Kupchani pret angazhim shtesë nga Bideni në dialogun Kosovë – Serbi
Administrata e presidentit të ri amerikan Joe Biden nuk do të duhej t’ua flakte anët pozitive dhe të arriturat e politikës së Trumpit, mes të cilave janë edhe ato në lidhje me Ballkanin.
Normalizimi i marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë është vetëm hapi i parë, por i pamjaftueshëm, i ndjekur nga lëvizje që do të duhej të kenë sukses në normalizimin politik, thotë Charles Kupchan, drejtor i Studimeve Evropiane në Këshillin e New Yorkut për Marrëdhëniet me Jashtë dhe profesor në universitetin “Georgetown”, për të përditshmen serbe “Danas”.
Kupchani është njohës i mirë i rajonit, pasi ka disa dekada që ndjek zhvillimet e politikës amerikane në Ballkan. Libri i tij për izolacionizmin amerikan sapo ka dalë nga shtypi, ndërsa në disa prej paraqitjeve të tij të fundit Kupchani mbrojti zhvillimin evolucionar të politikës së jashtme amerikane, natyrisht aty ku është e mundur.
Në lidhje me problemin e Ballkanit, presidenti Trump ndërtoi një koncept të pavarur nga BE-ja, i cili rezultoi në Marrëveshjen e Washingtonit, që u nënshkrua nga Serbia, Kosova dhe Shtetet e Bashkuara. Me ndryshimin e administratës, shtrohet pyetja se cila do të jetë domethënia e këtyre dokumenteve për administratën e ardhshme të presidentit Biden.
“Marrëveshja mes Beogradit dhe Prishtinës është hap i rëndësishëm, por është vetëm i pari. Kalimi nga lidhjet më të ngushta ekonomike në normalizimin politik nuk do të jetë i lehtë. Unë pres që ekipi i Bidenit të jetë më i angazhuar në çështjet e Ballkanit dhe vetë Bideni kujdeset shumë për rajonin dhe e njeh atë mirë. Një nga ndryshimet e mundshme në lidhje me epokën ‘Trump’ është se Washingtoni do të bashkëpunojë ngushtë me BE-në në rajon. Ndarja e përpjekjeve të BE-së dhe SHBA-së në Ballkan nuk ka shumë kuptim”, tha ai, transmeton “Zeri.info”.
“Serbia dhe Kosova me të drejtë iu bashkuan marrëveshjes së Washingtonit – edhe nëse ajo ishte e lidhur me përpjekjet e Trumpit për të arritur fitoren diplomatike pak para zgjedhjeve. Motivet e Trumpit janë shumë më pak të rëndësishme sesa thelbi i marrëveshjes, e cila përmirësoi marrëdhëniet ekonomike midis dy palëve. Sidoqoftë, marrëveshja nuk është një arsye për vetëkënaqësi”, shton Kupchani.
I pyetur se çfarë pozite mund të presin Serbia dhe serbët në politikën rajonale të Bidenit ndaj Ballkanit, ai thotë: “Pres që Bideni të ketë një qasje pragmatike ndaj rajonit e jo ideologjike ose qasje në të cilën Washingtoni do ta zgjedhë vetëm njërën palë. Për normalizim të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës dhe për stabilizim të Bosnjë e Hercegovinës do të ketë nevojë për diplomaci të aftë dhe të ekuilibruar, e cila sheh nga e ardhmja e jo nga e kaluara”.
Ai gjithashtu thekson se beson se Bideni, të paktën deri në 2021, do të përqendrojë vëmendjen e tij në imperativat e brendshme, të tilla si zbutja e pandemisë, sigurimi i stimujve ekonomikë, investimi në infrastrukturë dhe trajnimi i punëtorëve.
“Ky fokus i brendshëm ka të ngjarë të shoqërohet me një tërheqje strategjike nga Lindja e Mesme – një proces që tashmë po ndodh. Por unë pres që Bideni të mbështetet në diplomaci dhe punë ekipore me aleatët. Kjo më bën të mendoj se do të ketë një angazhim të përqendruar diplomatik në Ballkan. Duhet të adresojmë çështje të reja, të tilla si siguria kibernetike dhe manipulimi i mediave sociale. Por do të nevojitet edhe një diplomaci e mirë e vjetër. Dhe pas katër vjetësh dëmtimi të diplomatëve profesionistë dhe punës ekipore ndërkombëtare, të dy këto gjëra do të kthehen në politikën e Bidenit”, deklaroi profesori Kupchan.
Ndër të tjera, ai foli edhe për dialogun Kosovë – Serbi, i cili tha se pret që do të përfundojë me njohje reciproke.
“Pres njohje reciproke, por mund të duhet kohë. Së paku në nivelin ekonomik, situata po shkon në drejtimin e duhur. Unë pres që e gjithë zona e Ballkanit përfundimisht të integrohet në institucionet atlantike. Atraktiviteti i anëtarësimit në BE është një nxitës i fortë në të gjithë rajonin. Megjithëse ndihem i sigurt për këtë pikë përfundimtare, jam më pak i sigurt se kur dhe si do të arrihet ai rezultat”, u shpreh Kupchani. /Zëri/


