Libër me shprehje të zgjedhura poetike…
Nga Bilall Maliqi – (Marilena Grigore“Duke vallëzuar lumturinë” (poezi), Bukuresht, 2020, fq. 100).
Kur të bie në dorë një libër i çfarëdo zhanri letrar qoftë, e kur vie nga një poet i huaj në këtë rast rumun, e lexon me një kënaqësi të veçantë, sidomos kur shpalos vlera të padiskutueshme letrare, të bën që t’i kthehesh edhe njëherë së lexuari të librit.
Në këtë rast fjala është për një poete rumune, Marilena Apostu dhe librin e saj poetik me titull ” Duke vallëzuar lumturinë”, të cilin për lexuesit shqiptar e ka përkthyer dhe përshtatur mirë përkthyesi dhe poeti i njohur Baki Ymeri.
Së lexuari të këtij vëllimi poetik, lexuesi futet thellë në të bëmat poetike të autores, shkrirë nëpër vargje poetike, të cilat janë astrofike të pajisura me fjalë të zgjedhura poetike.
Çdo herë kur përkthyesi Baki Ymeri, na sjell përkthime nga krijuesit rumunë, jemi kurioz të dimë për krijuesit të këtij shteti, për vlerat artistike të tyre në dimensione letrare dhe poetike, të cilat i shpërfaqin nëpër krijimet e tyre letrare.
Në disa raste kur kam lexuar poetë rumunë kam fituar bindjen se kemi të bëjmë me një konglomerat poetësh, të përkthyer në gjuhën shqipe, të cilët kanë sjellur vlerat e tyre tek lexuesit shqiptar, dhe këtë bindje e kam edhe për këtë poete me librin e saj të cilin si dhuratë na e solli Baki Ymeri.
Kur themi se brenda këtij libri, lexuesi do të gjejë shprehje të zgjedhura poetike qëndron, sepse ajo ka ditur të shkëlqejë me kuptimshmëritë, me lidhshmërinë, apo korrespondimin e natyrshëm të vargjeve, me gjetjet motivuese, me figurat stilistike, të gjitha këto të shpërndara gjithandej këtij vëllimi poetik, të cilat, po ashtu japin mesazh të qartë për lexuesit.
Ky libër shoqërohet me risi poetike e cila e ruan në masë të madhe baraspeshën e vlerave artistike.
Ajo (poetja) ka bërë një pasqyrim shumë real të përditshmërive tona në aspekte të jetës, me një origjinalitet të theksuar, kjo është një bindje shtesë se kemi të bëjmë me një krijuese që e njeh vargun, e kultivon atë dhe e shkruan me një ndjesi të thellë, dhe s’kanë si të dalin ndryshe poezitë e saj, të cilat janë të mendimit të thellë psikologjiko- poetike.
Poezia e Marinës duhet lexuar ngadalë dhe me kujdes, dhe po e lexove ashtu, do të hysh thellë në brendi të detit poetik, ku në atë brendësi gjenë atë që s’e gjenë tek poetët tjerë, pra aty është vetë autorja e librit, tok me gjetjet e saja motivuese që nuk kanë pikë, por ato japin një ngjyrim emocional tek lexuesi dhe jo vetëm kaq, ato (poezitë) janë të pajisura edhe me aromë poetike.
Të tilla janë shumica e poezive të këtij libri, të cilat janë edhe me vlerë të begatshme artistike, por ato kanë edhe estetikën e tyre, kanë fuqinë shprehëse, çka është e rëndësishme te ky libër, poetja është kursyer nga fjalët e tepërta, të cilat mandej mund ta vrasin vargun e cila ka dalur nga thellësia shpirtërore e saj. Aty ka dashuri, ka optimizëm për jetë, ka shpresë, ka shpërfaqje të përditshmërive, mbi të gjitha ka edhe art.
E themi këtë se shumica e poezive të këtij vëllimi poetik, janë ato që e mbajnë vijën e poezive të qëndrueshme, ashtu siç është edhe vetë autorja, sepse së lexuari të këtij libri e fitova këtë bindje, siç do ta kenë edhe lexuesit tjerë.
Përveç kësaj nuk mundemi pa i përmendur poezitë:”Kënga e heshtjes”, “Riti i natës”, “Sytë e mi”. Antiteza”, “Manteli i ëndrrave”, “Çka po bën i dashur”, “Kënga e lumturisë” Trup e shpirt”, Ndërmjet zjarrit dhe fatit” e disa poezi të tjera, tek të cilat shkunden vlerat artistike të poezive që japin dimensionin e vlerave të avancuara letrare dhe poetike.
Këto poezi që i potencova më lart dhe të tjerat që janë po ashtu me vlera artistike, përbëjnë një tërësi me një vlerë të avancuar poetike, duke pritur më vonë nga kjo penë avancim edhe të mëtutjeshëm drejt rrugës së pambarimtë siç është poezia. Sepse poezia don shumë përpjekje dhe sakrificë për të arritur deri aty ku duhet dhe ku don vetë autorja.
Dhe një porosi të tillë e kemi nga poeti i madh shqiptar, Azem Shkreli në poezinë e tij “Katër këshilla vetes”.
Marrë në përgjithësi ky libër i ka vlerat e një libri me poezi të realizuara mirë artistikisht dhe si i tillë do të jetë i vlerësuar edhe nga lexuesit shqiptar, njëjtë siç është i vlerësuar edhe nga kritika letrare rumune./rajonipress/


