po rriten dhe po krijojnë kushte më të mëdha për zhvillimin e prodhimtarisë.

Tek struktura ekonomike, mund t’ju them se ende mbizotërojnë shërbimet, tregtia dhe më pak prodhimi. Kjo është edhe arsyeja që ne kemi një bilanc tregtar shumë negativ, sepse mbulimin e importeve me eksport e kemi shumë të ulët.

ARKATANA

Ne po marrim masa që kryesisht të investojmë në bujqësi, në mënyrë që të mos importojmë produkte ushqimore dhe ato produkte që i prodhojmë brenda, t’i plotësojmë më tepër nevojat dhe poashtu të krijojmë kushte për eksport.

Për ne, një mundësi e madhe është edhe Marrëveshja për Stabilizim Asociim, që e kemi nënshkruar vitin e kaluar dhe e cila ka hyrë në fuqi me 1 prill të këtij viti dhe, e cila mundëson që produktet tona të jenë prezentë edhe në tregun e Bashkimit Evropian. Është një treg prej mbi 500 milionë banorëve që për ne është një potencial shumë i rëndësishëm, por natyrisht se vetë numri i konsumatorëve dhe tregu nuk është domethënëse sa është domethënëse aftësia konkurruese e jona dhe ne do të bëjmë përpjekje që ta rrisim këtë aftësi, në mënyrë që produktet tona të jenë konkurruese me produktet e vendeve të BE-së.

Trendi i kësaj konkurrueshmërie mund të them se është i mirë, sidomos viteve të fundit, sepse kemi biznese dhe biznesmenë, të cilët janë konkurrues me vendet e tjera. Por, duhet të punojmë edhe më shumë që të jemi edhe më konkurrues dhe që produktet tona të jenë në Bashkimin Evropian dhe vendet e tjera, si dhe të krijojmë mundësi që të përmirësojmë bilancin tregtar, i cili thash se është mjaft negativ, sepse nuk arrijmë që as dhjetë për qind të importeve t’i mbulojmë tani me eksport.

Një fushë të cilën e kemi pasur mjaft të ndejshme është ajo e energjetikës, sepse është një resor shumë i rëndësishëm i zhvillimit të vendit. Ne do kemi një vakum energjetik deri në vitin 2020, në qoftë se nuk arrijmë të marrim masa të sigurimit të energjisë elektrike.

Jemi gati për një marrëveshje të ndërtimit të një termocentrali të ri ndërmjet 500 dhe 600 megavatëve dhe i cili do të përfundonte diku në vitin 2023, mirëpo, poashtu kemi edhe një vakum nga viti 2017 deri në vitin 2023, të cilin duhet ta plotësojmë qoftë përmes importit të energjisë elektrike, qoftë përmes rekonstruimit të kapaciteteve ekzistuese të gjenerimit që janë dy termoelektrana që tani i kemi dhe janë mjaft të vjetra. Njëra daton nga viti 1964 dhe gjeneratorët e të cilit nuk janë stabil dhe nuk ofrojnë kushte, sidomos të ambientit për prodhim të energjisë elektrike dhe tjetri është më i ri, i cili duhet të rekonstruohet.

Unë shpresoj se edhe këtë problem ne duhet ta kapërcejmë dhe edhe energjia elektrike më nuk duhet të jetë problem për investitorët e jashtëm, por edhe për qytetarët dhe ekonomitë familjare.

Sfida që ne e kemi pasur gjatë këtyre viteve, ka qenë sfida e pajtimit. Ne kemi trashëguar një gjendje të pasluftës, e cila kryesisht ka qenë situatë e mosbesimit, e krijuar nga dhuna, nga vrasjet e popullatës shqiptare. Ne kemi humbur mbi 13 mijë njerëz gjatë luftës, kemi edhe 1600 të cilët ende nuk janë gjetur dhe familjet e të cilëve presin përgjigje se ku janë humbur familjarët e tyre. Është fjala për fëmijë, pleq, për gra, burra, që 17 vjet nuk dihet se ku janë. Ne nuk kemi përgjigje ende nga Serbia lidhur me këtë. Nuk kemi përgjigje edhe për shumë çështje të tjera, edhe për shkatërrimin e pronave, edhe për shkatërrimin e ekonomive familjare, edhe për shkatërrimin e ekonomisë, edhe për kursimet pensionale të cilat janë plaçkitur para lufte dhe njerëzit që kanë paguar në Fondin e Kursimeve Pensionale, ata nuk kanë arritur t’i realizojnë të drejtat e tyre mbi bazën e kursimeve pensionale. Ne llogarisim se duhet të jenë mbi 300 milionë dollarë që atëherë janë plaçkitur, që kanë qenë mjete që u kanë takuar atyre që i kanë paguar kontributet e tyre për pensione, por që nuk i realizojnë sot. Edhe për shkatërrimet e shtëpive, pronave e të tjera, të cilat kanë mbetur çështje që nuk janë zgjedhur ende me Serbinë.

Mirëpo, edhe përkundër kësaj, ne kemi treguar gatishmërinë tonë që të bisedojmë për çështjet e stabilizimit të marrëdhënieve ose siç kemi thënë ne të normalizimit të marrëdhënieve, sepse kanë mbetur pas luftës katër komuna në veri të vendit, ku kryesisht kemi pasur ndikim të Serbisë dhe ndikim të drejtpërdrejt të Beogradit. Ne kemi qenë dhe jemi të interesuar që atë pjesë të vendit ta integrojmë dhe mendoj se dialogu që është zhvilluar në Bruksel viteve të fundit ka arritur disa rezultate pozitive. Kemi arrit që t’i mbajmë zgjedhjet e lira në veri të vendit, edhe zgjedhjet lokale edhe ato qendrore. Tani kemi kryetarët e komunave në veri të vendit dhe asambletë komunale të cilat komunikojnë me ne dhe zbatojnë ligjet e Republikës së Kosovës, të cilat zbatojnë Buxhetin e Kosovës të përcaktuar sipas kritereve nga Parlamenti dhe nga Qeveria. Por, po ashtu, ende kemi organet paralele të Serbisë, të cilat veprojnë në këto komuna dhe veprojnë në komuna të tjera me shumicë serbe.

Çështje që ne i kemi zgjidhur tani përmes dialogut, është çështja e prezencës së organeve të sigurisë së vendit në veri të vendit. Është çështja e menaxhimit të integruar të kufijve, sepse kemi arritur që edhe kjo të bëhet. Është çështja e funksionimit të Administratës Tatimore dhe Administratës Doganore në veri të vendit. Kemi arritur t’i integrojmë edhe mbrojtjen civile, sepse ka qenë një njësi paraushtarake e cila ka vepruar në veri të vendit dhe ne e kemi shpërbërë këtë njësi dhe përfundimisht në vitin e kaluar i kemi integruar në institucionet e Kosovës, rreth 480 pjesëtarë të kësaj njësie dhe kanë mbetur edhe 40 pa u integruar. Por, kemi edhe disa çështje që kanë mbetur të hapura. E kemi të hapur çështjen e Kodit Telefonik i cili po pengohet nga ana e Serbisë që ta merr Kosova. Në emrin tonë ka konkurruar Austria që ne ta fitojmë këtë kod me pajtim që Serbia të mos ndërhyje dhe të mos e pengoj atë.

Kemi çështjet e energjetikës, sepse deri më tani nuk kemi arritur që të vejmë sovranitetin tonë energjetik në të gjithë territorin e Kosovës, në këtë rast po mendoj në veri të vendit, në katër komunat në veri të vendit. Kemi çështjen e komunikimit në mes të pjesës veriore dhe pjesës jugore të Mitrovicës, se është një qytet që është ndarë në dy pjesë, në pjesën veriore që është me shumicë serbe dhe pjesa jugore është pjesë me shumicë shqiptare. Përpara ka qenë një qytet, një komunë, dhe tani është ndarë në dy. Është një marrëveshje që të ndërtohet ura dhe të bëhet lëvizja e lirë e qytetarëve në mes të pjesë veriore dhe pjesës jugore të qytetit. Ky është një proces. Zotimin për këtë e ka marrë Bashkimi Evropian dhe ne presim që këto zotime do t’i përfundoj. Është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, një obligim që ne e kemi marrë që të themelohet ky Asociacion si formë e koordinimit të këtyre komunave që janë me shumicë serbe. Kemi pas lidhur me këtë kundërshtime të mëdha të opozitës në Kosovë, sepse edhe opozita por edhe ne gjatë marrëveshjeve në Bruksel e kemi konsideruar se Asociacioni nuk mund të ketë fuqi ose përgjegjësi ekzekutive dhe nuk mund të jetë pushtet i tretë. Këtë e ka trajtuar edhe Gjykata Kushtetuese dhe gjykata po ashtu ka konstatuar se Asociacioni duhet të themelohet, sepse e kemi shndërruar në një normë juridike me ratifikimin e ligjit për marrëveshjen e parë që është realizuar në vitin 2013, porse Asociacioni si i tillë nuk mund të jetë pjesë e pushtetit ekzekutiv dhe nuk mund të jetë pushtet i tretë. Tani kur flas për pushtetin e tretë, vetëm dëshiroj t’iu them se ne në Kosovë nuk kemi pushtet regjional, ashtu siç e kanë vendet tjera të Bashkimit Evropian. Ne pushtetin e kemi të ndërtuar në dy nivele, në pushtetin lokal, që shtrihet në nivel të komunave, dhe në pushtet qendror, ndërkaq nuk kemi një pushtet të tretë të mesëm, ndërmjet pushtetit lokal dhe qendror, andaj as ky Asociacion dhe forma tjera të organizimit nuk mund të përfaqësojnë pushtet i cili mund të merr të drejtën që kanë komunat, ose të drejtën që e ka Qeveria qendrore dhe ta përfaqësoj këtë të drejtë si të drejtë të pushtetit të veçantë.

Sa i përket marrëdhënieve tona me Bashkimin Evropian dhe integrimeve tona në Bashkimin Evropian, ne kemi arrit që vitin e kaluar, siç thash më parë, të nënshkruajmë Marrëveshjen për Stabilizim Asociim që është marrëveshja e parë kontraktuale e Kosovës me Bashkimin Evropian. Këtë vit Komisioni Evropian ka dhënë rekomandimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, dhe presim që Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Evropës së shpejti do të vendosin, sepse përfundimisht duhet të vendoset në këto nivele, dhe po ashtu kemi arrit që me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të futemi në programin “Impakt” të kësaj korporate. Tani po punohet që të realizojmë sa më shumë fonde. Mundësia e realizimit të fondeve është nga kjo korporatë. Kemi themeluar njësinë tonë pranë Qeverisë e cila po punon drejtpërdrejt dhe ne mendojmë se do të arrijmë që të inkorporojmë të gjitha kriteret që Korporata e Sfidave të Mileniumit i shtron pranë nesh, edhe kriteret e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, edhe kriteret sociale dhe kritere të tjera, në mënyrë që efektet e realizimit të këtij projekti të jenë të rëndësishme dhe të jenë në harmoni me interesat e Kosovës.

Po ndalem vetëm dy fjalë lidhur me procesin e liberalizimit të vizave. Ne kemi kaluar gjatë këtyre 17 vjetëve një periudhë mjaft të rëndë sepse vendi ynë ka qenë i izoluar dhe akoma mbesim të jemi të izoluar. Do të thotë qytetarët tanë nuk mund të lëvizin në vendet e Bashkimit Evropian pa viza, bizneset tona dhe biznesmenët tanë nuk mund të lëvizin edhe përkundër asaj që ne jemi deklaruar për ekonomi të hapur të tregut, kjo është vetëm një teori e cila ekziston, por jashtë teorisë akoma asgjë nuk ka pas konkrete, sepse çdo njeri që ka nevojë të marrë pjesë në një panair ndërkombëtar të bizneseve, ose ka nevojë të takojë një partner të biznesit jashtë, duhet të pres tre muaj apo gjashtë muaj para dyerve të ndonjë ambasade për të marrë vizën, dhe kjo ka ndikuar që të kemi efekte mjaft të mëdha negative në pikëpamje të integrimit tonë ekonomik me vendet e Bashkimit Evropian dhe me vendet tjera. Janë kërkuar që ne të plotësojmë 95 kritere në mënyrë që të marrim rekomandimin për liberalizim të vizave. Të gjitha këto i kemi plotësuar. Janë kritere të cilat janë gati dyfish më të mëdha se sa që i kanë kapërcyer disa nga vendet tjera në proces të liberalizmit. Ne nuk jemi ankuar për këtë, sepse të gjitha këto kritere kanë bërë që ne të ndërtojmë kritere demokratike të vendit tonë. Mirëpo na janë dhënë po ashtu edhe dy kritere shtesë tani që duhet t’i plotësojmë derisa Parlamenti Evropian të mos vendos, është ajo e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe është evidenca e trendit të luftimit të krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Sa i përket krimit të organizuar dhe korrupsionit, ne kemi pas këtu deri në vitin 2008 organet e UNMIK-un, të cilat e kanë pas kryesisht këtë fushë si fushë të veten. Më vonë kemi Misionin e Bashkimit Evropian, EULEX-in, të cilit ia kemi zgjat mandatin edhe për dy vite të premten e kaluar. Kështu që edhe luftën për shtet ligjor kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit e kemi luftë që po e zhvillojmë së bashku me institucionet e Bashkimit Evropian të cilat janë prezentë në Kosovë.

Mund të them se institucionet tona kanë filluar që të jenë mjaft të suksesshme në këtë luftë. Ne i kemi shpall luftë të hapur korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe përkundër kësaj, kemi një percepcion të lartë në opinion lidhur me prezencën e korrupsionit.

Ne duhet të punojmë edhe më tutje në mënyrë që jo vetëm që të ulim percepcionin, por që të ulim shkaqet që krijojnë këtë percepcion.
Shkaqet mund të jenë edhe sociale, edhe ekonomike, mund të jenë edhe të vërteta, në pikëpamje të prezencës së korrupsionit, sidomos te paraja publike, tek sistemi i prokurimit publik, që vë në konkurrencë sektorin privat dhe sektorin publik.

Dëshiroj të them disa fjalë edhe lidhur me marrëdhëniet tona me vendet fqinje. Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me vendet fqinje. Me Shqipërinë kemi mbajt edhe disa takime të përbashkëta të Qeverisë së Kosovës me Qeverinë e Shqipërisë, në të cilat kemi nënshkruar mjaft marrëveshje të bashkëpunimit reciprok, kryesisht në fushën e ekonomisë, në fushën e arsimit, në fushën e kulturës, në fushën e rinisë, në fushën e sportit, në fushën e doganave, në fushën e tatimeve, dhe këto kanë dhënë rezultate që ne ta lehtësojmë këtë bashkëpunim. Mirëpo, asgjë jashtë kësaj. Ajo çfarë thuhet lidhur me marrëdhëniet tona është që ne dëshirojmë të jemi bashkë me Shqipërinë, ashtu siç dëshirojmë të jemi bashkë me të gjitha vendet fqinje në Bashkimin Evropian. Dhe ne bashkimin tonë e shohim si proces të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe jo ndryshime të kufijve të brendshëm. Kemi po ashtu marrëdhënie shumë të mira me Malin e Zi, edhe përkundër procesit akoma të hapur të ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me këtë vend. Me Maqedoninë po ashtu janë marrëdhëniet e mira, edhe përkundër një incidenti i cili ka ndodhur vitin e kaluar, por që nuk lidhet fare me marrëdhëniet tona shtetërore. Është incident i izoluar atje. Mendojmë që edhe me Maqedoninë të kemi mbledhje të përbashkëta të qeverive qoftë në nivel të të gjitha ministrive, ose në nivel të ministrive përkatëse të cilat ne dëshirojmë të përparojnë marrëdhëniet. Me Serbinë po punojmë në normalizimin e këtyre marrëdhënieve. Bashkëpunimi ekonomik me Serbinë nuk është i ulët, është mjaft i lartë, mirëpo bashkëpunimi në fusha tjera akoma ngec, sidomos në fushën e arsimit, dhe në fusha tjera. Po punojmë në suaza të projektit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në ndërtimin e përbashkët të infrastrukturës, në vendet e Ballkanit Perëndimor. Me Shqipërinë dhe me Serbinë do të lidhemi përmes autostradës e cila niset nga Durrësi dhe do të përfundon në rrugën e Nishit, dhe pastaj do të kemi mundësi që të gjitha këto investime t’i fuqizojmë dhe t’i realizojmë bashkërisht. Me Maqedoninë po punojmë tani në autostradën e re, po investojmë në rekonstruimin e hekurudhës e cila na lidh me Maqedoninë dhe me Serbinë. Do të mundësoj pastaj në lehtësim për këmbimin e mallrave. Me Shqipërinë kemi ndërtuar transmisionin e energjisë elektrike, që është një investim që ne kemi bërë rreth 40 milionë euro dhe që do të kryhet edhe në anën e Shqipërisë tani dhe do të mundësohet që ne të kemi këmbim të energjisë elektrike. Ndërkaq me Bosnjën mbetet për t’u dëshiruar që t’i ngrisim këto marrëdhënie, sepse këto marrëdhënie akoma nuk janë të kënaqshme, ato që ne dëshirojmë t’i kemi, për arsye të masave izoluese të cilat i ka vënë Qeveria e Bosnjës dhe po vazhdon t’i ketë edhe më tutje.

Ne kemi punuar po ashtu mjaft shumë edhe në luftë kundër terrorizmit, dhe ekstremizmit. Ju e dini se vendi ynë është përmendur edhe në këtë aspekt për arsye të një pjesëmarrje të themi relative të qytetarëve tanë në konfliktet në Siri dhe në Irak. Sipas evidencave tona, do të thotë diku gjatë gjithë këtyre viteve kanë lëvizur rreth 300 vetë në konfliktet në Siri dhe në Irak. Evidencat e tanishme të inteligjencës tonë flasin që ne mund të kemi diku nën 60 persona që aktualisht marrin pjesë në këto konflikte. Mund të ketë edhe familjarë të tyre atje, por që nuk janë pjesëtarë aktiv të konflikteve. Kemi tani bashkëpunim të shkëlqyer me vendet fqinje dhe me Turqinë në pikëpamje të menaxhimit të këtyre situatave. Organet tona kanë marrë masa ndaj individëve që kanë qenë të implikuar në rekrutimin e njerëzve që kanë shkuar në këto vatra të luftës. Kemi aprovuar vitin e kaluar Ligjin në Parlament i cili ndalon pjesëmarrjen e qytetarëve tanë në konfliktet e jashtme, dhe po ashtu Qeveria ka aprovuar edhe Strategjinë lidhur me luftën e ekstremizmit të dhunshëm dhe të terrorizmit, dhe unë mendoj se jemi ndër vendet që, edhe sekretari amerikan Kerry e ka vlerësuar vendin tonë si lider në këtë pjesë të botës në luftë kundër ekstremizmit dhe terrorizmit.

Mirëpo, dëshirojmë që të jemi pjesë e paqes, e stabilitetit dhe e mirëqenies jo vetëm në regjionin tonë por edhe në botë. Jemi po ashtu të interesuar të anëtarësohemi në organizatat ndërkombëtare. Vitin e kaluar për shkak të pengesave që ka bërë Serbia, me përkrahje të Rusisë, kemi dështuar që të anëtarësohemi në UNESCO për pak vota. Sivjet jemi të interesuar që të anëtarësohemi në INTERPOL, në mënyrë që të kemi informata dhe të bashkëpunojmë së bashku me vendet tjera në luftën e krimit botëror dhe të kriminelëve. Dhe po ashtu jemi të interesuar që të anëtarësohemi në Këshillin e Evropës dhe po i bëjmë të gjitha përgatitjet që të aplikojmë dhe të kemi përkrahjen e vendeve evropiane në mënyrë që të bëhemi pjesë e Këshillit të Evropës.

Ju faleminderit.